Deklarata, Ministri Manjani: Vettingu do të ndodhë, nuk ka forcë që e kthen mbrapa! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/11/2016

Deklarata, Ministri Manjani: Vettingu do të ndodhë, nuk ka forcë që e kthen mbrapa!

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani u vlerësua sot me “Çmimin e Mirënjohjes” nga Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë gjatë aktivitetin “Toga e Artë”.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Ministri Manjani vlerësoi se kujtdo mbriojtja duhet t’i jepet sipas ligjit dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Më tej, Ministri Manjani evidentoi se drejtësia penale dhe ndjekja penale në përgjithësi janë në ditë të vështira.

“Ka shumë argumenta, disa janë alibi që krijohen për një arsye ose një tjetër, që unë nuk mund t’i analizoj këtu por po ju jap disa statistika. Sot, në çastin që flasim, në sistemin penitenciar janë 6027 persona të dënuar, rreth 900 prej tyre janë mbi normë, pra jemi në kushte mbipopullimi. 50% e tyre janë persona që gjenden në paraburgim dhe kjo shifër më shqetëson sepse sistemi i ndjekjes penale nuk mund të prodhojë njësoj të dënuar aq edhe të paraburgosur, kjo nuk është efektive. Rreth 40% e këtyre të paraburgosruve janë të arrestuar në flagrancë. Vazhdimisht gjatë këtij viti kam bërë thirrje, kam nxitur të gjithë instrumentat që unë kam në dorë si Ministër dhe nuk do të pushoj së bëri thirrje për trupën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të paktën ata që arrestohen në flagrancë duhet të dalin në gjyq”, tha Ministri Manjani

Gjithashtu, Ministri Manjani bëri me dije se javën e ardhshme është menduar të çelet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë një debat publik për të filluar një reformim të thellë të çështjes së dënimit me burg por edhe të masave të sigurisë, pasi sikurse tha Ministri Manjani, në më shumë se 90% të rasteve dominon vetëm një masë sigurie, që është burgu.

“Kam ndërmend të nis një proces konsultash sepse ka shumë presion për ndryshimin e Kodit Penal dhe unë nuk jam refraktar në këtë pjesë, ndaj duhet ta bëjmë së bashku, për të kuptuar se si mund ta zgjidhim këtë situatë. Nuk është zgjidhje amnistia sepse ajo mund ta zgjidhi situatën në një moment të caktuar, por na duhet një sistem i ndjekjes penale efiçent, ku realisht personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore duhet izoluar dhe jo kushdo është me këtë rrezikshmëri”, u shpreh z. Manjani.

Ministri Manjani u ndal gjithashtu edhe në rëndësinë e procesit te vetting-ut, ndërsa e konsideroi atë si një proces të pashmangshëm nga i cili nuk ka më kthim pas.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gjyqtari dhe prokurori të Republikës së Shqipërisë, se i kanë një borxh kushtetues çdo qytetari që paraqitet në derën e gjyqit apo në sallën e hetimit në prokurori, që të hetohet dhe gjykohet shpejt. Alibia e vetting-ut nuk pranohet! Vettingu do të ndodhë dhe nuk ka forcë që e kthen mbrapa! Gjykatësit apo prokurorët mund të kenë në dorë ta shtyjnë edhe pak por do të ndodhi, është e pashmangshme! Nuk e di se sa të korruptuar apo të dyshuar për korrupsion ka sistemi, por intersi publik i shoqërisë shqiptare sot është që të kuptojë se kush e kalon këtë test duhet të vazhdojë të jetë i merituar si gjyqtar apo prokuror. Kush vonon gjyqin, kush shtyn pa shkak procedura hetimore apo gjyqësore, nuk do ta ketë të lehtë në vetting, madje do të jetë në rrethana rënduese”, përfundoi fjalën e tij Ministri Manjani.