Analiza tek krimet e rënda, Ministri Manjani: Jeni projekti më serioz në sistemin gjyqësor - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/03/2016

Analiza tek krimet e rënda, Ministri Manjani: Jeni projekti më serioz në sistemin gjyqësor

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka qenë sot i pranishëm gjatë analizës së përbashkët vjetore të punës së Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Ndër të tjera z. Manjani vlerësoi punën e këtyre dy gjykatave gjatë viteve 12 viteve të krijimit të tyre ndërsa theksoi se ato mund të konsiderohen si një histori suksesi dhe si një ndër projektet më serioze të shtetit shqiptar dhe më seriozi në sistemin gjyqësor.

“Sot diskutojmë mbi historinë e vitit të 12 të punës suaj në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar në këtë vend dhe duke mirëkuptuar të skeptikët, më duhet të them se viti i 12 i Gjykatës së Krimeve të Rënda është një vit suksesi, i një projekti serioz të shtetit shqiptar, më seriozi në sistemin gjyqësor. Është një trupë e vogël gjyqtarësh që menaxhohen mirë, që vendosen në një sistem administrimi të çështjeve në mënyrë thuajse perfekte dhe përballë kemi elementët më të rrezikshëm që ka prodhuar shoqëria shqiptare në vite. Kjo nuk një gjë e thjeshtë. Nëse doni përshtypjet e mia mund të them se nëse ky shtet ka histori suksesi në pjesën e gjyqësorit, kjo është Gjykata e Krimeve të Rënda.Nëse jemi anëtarë të NATO-s jemi për shkak të gjykatës së Krimeve të Rënda, nëse kemi bërë hapa progresive në drejtim të anëtarësimit në BE, kjo vjen për shkak të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pikëpamja ime ka qenë dhe mbetet se pushtet Shqipëria ka plot dhe ka patur plot, por shtet shumë pak. Ajo që ne na ka dhënë një kredo shtet-formuese dhe shtet-funksionuese është kjo gjykatë, me gjithë problematikën që mund të evidentohet”, tha Ministri Manjani

Ministri Manjani ka bërë një retrospektivë të ngjarjeve përgjatë të cilave u krijua kjo gjykatë, duke i kujtuar ato momente si mjaft të vështira dhe duke evidentuar rolin e kësaj gjykate që e merr zanafillën pikërisht në atë periudhë.

“Momentin kur u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda mos e harroni asnjëherë. Ishte një moment kur popullsia ishte e armatosur, ku shteti kishte vajtuar në drejtim të paditur, bandat shëtisnin rrugëve, banditët bënin kërdinë dhe sistemi gjyqësor normal nuk iu përgjigj dot. Ky është fakt. Në këtë terren u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda dhe sot kemi banditë në burg, kemi banda të shkatërruara dhe kjo punë nuk është bërë pa mund dhe nuk është bërë pa kotributin tuaj të përditshëm, që pak kush e sheh si nje kontribut qytetar të njerëzve që ngrihen në mëngjes dhe disa prej jush detyrohen të shoqërohen edhe me ‘bodyguard’. Kjo është një gjë që duhet ta vlerësojmë sepse është kontribut për shoqërinë shqiptare dhe për shtetin shqiptar. Përsa më takon mua si Ministër i Drejtësisë, por jam i bindur se edhe KLD-ja ka të njëjtën qasje, që është në mbështetjen e këtij projekti. Ne duhet ta mbështesim atë dhe çdo shqetësim që ka lindur ose do lindi si keqkuptim apo edhe në kuadër të reformës në drejtësi, pa diskutim që nuk duhet marrë kështu. Këtë projekt ne duhet ta forcojmë. A ka mundësi që të gjithë gjykimin penal ne ta sjellim në këtë standard gjykimi dhe jo ta prishim për ta sjellë në gjykimin normal penal i cili zvarritet dhe hera herës e vendos në pozicion “off side” (jashtë loje) gjykatën. Ky është një projekt që ka pa diskutim mbështetjen e shtetit shqiptar”, u shpreh z. Manjani

Referuar disa prej shifrave të bëra prezente gjatë analizës së Gjykatës së Shkallës së Parë për krimet e rënda, Ministri Manjani ka komentuar mbi shifrën 2 përqind që lidhej me dhënien e rasteve të pafajësisë.

“Pse bën përshtypje 2 përqindëshi i pafajësisë? Sepse në projekte serioze çdo çdo çështje tenton të shitet si një tragjedi dhe sikur diçka e rëndë ka ndodhur, mirëpo në gjykatë kështu funksionon, disa edhe do të jenë të pafajshëm sepse  jo të gjithë do të dënohen. Kjo nuk është çështje statistike por është çështje provash, është çështje gjykimi. Ne nuk na intereson një gjykatë që të fus në burg njerëz pa prova por një gjykatë që të fus në burg njerëz fajësia e të cilëve provohet. Unë i mirëkutpoj vështirësitë që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda, sepse nuk është një gjë e thjeshtë të zbërthesh veprimtaritë kriminale të grupeve të strukturuara, pse jo edhe me mbështetje të fortë pushteti, sepse as kjo nuk është çudi. Por e gjitha kjo duhet të vijë në logjikën e provës dhe këtë nuk ka as Ministër Drejtësie dhe as KLD që mund të ndërhyjë, kjo është çështje gjyqësore. Mos ardhtë kurrë ajo ditë që Ministri i Drejtësisë apo qoftë edhe KLD-ja të ndërhyrjnë në përmbajtjen e vendimit. Nëse vjen kjo ditë është vendosur autokracia, ka mbaruara paanësi dhe parimi i ndarjes së pushteteve”, tha Ministri Manjani

Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Ministri Manjani solli në vëmendjen e trupës gjykuese të këtyre dy gjykatave se në mënyrë të veçantë duhet të trajtuar me seriozitet çështjet e zbatueshmërisë apo konformitetit të gjykatave europiane.

