Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj së bashku me ministren e Drejtësisë së Austrisë Alma Zadić, kanë organizuar një takim me homologë të disa prej vendeve të Bashkimit Europian si dhe disa të Ballkanit Perëndimor ku fokusi kryesor ka qenë situata pandemike.
Në këtë mbledhje të gjerë online me përfaqësue të tetë Ministrive të Drejtësisë, u ndal gjerësisht te shkëmbimi i praktikave të ndjekura për masat e ndërmarra për përballimin e rrezikut.
Gjatë ndarjes së eksperiencave të përbashkëta dhe angazhimit të strukturave përkatëse, ministrja Gjonaj u fokusua edhe te hapat që do ndiqen në këtë fazë të dytë delikate të hapjes graduale.
Disa nga detajet e këtij takimi janë përcjellë nga Gjonaj në rrjetet sociale ku ndër të tjera shkruan:
“Në një iniciativë të përbashkët me kolegen time Alma Zadić, ministren e Drejtësisë së Austrisë, zhvilluam një takim online me disa kolegë të Ministrive të Drejtësisë si ajo e Italisë, Francës, Hollandës dhe të rajonit, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Takimi midis homologëve dhe përfaqësueve të tetë Ministrive të Drejtësisë, kishte si qëllim shkëmbimin e praktikës së ndjekur për masat që kemi ndërmarrë për përballimin e situatës pandemike në të cilën ndodhemi.
Një bisedim tepër miqësor dhe i frytshëm na mundësoi të njihnim në detaje masat e marra në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin penitenciar nga ministrat e Drejtësisë të vendeve pjesëmarrëse.
Pavarësisht ndryshimeve të shifrave të të prekurve në vëndet tona, rezultoi se kishim reaguar në mënyrë të ngjashme për masat në sistemin e drejtësisë, si për pezullimin e proçeseve gjyqësore ashtu dhe afateve proceduriale, për orientimin drejt alternativave të dënimit dhe për zhvillimin e proceseve gjyqësore nëpërmjet sistemeve elektronike online.
Sfida e madhe e përbashkët e ministrave të Drejtësisë është sistemi penitenciar, për të cilat diskutuam në këte takim, duke përfshirë masat e marra të cilat janë të ngjashmë nga një vend tek tjetri si në aspektin e protokolleve shëndetësore të ndjekura në institucione, ashtu edhe në pezullimin e disa aktiviteteve të zakonshme të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Gjatë takimit ndamë eksperiencat mbi masat e ndërmarra me qëllim uljen e mbipopullimit dhe lirimin e kapaciteteve të institucioneve penitenciare, duke përmendur iniciativa të ngjashme për lirimin e personave të dënuar me rrezikshmëri të ulët apo me sëmundje kronike të cilat janë ndërmarrë në një sërë shtetesh sikurse në vendin tonë.
Ishte kënaqësi të shikoje angazhimin e të gjithë kolegëvë në këtë sfidë të përbashkët, se përtej të qenit vende të ndryshme, problematikat dhe qasja ndaj tyre na bashkon jo vetëm për të vlerësuar masat e deritanishme, por edhe për të krahasuar dhe shkëmbyer hapat që do ndjekim në këtë fazë të dytë delikate të hapjes graduale.
Në mbyllje të këtij takimi, vlerësuam se ky forum diskutimi do të vijojë me takime të tjera dhe rëndësinë e shkëmbimit dhe forcimit të bashkëpunimit të ministrave të drejtësisë për të qënë së bashku në sfida të tilla madhore.
Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë kolegen Zadić, së bashku me të cilën arritëm të realizojmë në një kohë të shkurtër këtë forum diskutimi, ashtu si dhe të gjithë kolegët të cilët treguan vullnetin dhe angazhimin për të qenë pjesë e këtij takimi për të ndarë eksperiencën e tyre më të mirë dhe për të forcuar urat tona të bashkëveprimit.
Faleminderit Alma Zadić, Renata Deskoska, Nicole Belloubet, Alfonso Bonafede, Ferdinand Grapperhaus, Nela Kuburović Kisić dhe Mato Jozić, nënvizon Gjonaj.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.