Deklaratë Përfundimtare e Konferencës "No Money For Terror" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/04/2018

Deklaratë Përfundimtare e Konferencës “No Money For Terror”

Deklaratë Përfundimtare e Konferencës "No Money For Terror"

Final Declaration of the Conference “No Money For Terror”

Paris, 26 prill 2018

Në nderim të të gjithë viktimave të terrorizmit,

Ne, shtetet anëtare të Task Forcës për Veprim Financiar (FATF) të Organeve Rajonale të FATF Style (FSRB), G20 dhe Koalicionit Global kundër Daesh, në praninë e organizatave dhe agjencive ndërkombëtare dhe rajonale, u takuam në Paris në datën 26 prill 2018 për të diskutuar mbi mënyrat dhe mjetet për forcimin e efikasitetit të veprimit tonë kundër financimit të terrorizmit, në bazë të punës së kryer që nga miratimi i Konventës Ndërkombëtare për Luftën kundër Financimit të Terrorizmit (1999), Rezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara 1373 (2001) dhe përvojës së zhvilluar gjatë luftës sonë të përbashkët për të mposhtur Shtetin Islamik në Irak dhe Levant (ISI / Daesh) në Siri dhe Irak.

Ne theksojmë se një qasje e integruar për të luftuar terrorizmin dhe financimin e terrorizmit, është thelbësore. Së bashku ne angazhohemi për të rritur përfshirjen tonë kombëtare dhe kolektive në luftën kundër financimit të individëve, grupeve, sipërmarrjeve dhe subjekteve terroriste të lidhura me ISIL (Daesh) dhe Al-Kaeda-n, e cila bazohet në angazhimin tonë të qëndrueshëm për të luftuar financimin e të gjitha grupeve terroriste.

Ne angazhohemi, në veçanti, për marrjen e vendimeve dhe masave të mëposhtme:

(1) Forcimi i mëtejshëm i kornizave/kuadrove të brendshme ligjore dhe operacionale për mbledhjen, analizimin dhe ndarjen e informacionit nga autoritetet kombëtare

Duke kriminalizuar/sanksionuar plotësisht financimin e terrorizmit, përfshirë financimin e udhëtimit dhe rekrutimit të terroristëve dhe zbatimin e sanksioneve penale efektive, proporcionale dhe dekurajuese, madje edhe në mungesë të një lidhjeje me një akt terrorist specifik.
Duke forcuar efektivitetin e zinxhirit operacional: secili prej nesh angazhohet që të krijojë ose forcojë, në nivel kombëtar, kuadrin (p.sh. task forcat e përfshira dhe qendrat e bashkimit), duke lejuar njësitë e inteligjencës financiare, shërbimet e inteligjencës dhe hetimit, autoritetet gjyqësore dhe të ndjekjes penale, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet e tjera kompetente që të mbledhin dhe ndajnë informacion mbi financimin e individëve, grupeve, sipërmarrjeve dhe subjekteve të lidhura me grupe terroriste, duke përfshirë luftëtarët e huaj terroristë, transferuesit dhe të kthyerit, me barriera minimale për këtë shkëmbim, ndërsa respektojnë kornizat e zbatueshme ligjore për të drejtat e njeriut, privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.

Duke inkurajuar autoritetet kompetente kombëtare, në veçanti njësitë e inteligjencës financiare dhe shërbimet e inteligjencës, për të krijuar partneritete efektive me sektorët financiarë dhe privatë në lidhje me zhvillimin e tendencave, burimeve dhe metodave të financimit të individëve, grupeve, sipërmarrjeve dhe subjekteve terroriste dhe për të ndarë informacione taktike, sipas rastit.

Duke forcuar aftësitë e autoriteteve tona kompetente, në veçanti njësive të inteligjencës financiare, përfshirë edhe burimet përkatëse të teknologjisë së informacionit.
Duke rritur konsultimin me subjektet raportuese dhe përfshirjen e tyre në hartimin dhe zbatimin e udhëzimeve dhe treguesve të transaksioneve të dyshimta për sektorin privat, me qëllim përmirësimin e strategjive të përçarjes, zbulimin e hershëm dhe parandalimin e financimit të terrorizmit dhe cilësinë e informacionit të transmetuar nga sektori privat .