“Kohët e fundit kemi patur shqetësime dhe unë e kam thënë edhe publikisht, nga vende anëtare të BE-së të cilat vendosin për fatin tonë të përbashkët evropian në lidhje me moszbatueshmërinë e vendimeve të tyre dhe kjo është një gjë që nuk shkon në intersin tonë shtetëror të përbashkët. Jeni hallka e fundit që ndoshta padrejtësisht merrni edhe kosto publike dhe kjo këkron pak më shumë vëmendje për t’i dhënë drejtim shoqërisë shqiptare. Projekti për t’i dhënë anëtarësinë shoqërisë shqiptare në Evropë është projekti më i rëndësishëm që kemi të gjithë sëbashku. Nuk bëhemi dot anëtarë të BE-së nëse vendet e tij na kritikojnë se ne i japim vetes “luksin” për të vënë në dyshim juridiksionin e vendimeve të tyre dhe gjykatave të tyre”, vuri në dukje z. Manjani

Z. Manjani është ndalur edhe në çështjen e dënimit të korrupsionit ndërsa ka nxitur trupën e këtyre gjykatave që të luajnë një rol proaktiv në shkatërrimin e frymës së koorporatizmit në gjyqësor.

“Cilido zyrtar shteti, i cilitdo niveli, që shfaqet i akuzuar për korrupsion në këtë gjykatë, për mua duhet ndërshkuar në rrethana rënduese. Por ka një problem që na e vështirëson këtë situatë, që është fryma koorporatiste. Sigurisht që duhet nxitur prokuroria të hetojë sa më shumë zyrtarë shteti dhe t’i sjelle në bankën e të akuzuarve. Por duhet ta fillojmë nga fryma e koorporatizmit. Ta themi të vërtetën nga njëra anë kemi një presion në rritje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për gjyqtarë dhe prokurorë ndaj të cilëve fillojnë dhe çështje penale dhe pothuasje të gjitha çështjet penale mbyllen dhe kjo e vendos KLD-në në një vështirësi të jashtëzakonshme. Cfarë duhet të bëjmë me këtë çështje? Deklarimi i rremë i pasurisë është fakt, por sipas gjykatës nuk ndëshkohet penalisht, ndaj tentohet të përdoret në anën tjetër varianti i akteve dhe sjelljeve që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit. Sigurisht KLD-ja ka hezituar dhe heziton të marrë vendime disiplinore sepse vendimet e gjykatave për pushimet e çështjeve apo mosekzistencën e veprës penale, komprometojnë rëndë të gjithë procesin e deklarimit të pasurive. Nëse hyjmë në rrethin vicioz që gjyqtarët mbrojmë njëri tjetrin dhe prokurorërt mbrojnë njëri tjetrin atëherë morali i gjykimit fillon dhe vihet në dyshim. Sepse të gjithë i bëjnë me gisht njëri tjetrit se kush vjedh më shumë dhe në fakt asgjë nuk ndodh. Nuk mund të presim që t’i kontrollojmë gjyqtarët dhe prokurorët se sa viza kanë në pasaportë por kemi përgjegjësi shtetëore dhe publike, që të gjejmë zgjidhjet tona”, tha z. Manjani

Referuar disa problematikave të bëra prezentë nga ana e kryetarëve të këtyre gjykatave gjatë kësaj analize, Ministri Manjani garantoi se është në mbështetje të çdo ndryshimi ligjor që do të ndryshonte situatën aktuale, për të mos dërguar gjyqtarët e krimeve të rënda në gjykime të tjera të komanduara por të forcohej gjykimi pikërisht në këto gjykata.

Gjithashtu Ministri Manjani bëri me dije se është gati të nisi bisedimet edhe për një paketë shtesë të masave të sigurisë dhe trajtimit financiar ndaj këtyre gjyqtarëve.

“Mirënjohja e shoqërisë ndaj jush duhet të materializohet diku. Të ndërtojmë një paketë masash ekstra sepse gjyqet sa vijnë dhe shtohen dhe kur mendon që sot ju gjykoni jo vetëm trafikant kanabisi por edhe terrorist, patjetër që shoqëria dhe shteti duhet t’ju jenë mirënjohës. Nëse funksionon mirë gjykata e krimeve të rënda historia e shtetit shqiptar do të ketë vetëm suksese”, theksoi Ministri Manjani

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ripërsëriti edhe njëhërë apelin e tij për më shumë vëmendje tek disa çështje që janë sensitive dhe që e vendosin realisht shtetin shqiptar në pozitë të vështirë.