Ndërmarrja e reformave prioritare në fushën e drejtësisë, me fokus bashkëpunimin e harmonizuar të të gjithë aktorëve të sistemit, nën asistencën e ekspertizës së Komisionit të Venecias ka mbledhur sot në një takim Ministrin e Drejtësisë z. Nasip Naço dhe delegacionin e ekspertëve të këtij komisioni.
Referuar faktit se një pjesë e kësaj reforme kërkon ndryshime të karakterit kushtetues, Qeveria Shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias për të dhënë sugjerimet e tij në lidhje me objektivat e përcaktuara që priten të orientojnë këtë reformë.
Sot, ky delegacioni i përbërë nga ekpertët, z.Peter PATCZOLAY , Prof. Sergio BARTOLE, z. Schnutz Rudolf DÜRR, ka zhvilluar një takim të parë me Ministrin Naço, ndërsa pritet që gjatë ditëvë në vazhdim të zhvillojë takime në nivel teknik.
Ministri Naço i ka informuar bashkëbiseduesit në lidhje me fokusin e reformës në drejtësi duke u ndalur në nevojën për ndryshimet në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Konferencën Gjyqësore, etj.
“Gjykata e Lartë po përballet me një numër çështjesh të mbartura të cilat janë të papërballueshme dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese. Mangësitë në organizimin e brendshëm të gjykatës janë gjithashtu përgjegjëse, për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve, përbërjes së trupit gjykues për pranimin e çështjeve, mungesës së ndihmësve ligjorë etj. Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në një Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë”, u shpreh Ministri Naço
Përsa i përket reformës në Gjykatën Kushtetuese, Ministri Naço vlerësoi si prioritare çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj gjykate, etj.
Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka paraqitur interes për grupin e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe Ministri Naço u shpreh se prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, janë problematikat qe lidhen me përbërjen, statusin si edhe rolin e anëtarëve të KLD-së; emërimin, transferimin si dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve; por njëkohësisht edhe harmonizimin e punës së dy inspektoriatëve përkatës, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së.
Vëmendje gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe reformës në organin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku ndër të tjera theksi u vu edhe në rritjen e rolit të Këshillit të Prokurorisë, i cili aktualisht ka vetëm funksionet e një bordi këshillimor.
Pasi janë njohur me vizionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe propozimet e saj në kuadër të reformimit të sistemit, ekspertët e Komisionit të Venecias u shprehës se do të vijojnë takimet dhe diskutimet në lidhje me planet dhe projektet e parashtruara, dhe më pas do të konkludojnë në një dokument përmbledhës me sugjerimet përkatëse.
Sipas grupit të ekspertëve, në çdo rast reformimi i sistemit të drejtësisë do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët ndërsa Ministri Naço garantoi se në këtë proces është i mirëpritur edhe kontributi i opozitës.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.