Duke rritur ndërgjegjësimin e përfaqësuesve dhe autoriteteve përkatëse të sektorit privat, përfshirë organet e kontrollit të eksportit, në lidhje me rrezikun e individëve, grupeve, sipërmarrjeve dhe subjekteve terroriste që sigurojnë armë, përfshirë armë të shkatërrimit në masë, si dhe mallra dhe teknologji sensitive.

(2) Lufta kundër transaksioneve anonime financiare

Duke përmirësuar gjurmueshmërinë dhe transparencën e flukseve financiare: ne angazhohemi që të forcojmë kornizat për shkëmbimin e informacionit me sektorin privat, sipas rastit, sipas të cilit autoritetet kompetente mund të marrin informacionin përkatës, duke përfshirë edhe pronësinë përfituese. Gjithashtu, këto korniza duhet të kontribuojnë në luftën kundër mashtrimit në dokumente, të gjurmojnë, zbulojnë, sanksionojnë dhe çmontojnë në mënyrë efektive transmetuesit e parave të paligjshme dhe të trajtojnë rreziqet që lidhen me përdorimin e parave të gatshme, sistemet informale të dërgesave (përfshirë hawalas* – një sistem tradicional i transferimit të parave i përdorur në vendet arabe dhe Azinë Jugore, me anë të të cilit paratë i paguhen një agjenti që më pas udhëzon një koleg në vendin ose zonën përkatëse që të paguajë  përfituesin përfundimtar), kartat me parapagesë dhe mjetet anonime të pagesave.

Duke punuar me institucionet financiare dhe me biznese ose profesione jo-financiare të caktuara për të garantuar përmbushjen nga ana e tyre të detyrimeve sipas legjislacionit të brendshëm kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, me sanksione efektive, proporcionale dhe dekurajuese, qoftë penale, civile ose administrative (p.sh. paralajmërime, gjoba, tërheqje akreditimi ose regjistrimi) dhe, kur është e përshtatshme, duke informuar menjëherë mbikëqyrësin e Shtetit të tyre, në mënyrë që të ndërmarrë veprimet e duhura.
Duke shfrytëzuar optimalisht mundësitë e ofruara nga teknologjitë financiare dhe rregullatore të reja dhe në zhvillim (të tilla si identiteti dixhital dhe risitë bankare celulare) për të nxitur përfshirjen financiare dhe lehtësuar aksesin dhe ofrimin e shërbimeve financiare për klientët, bizneset dhe komunitetet që ndryshe do të përdorin rrugë  informale, duke përgatitur kornizat mbikëqyrëse dhe ligjore për të siguruar më tej identifikimin e klientëve.

(3) Përmirësimi i gjurmueshmërisë dhe transparencës së organizatave jo-fitimprurëse (NPO) dhe fondeve të bamirësisë

Duke siguruar zbatimin efektiv me urgjencë të standardeve të FATF-it në lidhje me organizatat jofitimprurëse për të ulur rreziqet e abuzimit për financimin e terrorizmit nëpërmjet masave të synuara dhe të bazuara në rrezik, duke siguruar që të mos pengojnë ose dekurajojnë aktivitetet e shoqërisë civile.

(4) Parashikimi dhe trajtimi i rrezikut të abuzimit të instrumenteve të reja financiare
duke pranuar se teknologjitë, produktet dhe shërbimet novatore financiare mund të ofrojnë mundësi të rëndësishme ekonomike, por gjithashtu të paraqesin rrezikun e keqpërdorimit, duke përfshirë financimin e terrorizmit. Ne angazhohemi për të zbatuar standardet e FATF-it ndërsa  zbatohen për asetet e koduara, mbetemi në pritje të  shqyrtimit nga FATF-i të këtyre standardeve dhe i bëjmë thirrje FATF-it për të zhvilluar më tej zbatimin global.
(5) Krijimi i partneritetit me sektorin privat, veçanërisht i industrisë së teknologjisë, në luftën kundër financimit të terrorizmit

Duke nxitur një bashkëpunim më aktiv nga industria e teknologjisë, përfshirë platformat kryesore të Internetit dhe mediave sociale, me njësitë e inteligjencës financiare, shërbimet e zbatimit të ligjit, shërbimet e inteligjencës dhe hetimit, për të luftuar financimin e terrorizmit dhe përmbajtjen terroriste në internet, përfshirë rekrutimin e terroristëve, ekstremizmin e dhunshëm që favorizon terrorizmin, veçanërisht nëpërmjet dialogut të ndërmarrë nga disa shtete pjesëmarrëse dhe organizata ndërkombëtare me platforma të internetit dhe të mediave sociale.

