Drejtësi miqësore për fëmijët, zv/ministrja Pirdeni: Ja synimet e Ministrisë së Drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/12/2021

Drejtësi miqësore për fëmijët, zv/ministrja Pirdeni: Ja synimet e Ministrisë së Drejtësisë

“Sistemi miqësor i Drejtësisë për fëmijët”, është nisma e ndërrmarrë nga organizata Terres des Hommes dhe Ambasada e Hollandës në Shqipëri, të cilat organizuan edhe një takim ku mori pjesë edhe zv/Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë znj. Adea Pirdeni. “Reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë nuk ka lënë jashtë vëmendjes ndërhyrje të rëndësishme në përmirësimin e legjislacionit e prezantimin e qasjeve të reja për trajtimin e fëmijëve të cilët janë viktima, dëshmitarë apo edhe autorë të një vepre penale. Për herë të parë në Shqipëri, në 2017, u miratua “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”. Ky ligj përfaqëson një qasje të re të konceptit të trajtimit të fëmijëve në konflikt me ligjin, duke synuar të sigurojë zbatimin rigoroz të standardeve të së drejtës ndërkombëtare ku interesi më i lartë i fëmijës mbetet parimi udhëheqës”, ka thënë znj.Pirdeni. Më pas ajo ka renditur disa prej hapave më të rëndësishëm të hedhur nga vendi ynë në këtë drejtim si strategjia qeveritare 2018-2021, ngritja nga Ministria e Drejtësisë e Qendrës  Kombëtare të Rehabilitimit të të Rinjve dhe Fëmijëve, ndihma juridike falas për shtresat në nevojë. Zv/ministrja Pirdeni, ka paraqitur me pak fjalë edhe synimet e Ministrisë së Drejtësisë: “ Natyrisht që ende kemi shumë për të bërë drejt një sistemi drejtesie sa më miqësor për të miturit. Dëshiroj të theksoj në këtë forum kolegësh të nderuar, se zbatimi i qasjeve restauruese dhe zbatimi i masave të shmangies nga vepra penale, të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, kërkojnë angazhimin proaktiv dhe vullnetin e të gjithë strukturave të përfshira në këtë proces.

Do të duhet të rrisim në mënyrë progresive kapacitetet e profesionisteve të çdo hallke të zinxhirit të mbrojtjes sociale dhe drejtësisë penale. Duhet të vazhdojmë të krijojmë dhe fuqizojmë zbatimin e modeleve të mira dhe shfrytëzimin e çdo mundësie për shmangien e fëmijëve nga sistemi penal. Do të angazhohemi fuqimisht për të mbështetur zbatimin e ndërmjetësimit si një formë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, me qëllim rehabilitimin e marrëdhënieve midis fëmijës dhe viktimës, duke kontribuar në sheshimin e tensioneve sociale”, tha ajo.