Himarë, hapen për herë të parë sportelet e ZRPP
Banorët e Himarës dhe fshatrave përreth nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Vlorë apo Sarandë për të marrë shërbime që lidhen me pronat e tyre. Që prej fundit të muajit korrik Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hapur në Bashkisë së Himarës një degë të saj, me sportele të dedikuara, ku qytetarët mund të aplikojnë për shërbime hipotekore që lidhen me zyrat rajonale të Sarandës dhe Vlorës. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri kanë kryer një inspektim në degën e re të ZRPP në Himarë. “Hapja e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Bashkinë e Himarës është një risi dhe i përgjigjet prioritetit që Qeveria ka për përmirësimin e shërbimeve. Nëpërmjet kësaj zyre ne vendosim modelin e parë se si do t’ju ofrohet shërbim qytetarëve edhe atje ku ne nuk kemi zyra Rajonale, duke ju dhënë akses të gjithë qytetarëve në të gjitha bashkitë”, ka thënë ministrja Gjonaj në një prononcim pas inspektimit të kryer. Bashkia Himarë përbëhet nga 24 Zona Kadastrale nga të cilat 15 i përkasin ZVRPP Vlorë dhe pjesa tjetër, pra 9 zona i përkasin ZVRPP Sarandë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.