Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore (FRA) publikon raportin mbi të drejtat e viktimave në të gjithë Bashkimin Evropian
Menjëherë pasi MINISTRIA E DREJTËSISË së bashku me Delegacionin e Bashkimit Evropian nisën hartimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Viktimat e Krimeve në Shqipëri të hënën më 23 shkurt 2023, Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore në Vjenë publikoi një raport të gjerë mbi situatën e të drejtave të viktimave në shtetet anëtare të BE-së. Raporti ofron një përshkrim të detajuar mbi nevojën për të bërë më efektive mbështetjen e viktimave, për të mbrojtur më mirë viktimat dhe për të lehtësuar raportimin e krimit. Raporti gjithashtu identifikon praktikat e mira për të frymëzuar vendet e tjera. Raporti “Përkrahja e të drejtave të viktimave” është publikuar nën:
https://fra.europa.eu/sites/default/files/fra_uploads/fra-2023-underpinning-victims-rights_en.pdf
Që nga nëntori i vitit 2016, rregulla të reja zbatohen në të gjithë BE-në, duke garantuar që njerëzit që bien viktima të krimit të përfitojnë nga një grup minimal i të drejtave. Në 2022, Shqipëria ka hapur negociatat për integrimin në Bashkimin Evropian. Një nga detyrimet për t’u anëtarësuar në BE është përafrimi i legjislacionit shqiptar për viktimat me standardet e BE-së dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në kushtet kur krimi nuk njeh kufij.
Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit do të synojë të forcojë të drejtat e viktimave të krimit, nëpërmjet angazhimit ndërinstitucional në mënyrë që viktimat të mund të raportojnë krimin, të marrin pjesë në procedimet penale, të kërkojnë dëmshpërblim dhe përfundimisht të shërohen sa më shpejt të jetë e mundur nga pasojat e krimit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.