Duke inkurajuar platformat e internetit dhe mediave sociale për të nxitur më tej argumente nga shoqëria civile. Në lidhje me rreziqet e shoqëruara me mbledhjen e fondeve nëpërmjet Internetit, duke zbatuar plotësisht standardet aktuale dhe duke iu drejtuar kolektivisht industrisë së teknologjisë, përfshirë platformat kryesore të Internetit dhe mediave sociale, për të miratuar udhëzime të qëndrueshme për përdorimin e financimit të turmave, shërbimet e pagesave dhe udhëzimet e komunitetit.

Duke i bërë thirrje sektorit privat për  të marrë në konsideratë kontrollin paraprak, ndërsa operon në sektor me rrezik të lartë dhe në juridiksione për të zbutur rrezikun e financimit të terrorizmit përgjatë zinxhirëve të tij të furnizimit.

(6) Duke theksuar dobinë e mekanizmave kombëtarë dhe ndërkombëtarë të ngrirjes dhe konfiskimit.

Duke rikujtuar rëndësinë e ratifikimit dhe zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për Ndalimin e Financimit të Terrorizmit (1999), si dhe të gjitha rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara në lidhje me financimin e terrorizmit dhe të drejtën dhe normat e tjera ndërkombëtare dhe inkurajimin e mëtejshëm të shteteve pjesëmarrëse për të parashtruar përcaktimet e individëve, grupeve, sipërmarrjeve dhe subjekteve të përfshira në financimin e aktiviteteve terroriste në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë në listat e sanksioneve të ISIL-së (Daesh) dhe Al Kaeda-s, duke përdorur sa më shumë informacione të hollësishme gjatë parashtrimit të këtyre përcaktimeve.

Duke zbatuar me efikasitet masat kundër financimit të terrorizmit të Strategjisë Globale të Kombeve të Bashkuara për Luftën kundër Terrorizmit.

Duke zbatuar me efikasitet zbatimin e mekanizmave të ngrirjes së aseteve sipas Rezolutës 1373 ë UNSC-së për pengimin e veprimtarive terroriste .

Duke forcuar bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës dhe njësitë e inteligjencës financiare sipas kompetencave të tyre përkatëse në identifikimin e rrjeteve financiare që mbështesin organizatat terroriste dhe në përgatitjen e përcaktimeve dhe kërkesave për ngrirjen e aseteve.

Duke shfrytëzuar njoftimet e veçanta të INTERPOL-it – Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve të Këshillit të Sigurisë, duke njoftuar agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë botën, se një individ ose subjekt i nënshtrohet një mase, si për shembull ndalimi i një udhëtimi ose ngrirja e aseteve.

Duke përmirësuar masat tona kundër terrorizmit, përfshirë investimin e burimeve në sanksionet e brendshme, përgatitjen dhe zbatimin e regjimeve, si dhe sekuestrimin e fondeve gjatë hetimeve.

(7) Forcimi i efikasitetit të bashkëpunimit ndërkombëtar

Duke përmirësuar cilësinë e  informacioneve të ndara/të shkëmbyera në nivel ndërkombëtar midis njësive tona të inteligjencës financiare për financimin e terrorizmit, financimin e luftëtarëve të huaj terroristë, të kthyerve dhe transferuesve, grupeve të izoluara të interesit, si dhe aktiviteteve të fondeve terroriste në të gjitha juridiksionet.

Me anë të publikimit të vendimeve kombëtare për ngrirjen e aseteve.

