Analiza vjetore e punës në Gjykatën e Apelit Vlorë, evidentohen problematikat - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/03/2015

Analiza vjetore e punës në Gjykatën e Apelit Vlorë, evidentohen problematikat

Ministri i Drejtsisë z. Nasip Naço ka marrë pjesë ditën e sotme në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit Vlorë, ku kanë raportuar edhe krerët e gjykatave të rrethit Lushnje, Fier, Berat dhe Vlorë.
Z. Naço u shpreh se e ka mirëpritur ftesën për të marrë pjesë në analizën vjetore të kësaj gjykate, pasi kjo instancë e dhënies së drejtësisë mund të nxjerrë në pah njërerazi edhe problematikat e gjykatave të rretheve, që janë pjesë e juridiksionit të shqyrtimit të saj.
Ministri Naço pasi ka dëgjuar të gjithë relatimet e krerëve të gjykatave, si dhe problematikat e evidentuara në sistem prej tyre, ka garantuar angazhimin e tij si dhe ka theksuar se ekziston vullneti politik në mbështetje të sistemit gjyqësor në Shqipëri.
“Ne po punojmë për përmirësimin e sistemit gjyqësor, në bashkëpunim me partnerët vendas dhe ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurojmë një infrastrukturë të përshtatshme për solemninetin e gjykimit, si dhe nivel të lartë të sigurisë për gjyqtarët”, tha z. Naço
Kreu i drejtësisë shqiptare evidentoi se sistemi gjyqësor paraqet një sërë problematikash që lidhen me zgjatjen e pajustifikuar të procesve gjyqësore, mungesën e shpalljes së vendimeve brenda afateve të arsyeshme, mungesë të etikës dhe veprime që denigrojnë figurën e gjyqtarit, si dhe mungesë të transparencës ndaj publikut.
Duke u ndalur tek trasnparenca në publik, Ministri Naço theksoi se duhet një angazhim maksimal nga të gjithë aktorët në mënyrë që të mos cënohet besimi tek qytetarët, aq sa shpesh edhe kur një vendim është i bazuar në prova dhe ligj, tek qytetarët sërish krijohet përshtypja se drejtësia sërish nuk është dhënë siç duhet.
Ministri Naço i ka njohur të pranishmit me punën e nisur për ngritjen e një sistemi të ri vlerësimi të gjyqtarëve, i cili tashmë do të rregullohet me ligj.
Njëkohësisht, z. Naço ka vlerësuar sistemin audio në gjykata si histori suksesi dhe apeloi përdorimin e plotë të tij nga gjyqtarët, duke theksuar se shkelja e këtij rregulli përbën shkak për nisjen e procedimit disiplinor.
Ministi Naco, përveç të tjerave, në fjalën e tij i kushtoi rëndësi të veçantë përdorimit të sistemit të mbikqyrjes elektronike, duke e inkurajuar trupën gjyqësore për dhënien e dënimeve alternative, në kuadër të aplikimit të një politike të re penale, për gjithë ato vepra penale që parashikojnë një marzh dënimi deri në 5 vjet.