21 janari, në rrugën e Reformës në Drejtësi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 21/01/2018

21 janari, në rrugën e Reformës në Drejtësi

21 janar 2018

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj mbajtur në ceremoninë përkujtimore në nderim të katër viktimave të 21 janarit

 

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit! I nderuar zoti Kryeministër! Të nderuar pjesëmarrës!

Nuk e di sa do të mundem t`i fsheh emocionet, që më kanë kapur qysh se mu caktua të mbaj fjalën çelëse të këtij takimi të veçantë.

Unë nuk e kam pasur privilegjin të jem e pranishme në takimet e mëparshme përkujtimore të 21 Janarit. Sepse privilegj është të përfaqësosh qeverinë, në ditën e mos harresës së një padrejtësie të madhe, si vrasja e pandëshkuar e katër njerëzve të pafajshëm.

Në mes të kryeqytetit! Në mes të ditës! Në mes të rrugës së një vendi për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Katër të vrarë në bulevardin e vendit, e megjithatë pa vrasës të identifikuar, dhe urdhërues të ndëshkuar ende. Katër njerëz të zakonshëm, të cilët ashtu si të gjithë qytetarët e Evropës së lirive e të drejtave të njeriut, ushtruan thjesht të drejtën e tubimit.

Pa armë! Pa gurë! Pa asgjë tjetër perveç mjetit të protestës paqësore. Dhe u vranë kur protesta mbaroi!

Ky është një moment ku mund të thuhen shumë gjëra për respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e të drejtës së fjalës, të drejtës së tubimit, të drejtës së protestës. Por një gjë e vetme peshon sa një gur i rëndë sot mbi ne.

Të dashur miq, familjarë të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtës, ju ende sot e kësaj dite nuk keni gjetur dot drejtësi dhe paqe për shpirtrat tuaj.

Të vetmit sot që nuk kanë asnjë arsye për t’u ndjerë keq, apo për të ndjerë sadopak nga pesha e këtij guri të rëndë, janë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre.

Nuk e di sa mundet sido qoftë ta lehtësojë për ju sot këtë peshë, fakti se sidoqoftë sot, ka shumë më tepër shpresë për drejtësi, nga ç`kishte të nesërmen e krimit shtetëror të 21 janarit. Sepse sot, reformimi rrënjësor i drejtësisë, largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ndërtimi nga themelet i një sistemi të ri institucionesh të drejtësisë, nuk është më një ëndërr me sy hapur, por një proces i nisur, i pakthyeshëm, i pandalshëm.

Si Ministre e Drejtësisë dëshiroj me shumë modesti, t`ju siguroj ju dhe gjithë njerëzit e këtij vendi që duan drejtësinë të bëjë drejtësi, se sot Shqipëria nuk është më e tradhtuar nga ata që e qeverisin. Sot drejtësia nuk është më fjala boshe e foltoreve të qeverisë, por është mision i panegociueshëm i shumicës qeverisëse. Sot beteja me krimin dhe me korrupsionin edhe brenda sistemit të drejtësisë, nuk është më një lojë pushteti, por është një vullnet shtetndërtues.

Specifikisht dua të konfirmoj se do të vazhdojmë të kërkojmë me vendosmëri përfundimin e hetimeve të vrasjes së të ndjerit Aleks Nika, si dhe do të ndjekim deri në fund me të gjitha mjetet ligjore hapat për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për rihapjen e procesit gjyqësor të tre viktimave të ngjarjes së 21 janarit.

Në një nga korridoret e universitetit të Harvard-it gjenden të gdhendura fjalët e Archibald Macleish-it, ku thuhet:

“Si do të duhet të mbrohet liria? Me krahë, kur je para sulmit me armë, Me të vërteta kur je para sulmit me gënjeshtra, Me besim tek demokracia kur je para sulmit me dogmën autoritare.

Gjithmonë dhe në aktin final, vetëm me vendosmëri dhe me besim”.

Dhe ne, me vendosmëri dhe me besim nuk do ta rreshtim asnjëherë përpjekjen tonë, derisa drejtësia të bëjë drejtësi për katër viktimat e 21 janarit dhe për çdo njeri të zakonshëm që në dyert e drejtësisë kërkon dhe meriton të marrë të drejtën e vet.

Pranoni të dashur miq të posaçëm të kësaj ceremonie, shprehjen e respektit tim më të thellë, për fisnikërinë me të cilën përballoni dhimbjen tuaj. Shumë faleminderit për vëmendjen që më kushtuat! Do të mbetet një moment i paharrueshëm për mua! Faleminderit!