Duke iu përgjigjur menjëherë dhe në mënyrë të përshtatshme kërkesave ndërkombëtare të bashkëpunimit të shprehura nga të gjithë aktorët e zinxhirit operacional tek homologët e tyre përkatës kundër financimit të terrorizmit dhe ndarjes së informacionit në mënyrë spontane, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe agjencive kompetente, në rastet kur është e nevojshme.

Duke iu përgjigjur siç duhet kërkesave nga autoritetet gjyqësore kompetente për ekstradime dhe ndihmë të ndërsjellë juridike.

Duke luftuar të gjitha burimet e financimit dhe rrjetet terroriste, veçanërisht ato që rrjedhin nga krimi i organizuar ndërkombëtar dhe aktivitetet e paligjshme, në veçanti trafiku i paligjshëm dhe duke rritur bashkëpunimin ndërkufitar midis autoriteteve doganore dhe tatimore, si dhe operacionet e koordinuara ndërkombëtare policore dhe doganore.

(8) Mbështetja e autoritetit, vizibilitetit dhe burimeve të FATF-it dhe FSRB-së.
Duke rikonfirmuar rolin themelor të luajtur nga FATF-i, si organizmi global i caktimit të standardeve për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe duke bërë thirrje për zbatimin e plotë, efektiv dhe të shpejtë të standardeve të FATF-it në mbarë botën.

Duke mbështetur FATF-in për të forcuar më tej dhe përshtatur bazën e tij institucionale, qeverisjen dhe kapacitetin për rolin e tij të përmirësuar.

Duke forcuar procesin e vlerësimit të ndërsjellë, duke i dhënë FATF-it dhe Organizmave Rajonale të FATF- Style burimet e nevojshme për këtë qëllim, edhe nëpërmjet ofrimit të vlerësuesve të trajnuar.

Duke rritur publicitetin dhe shpërndarjen e raporteve dhe kërkimit të FATF-it mbi financimin e terrorizmit, rreziqet, tendencat dhe metodat e terrorizmit, si dhe raportet e vlerësimeve të ndërsjella të FATF-it dhe FSRB-së.

(9) Forcimi i angazhimit kolektiv ndaj shteteve që nuk përmbushin standardet ose që nuk kanë kapacitet.

Duke rritur koordinimin e ndihmës sonë teknike dhe financiare për Shtetet që nuk kanë kapacitete në lidhje me rrezikun e financimit të terrorizmit dhe duke ofruar trajnime të mjaftueshme për ekspertët.

Duke pranuar që të gjithë aktorët/ palët e interesit, shtetet individuale, si dhe organizatat ndërkombëtare duhet të shkaktojnë pasoja përkatëse nga fakti se një juridiksion i caktuar identifikohet nga FATF-i se nuk përmbush angazhimet e tij për të trajtuar mangësitë strategjike të AML-CFT-së. Në përputhje me standardet e FATF-it, vendet duhet të jenë të afta  të zbatojnë kundërmasat e përshtatshme proporcionale me rreziqet kur kjo kërkohet nga FATF-i ose në mënyrë të pavarur, nëse është e nevojshme.

Përveç këtyre kundërmasave, pasojat që rrjedhin nga vendet apo organizatat ndërkombëtare mund të përfshijnë gjithashtu, ndër të tjera, asistencë teknike të përmirësuar ose ndonjë masë tjetër për juridiksionet e renditura në FATF për progres. Ne pranojmë kuadrot/kornizat e vëna tashmë në funksionim nga disa vende apo organizata ndërkombëtare. Në veçanti, ne theksojmë rëndësinë e kornizave ekzistuese të politikave të vëna në funksionim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara. Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve/grupeve të interesit, shteteve individuale, si dhe organizatave ndërkombëtare që të marrin në konsideratë vënien në funksionim të politikave të koordinuara dhe, kur tashmë ekzistojnë, t’i shqyrtojnë dhe përditësojnë sipas nevojës deri në fund të vitit 2018.

(10) Ruajtja e mobilizimit tonë të përbashkët kundër financimit të terrorizmit.

Ne falënderojmë FATF-in për lidershipin e tij në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe FMN-në, Organizatën për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ne vendosim të takohemi sërish në vitin 2019 për të vlerësuar progresin dhe falënderuar shtetin australian për mikpritjen.