Reagim ligjor kundër vendimmarrjes së paprecedentë të gjykatësve të vrasësit të 4 policëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/02/2019

Reagim ligjor kundër vendimmarrjes së paprecedentë të gjykatësve të vrasësit të 4 policëve

Deklaratë e Ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj

 

Jam sot përpara jush në këtë deklaratë për shtyp, për një rast të paprecedent dhe shokues të ndodhur në vendimmarrjen e drejtësisë shqiptare dy ditë më parë lidhur më çështjen Dajti.

Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit në 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve, tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Prej 48 orëve kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të papranueshëm të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve.

Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente të drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, dua t’i siguroj të gjithë që jo vetëm nuk mund të pajtohemi kurrë me faktin e kryer në këtë rast, por do të ndjekim të gjitha hapat dhe mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit të mungesës totale të integritetit dhe profesionalizmit të disa gjyqtarëve të cilët nuk meritojnë asgjë tjetër përveç përbuzjes së çdo qytetari të ndershëm.

Vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm në dhënien e lirisë për elementet kriminale.

Gjej rastin që ta rinënvizoj se qeveria dhe kjo shumicë qeverisëse as nuk ka dhe as nuk e synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë dhe në raste të tilla papërgjegjshmërie të drejtësisë së një vendi që aspiron për të hyrë në Bashkimin evropian, nuk mund të rrijë pa reaguar me të gjitha format ligjore.

Fatkeqësisht kjo drejtësi në reformim e sipër, që hera herës shfaq fytyrën e saj të vjetër të përbuzjes të vetë drejtësisë, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë por të gjithë duhet të kuptojnë se vetëm përfundimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve, si ata që ulën dënimin e vrasësit të 4 policëve, është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme.

Ndërkohë, gjej rastin të informoj që paralelisht me Reformën në Drejtësi, ne do të përshpejtojmë reformën për rritjen e sigurisë në burgje si masë imediate në luftën kundër krimit të organizuar, ku pas instalimit të monitorimit 24 orësh të seksioneve të sigurisë së lartë në burgje, instalimit të regjimit 41 bis dhe paketës ligjore me ndryshime të kësaj natyre si pjesë e paketës antikrim, do të miratohet së shpejti për forcimin e mëtejshëm të nivelit të sigurisë në institucionet penitenciare.

Ministria e Drejtësisë do t’i drejtohet KLGJ-së që të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve lidhur me këtë rast të paprecedent të shkeljeve në kundërshtim me çdo standard të gjykimit të shkurtuar dhe procesit penal.

Pasuria është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar nga institucionet e vettingut, por mbi të gjitha i kërkoj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ONM-së që në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fokusohen në elemente të tilla që çdo gjyqtar ose prokuror me vendimmarrjen e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale t’i shpëtojnë forcës së ligjit.

Mbështes prokurorinë në ankimimin në Gjykatën e Lartë, me qëllim që parregullsitë e procesit në apel të rivendosin drejtësinë në vend.

Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie ku gjyqtarët dhe prokurorët me kurajo, përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të marrin vendime të drejta të pandikuara nga asnjë lloj rrethane tjetër dhe të japin drejtësi.

 

Faleminderit!