Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ishte i pranishëm gjatë analizës së Veprimtarisë Gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Gjatë fjalës së tij, z. Naço theksoi se krijimi dhe funksionimi i kësaj gjykate përbën një histori suksesi për drejtësinë penale shqiptare, ndërsa ka ripërsëritur edhe njëherë qendrimin e tij se aktiviteti i kësaj gjykate, duhet marrë si model referimi në mjaft aspekte.
Z. Naço është ndalur në disa nga të dhënat e raportuara në raport-analizë, duke vlerësuar faktin se gjatë vitit 2014 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, krahasuar me vitin 2013, ka përballuar një volum pune më të lartë, që është rritur me 60 %, qoftë sa i takon numrit të çështjeve, kërkesave të administruara, masave të sigurimit, por dhe numrit të kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim, i cili si tregues më vete evidentohet se ka pësuar rritje me 146 %.
“Nga analiza evidentohet fakti se gjatë vitit 2014 Gjykata e Shkallës së Parë, ka përfunduar shqyrtimin e 150 çështjeve, ndërkohë që në Gjykatën e Apelit janë shqyrtuar 132 çështje themeli. Kjo tregon për një punë të konsiderueshme të përballuar dhe për këtë ju përgëzoj. Këto të dhëna për mua si Ministër Drejtësie, tregojnë se kjo trupë gjyqësore i është përgjigjur përsëri politikës penale dhe prioriteteve që ka vendosur qeveria shqiptare, për të luftuar fenomenet më negative që përballet shoqëria jonë siç janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi”, u shpreh z. Naço
Ministri Naço deklaroi gjithashtu se përpjekjet për të ndryshuar perceptimin e publikut të gjerë mbi korrupsionin në administratë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor, nuk duhet të mjaftohen vetëm më deklarata, por kërkohet një punë e konsiderueshme, e cila duhet të nisi me respektimin e ligjit.
“Si Ministër i Drejtësisë, që prej marrjes së detyrës, i kam propozuar qeverisë ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin Antimafia. Prioritetet që ne kemi për të luftuar korrupsionin në administratë, por dhe në sistemin e drejtësisë, na detyrojnë që të përdorim të njëjtat mjete efikase, me të cilat luftojmë sot bandat dhe organizatat kriminale. Për këtë, miratuam gjatë vitit 2014 një paketë ligjore të rëndësishme në fushën penale, ku pjesë e kompetencës së kësaj gjykata u bë shqyrtimi i çështjeve për veprën penale të korrupsionit, të kryer nga zyrtarët e lartë shtetëror, apo të zgjedhurit vendorë, gjykatës, prokuror dhe i funksionarëve të sistemit të drejtësisë, por dhe vepra të tjera në fushën e terrorrizmit dhe krimit të organizuar. Këto ndryshime ligjore tregojnë për besimin që ka Qeveria dhe Kuvendi tek profesionalizimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila me punën dhe rezultatet e saj, ka treguar efikasitet dhe objektivitet në shqyrtimin e çështjeve të tilla”, tha ndër të tjera z. Naço
Referuar raportit ku evidentohet se në Gjykatën e Apelit dhe Shkallës së Parë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014 është përdorur regjistrimi audio në të gjitha seancat gjyqësore në nivelin 100%, Ministri Naço ka bërë apel që ky proces të përpkrahet gjërësisht, si një parakusht për rritjen e transparencës në gjyqësor.
“Ky fakt është shumë domethësnës për rritjen e nivelit të transparencës dhe përmirësimit të etikës të seancave gjyqësore. Sistemi audio në gjykata padyshim përbën histori suksesi, sepse lehtëson punën e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore, por njëkohësisht përbën një mekanizëm shumë të mirë për të mbikëqyrur veprimtarinë e aktorëve të sistemit të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë është duke punuar për instalimin e një tjetër rubrike atë të regjistrimit video”, u shpreh z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.