Deklaratë për shtyp - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/11/2017

Deklaratë për shtyp

Në përmbushje të premtimit tonë në kuadrin e programit të bashkëqeverisjes me qytetarët, për trajtimin me seriozitet të problemeve dhe shqetësimeve të tyre, jam sot përpara jush për të informuar publikun rreth dy ankesave konkrete të bëra nga qytetarët në Platformën e Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” Ankesat lidhen me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve të ZRVPP-ve. Në këto kushte, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kam urdhëruar hetimin të detajuar për rastet në fjalë. Pas konstatimit të shkeljeve kam kërkuar masa të menjëhershme ndëshkimore për personat përgjegjës.

Rasti i parë, i referohet Znj. Enerida Mema, një qytetare nga Fieri e cila ka paraqitur ankesën e saj në Platformën e Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”  më datë  29 tetor 2017. Znj. Mema kishte aplikuar dhe shlyer të gjitha detyrimet pranë ZVRPP Fier për rivlerësim të pronës së saj që në muajin maj 2017. Me kërkesë të Zyrës së Bashkëqeverisjes është kontaktuar me ZQRPP dhe ZVRPP, Fier  dhe në datën 10 nëntor 2017 ZVRPP Fier ka lëshuar çertifikatën e pronësisë për Znj. Mema

Qytetarja më është drejtuar përmes platformës “shqiperiaqeduam.al” dhe ka fituar të drejtën e saj. Duke i kërkuar ndjesë qytetares për vonesat e pajustifikueshme, kam kërkuar marrjen e masës ndëshkimore me perjashtim nga zyra, të Z. F. Myrto jurist pranë ZVRPP Fier, si person përgjegjës për abuzim me detyrën në shkelje të së drejtës së qytetares.

Rasti i dytë i referohet Znj. Laureta Bajrami, një qytetare nga Tirana e cila ka paraqitur ankesën e saj në Platformën e Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam” më dt. 26 tetor 2017. Znj. Bajrami ka aplikuar pranë ZVRPP Tiranë në dt. 29 shtator 2017. Që nga data 18 tetor 2017 dokumentet kishin ngelur për firmë tek drejtori. Me ndërhyrjen e Zyrës së Bashkëqeverisjes, ZVRPP, ka marrë masat për regjistrimin e kontratës së shitblerjes në favor të Znj. Bajrami

Qytetarja më është drejtuar përmes platformës “shqiperiaqeduam.al” dhe ka fituar të drejtën e saj. Duke i kërkuar ndjesë qytetares për vonesat e pajustifikueshme, kam kërkuar marrjen e masës ndëshkimore me perjashtim nga zyra, të B.Salku dhe S.Ismaili, te dy juristë pranë ZVRPP Tiranë, si persona përgjegjës për abuzim me detyrën në shkelje të së drejtës së qytetares.

Në përfundim të dy rasteve specifike të përmendura më sipër, dua të inkurajoj qytetarët të mos pranojnë asnjë vonesë dhe të mos hezitojnë për të denoncuar çdo rast abuzimi në plafformën “shqiperiaqeduam.al”.  Mjafton vetëm një mesazh që qytetari të vërë në lëvizje qeverinë dhe mua personalisht, për të zgjidhur problemin e tyre me zyrat e hipotekave

Paralajmëroj qartësisht të gjithë drejtuesit, përgjegjësit, punonjësit e hipotekave të vendit për shkarkim të menjëhershëm nga detyra, në çdo rast kur nga denoncimet e qytetarëve në platformën ”shqiperiaqeduam.al” do të vërtetohen vonesa në dhënien e shërbimit prej tyre.  Ky angazhim i imi dhe qeverisë time, përmes platformës ”shqiperiaqeduam.al” nuk do të ketë në fokus vetëm ZRPP por të gjitha institucionet e varësisë së ministrisë që unë drejtoj.

Unë jam në krahun e qytetarëve, qeveria është në krahun e tyre, dhe ne do të mund  t’i pastrojmë zyrat e shtetit nga parazitët dhe të korruptuarit, vetëm duke qeverisur së bashku.

Faleminderit