Deklarata e Ministrit Naço mbi importimin e armëve kimike - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/11/2013

Deklarata e Ministrit Naço mbi importimin e armëve kimike

Në përfundim të Konferencës Rajonale të Lidershipit në Gjyqësor, Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço i është përgjigjur interest të gazetarëve lidhur me cështjen e importimit të armëve kimike në Shqipëri.

Ministri Naço theksoi se nëse projekti që do t’i paraqitej, do të binte ndesh me interesat e të gjithë shqiptarëve atëherë ai nuk do të guxonte kurrë ta votonte.

 “Unë kam po aq informacion sa keni edhe ju , sa kanë të gjithë qytetarët, se është diskutuar për një çarmatosje të qeverisë së Asadit, të Sirisë. Sigurisht që jemi një vend anëtar i NATOS dhe kemi të drejta dhe detyrime ndaj një vendi anëtar në NATO. Besoj se kur kemi hyrë në NATO jemi gëzuar të gjithë dhe dikush ka marrë edhe flamurin në atë kohë dhe thoshte që ne e bëmë dhe sot dalin në protestë.

Sigurisht që ne jemi të vëmendshëm ndaj të gjithë zhvillimeve që ndodhin. Unë para se të jem deputet dhe ministër jam qytetar i këtij vendi, nuk kam nënshtetësi të dyfishtë, nuk kam ndërmend ndonjëherë të iki nga Shqipëria, fëmijët e mi do të rriten këtu dhe unë nuk do të guxoj që t’ju bëj keq fëmijëve të mi, as atyre që më kanë zgjedhur por as qytetarëve të tjerë”.

Ministri Naço bëri edhe njëherë me dije se ne jemi një vend anëtar i NATOS-s, që kemi detyrime por në asnjë rast, qoftë si qytetar, qoftë edhe si deputet apo edhe si Ministër ai nuk  do të guxonte të votonte një projekt i cili mund të binte ndesh me interesat e të gjithë shqiptarëve.