Drejtësia miqësore për të miturit si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ka nisur të marrë formë ditën e sotme kur Ministri I Drejtësisë z.Ulsi Manja ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës me kryetarin e saj z.Erion Veliaj. Eshtë e para, nga një sërë marrëveshjesh që do të nënshkruhen edhe me bashki të tjera ku parashikohet realizimi në terren I mbikqyrjes së masave alternative dhënë nga gjykatat për të miturit në konflikt me ligjin. Pas marrëveshjes së sotme, Bashkia e Tiranës do të ofrojë tërësinë e shërbimeve të saj në qendrat sociale, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë do të koordinojë menaxhimin e rasteve nëpërmjet dy institucioneve të saj të varësisë: Shërbimit të Provës dhe Qendrës për Parandalimin e Krimive të të Miturve dhe të Rinjve. Gjatë fjalës së tij, Ministri I Drejtësisë tha se: “Fëmijët kanë nevojë për ndihmë e jo për ndëshkim. Ata janë objekt jashtëzakonisht I rëndësishëm I punës sonë të përditshme”. Duke iu referuar drejtësisë moderne ku është drejtuar vendi, z.Manja theksoi se “kemi nisur zbatimin e një proçesi të ri që u jep mundësi të miturve të mos u nënshtrohen proçeseve gjyqësore. Masat alternative të shmangies do të jepen nga organet kompetente gjyqësore, të cilat në çdo rast do të mbajnë në konsideratë interesin më të lartë të të miturit, rrethanat e tij familjare, apo faktorë të tjerë ndikues”. Nga ana e tij, kryetari I Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj, shprehu kënaqësinë e vënies në dispozicion të resurseve të bashkisë, pasi fëmijët, të miturit, të rinjtë, meritojnë gjithmonë një shans të dytë për gabimet, apo rebelimet e tyre.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.