Ministri Naço raporton në Komisionin Parlamentar të Integrimit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/12/2013

Ministri Naço raporton në Komisionin Parlamentar të Integrimit

Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço ishte i pranishëm sot gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Integrimit, ku ka raportuar në lidhje me ecurinë e reformave, problematikat dhe arritjet në në sistemin e drejtësisë. Gjatë fjalës së tij, Z. Naço theksoi edhe njëhërë vullnetin e qeverisë për reformim e sistemit të drejtësisë, duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë e deri tek sistemi gjyqësor, si dhe për të luftuar korrupsionin si një nga plagët e shoqërisë shqiptare.

Qeveria ka një vullnet të hekurt për të luftuar këtë fenomen, tha Z. Naço, që bëri të ditur se në kuvend është dorëzuar tashmë strategjia dhe paketa antikorrupsion, duke i hapur rrugë luftës efektive të këtij fenomeni negativ për Shqipërinë.

“Korrupsioni duhet të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vullneti politik do t’a bëjë luftën ndaj korrupsionit më efektiv dhe kjo do të jetë pasaporta e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian”, tha Z. Naço.

Ministri i Drejtësisë theksoi gjithashtu se pjesë e luftës ndaj korrupsionit në drejtësi duhet të jenë dhe qytetarët, pasi, sipas tij, sondazhet e zhvilluara kanë treguar se 80% e shqiptarëve e vlerësojnë  sistemin e drejtësisë si një nga sektorët me korrupsionin më të lartë.

Ndërkaq, Ministri i Drejtësisë i informoi anëtarët e komisionit se po punohet edhe për të reformuar Kodin Penal, Kodin e Procedurës Civile dhe atë Administrative.

“Lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, ne kemi shtuar korrupsionin si vepër penale, pasi lufta ndaj tij i hap rrugën zhvillimit të vendit. Objektivi ynë është që korrupsionin ta kthejmë nga një vepër me risk të ulët e fitim të madh në një vepër me risk të madh e fitimi të ulët, pasi kështu do ta godisnim në zemër dhe për këtë kemi marrë vendimin për të konfiskuar pasuritë e personave të cilët akuzohen për korrupsion deri në momentin që gjykata do të marri vendimin final”, tha Z. Naço.

Ministri i Drejtësisë u ndal edhe tek reforma në drejtësi, ndërsa theksuar se ka ardhur koha të ketë një reformë të gjerë në drejtësi, duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë e deri tek sistemi gjyqësor.

“KLD ka emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash ndërsa pjesa tjetër është e komanduar duke qenë nën presion të vazhdueshëm” vuri në dukje Ministri Naço

Po kështu, z. Naço theksoi se është thelbësore reformimi i Gjykatës së Lartë për të rritur mirëfunksionimin e saj, gjë për të cilën ka kërkuar edhe ndihmën e komisionit të Venecias.