Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe mbështetjen e Bankës Veneto çelën një ekspozitë unike me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurve nga e gjithë Shqipëria.
Ekspozita “Edukimi përmes artit”, është një risi në llojin e vet, pasi kjo është hera e parë që personat me liri të kufizuar ekspozojnë punimet e tyre në një institucion kombëtar të kësaj rëndësie, siç është Galeria Kombëtare e Arteve.
Të pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite ishin drejtues të instituconeve të ekzekutimit të vendimeve penale, punonjës socialë që njohin dhe nxisin aftësitë krijuese të personave të privuar nga liria, familjarë të të burgosurve pjesëmarrës në ekspozitë, përfaqësues nga organizatata që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe media. Por e veçanta e këtij organizimi ishte pjesëmarrja e vetë të burgosurve që kishin paraqitur punimet e tyre, nga të cilët u shpallën tre fitues:
Çmimi i parë: Vesel Hoxha, IEVP Elbasan, me pikturën “Natyrë e qetë”
Çmimi i dytë: Albana Lazaj, IEVP “Ali Demi”, për punimet artizanale në grep, qëndisje dhe objekte me rruaza.
Çmimi i tretë: Niku Beqiri, IEVP Peqin, për pikturën “Natë me hënë”.
Përpara hapjes së ekspozitës “Edukimi përmes artit” u mbajt një konferencë për shtyp, ku në panel ishin Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, z. Artan Shabani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Bledar Skënderi dhe kuratori i ekspozitës, z. Ylli Drishti.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes z. Shabani cilësoi se ky nuk është një aktivitet modest, por ka kërkuar një impenjim të madh nga të dyja institucionet që e ndërmorën atë.
“Hapja e kësaj ekspozite është një hap cilësor i shoqërisë shqiptare në shërbim të edukimit përmes kulturës. Vlerësimi i të gjitha punimeve të ekspozuara dhe për çdo person që vuan mungesën e lirisë është një shenjë plus e respektit që tregon shoqëria dhe institucionet qendrore të kulturës shqiptare”- theksoi ndër të tjera z. Shabani.
Zv/Ministri Arben Isaraj përshëndeti me vlerësime të veçanta çeljen e një ekspozitë të tillë.
“Sot është rasti i parë kuptimplotë ku Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Galeria Kombëtare e Arteve, mbështetur nga Veneto Banka, përdorin artet kreative (pikturë/ skulpturë) për të ndërtuar tek personat me liri të kufizuar aftësinë në komunikim, aftësinë në krijim, aftësinë në bashkëpunim,aftësinë në zgjidhjen e problemeve, aftësinë në zgjidhjen e konflikteve si dhe respektin për veten dhe të tjerët. Këto aftësi jetësore, zhvillimi i tyre, ndihmojnë personat me liri të kufizuar të jenë të pavarur, të rilidhen me familjen, të ndjekin arsimin e nevojshëm, si dhe të ri-hyjnë shëndetshëm në jetën e komunitetit kur të jenë në liri. Shpresoj të shijojmë këtu një pjesë të potencialit krijues që ekziston pas hekurave, por për mos ta lënë pas tyre.”- theksoi ne fjalen e tij Zv/Ministri Isaraj.
Ndërsa kreu i burgjeve, z. Artur Zoto, shprehu se:
“Rehabilitimi i personave në konflikt me ligj mbetet prioriteti kryesor i veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm pa bërë të mundur ndërtimin apo zhvillimin e një partneriteti të qëndrueshëm me institucione, aktorë apo individë të ndryshëm”.
Ekspozita do të qëndrojë hapur falas për vizitorët përgjatë dy ditëve në vazhdim.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.