Trajtimi i të dënuarve me masë “mjekim i detyruar”, pjesë e reformës në sistemin penitenciar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/07/2018

Trajtimi i të dënuarve me masë “mjekim i detyruar”, pjesë e reformës në sistemin penitenciar

 

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në tryezën e diskutimit “Mbi masat për krijimin e kushteve për ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore ‘Mjekim i Detyruar’”

Jemi sot në këtë tryezë me ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale, të cilën gjej rastin që ta falendëroj sot për të gjithë kontributin e dhënë në këtë tryezë, por jo vetëm, por edhe në materialin që ne do të prezantojmë sot për sa i përket një problemi shumë të rëndësishëm, i cili nuk ka gjetur zgjidhje për një kohë shumë të gjatë, që kanë të bëjnë pikërisht me personat me “masat mjekësore” me vendim gjykate.

Tryeza që po zhvillojmë sot është e një rëndësie të veçantë, pasi problematika të cilës synojmë t’i japim zgjidhje është një nga më të mprehtat dhe më të rënduarat në sistemin tonë penitenciar.

Bëhet fjalë për një problematikë të trashëguar tashmë prej shumë vitesh dhe që asnjëherë nuk i është dhënë një zgjidhje e denjë dhe përfundimtare, qoftë për shkak të pamundësisë financiare të shtetit, por jo më pak edhe për shkak të indiferencës së treguar ndaj kësaj kategorie të të dënuarve, siç janë të personat me masa mjekësore me vendim gjykate.

Kjo situatë ka qenë në mjaft raste objekt i kritikave të vazhdueshme dhe të drejta si nga Komiteti Europian Kundër Torturës (CPT), por edhe Avokati i Popullit, apo dhe nga organizatat vendase që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e të drejtave të njeriut.

Zgjidhja e çështjes së trajtimit të personave me masë mjekësore “mjekim i detyruar”, të cilët aktualisht trajtohen në IEVP Krujë dhe Spitalin e Burgut, ka qenë një ndër prioritetet e punës së Ministrinë e Drejtësisë, si pjesë integrale e reformës tërësore që tashmë kemi ndërmarrë në sistemin penitenciar.

Numri i personave me masë mjekësore “mjekim i detyruar” ka ardhur në rritje nga viti në vit. Krahasuar me vitin 2014, ky numër është rritur me rreth 78%. Të dhënat më të fundit tregojnë se 246 persona janë aktualisht me masë mjekësore “mjekim i detyruar”.

Duke vlerësuar me seriozitet situatën, sikundër edhe rekomandimet e CPT, Ministria e Drejtësisë po e trajton këtë problematikë në dy linja kryesore:

  1. Me masa afatmesme për përmirësimin e trajtimit të kushteve aktuale në të cilat mbahen dhe trajtohen personat me masë mjekësore “mjekim i detyruar”;
  2. Me masa afatgjata, që lidhen me ndërtimin e një institucioni të specializuar, cili administrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në kuadër të masave afatmesme, tashmë ne kemi nisur procesin e rikonstruksionit dhe adaptimin në mjedise spitalore të dy godinave të burgut të Lezhës, në mjedise të përshtatshme për vendosjen e të personave me masë mjekësore “mjekim i detyruar”.

Projekti parashikon që dy godinat, të cilat do të rikonstruktohen do të plotësojnë standardet e trajtimit të personave me masë mjekësore, duke plotësuar kushtet e tyre, jo vetëm nga ana infrastrukturore, por  edhe nga ana e trajtimit të tyre shëndetësor dhe social.

Rekomandimet e CPT-së kanë synuar gjithnjë që trajtimi i tyre të jetë 360 gradë. Pra jo vetëm në plotësimin e kushteve në ambientet e qëndrimit dhe trajtimit shëndetësor, por edhe në ofrimin e një game të gjerë të aktiviteteve jashtë qelive për pacientët psikiatrikë afatgjatë në Spitalin e Burgut të Krujës.

Në këtë kontekst nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë hartuar programe të individualizuara, sipas karakteristikave të çdo të burgosuri, si dhe masa konkrete për ofrimin e një game të gjerë dhe të shumëllojshme të aktiviteteve jashtë qelive për pacientët me masa mjekësore “mjekim i detyruar”.

Ndryshimet ligjore që po ndërmarrin, të cilat janë në proces, do të prekin edhe trajtimin mjekësor, duke përfshirë edhe personelin mjekësor që do të shërbejë për këtë kategori personash. Ato parashikojnë përmirësim të trajtimit financiar për mjekët psikiatër, duke i bërë më të preferueshme këto pozicione pune.

Bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do ta institucionalizojmë përmes një marrëveshjeje dhe një plani të përbashkët veprimi, në lidhje me masat që do të merren për përmirësimin e trajtimit shëndetësor për pacientët me masë mjekim i detyruar, që do ta procesojmë shumë shpejt.

Në masat afatgjata për zgjidhjen e problemit të personave me masa mjekësore të detyrueshme, më e rëndësishmja është ndërtimi i institucionit të posaçëm, i cili do të do të akomodojë personat me masat mjekësore, i cili është konsideruar si një institucion shumë i nevojshëm, që i mungon Shqipërisë prej 21 vitesh dhe që do ta zgjidhë një herë e mirë çështjen e trajtimit të personave me masa mjekësore.

Të nderuar pjesëmarrës!

Reforma në sistemin penitenciar është pjesë e rëndësishme e reformës së radikale që kemi ndërmarrë në sistemin e drejtësisë. Prandaj e kemi konsideruar vitin 2018 si vitin e reformave të mëdha në aspektin ligjor dhe atë strukturor, në sistemin penitenciar të vendit.

E kemi nisur duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e rekrutim – trajnimit të personelit të burgjeve, përmes aplikimit të një sistemi që garanton personel të aftë profesionalisht, ta pastër moralisht dhe të pandikuar politikisht.

Për herë të parë drejtuesit e rinj të burgjeve u përzgjodhën përmes një konkursi të hapur dhe transparent, ku fituesit ishin ata që e merituan falë aftësive të tyre profesionale dhe integritetit të tyre moral.

E vijuam me përzgjedhjen dhe trajnimin e punonjësve të rinj të burgjeve, të cilët po ashtu iu nënshtruan një testimi nëpërmjet një bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë. Dhe sot në sistemin e Policisë së Burgjeve nuk mund të rekrutohet asnjë punonjës, i cili nuk testohet nëpërmjet Akademisë së Sigurisë dhe nuk trajtohen nëpërmjet kësaj Akademie, si një trajnim fillestar.

Po vijojmë me investime të rëndësishme në infrastrukturë, të cilat synojnë që nga një anë të rrisnin sigurinë e brendshme në burgje dhe nga ana tjetër të krijojnë kushte sa më optimale jetese për të dënuarit.

Javën e ardhshme do të përurojmë edhe burgun e ri të Shkodrës, me një kapacitet prej rreth 750 të dënuarish dhe me kushte krejtësisht moderne dhe bashkëkohore.

Kemi dizenjuar ndryshime të rëndësishme ligjore, të cilat synojnë dhënien e një statusi të veçantë më të mirë, për punonjësit e policisë së burgjeve, si në aspektin financiar, ashtu edhe në rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e rekrutimit dhe të ngritjes së tyre profesionale.

Nga ana tjetër jemi fokusuar te masat për rehabilitimin dhe integrimin e mëpasshëm në shoqëri të të dënuarve, përmes krijimit të kushteve për aftësimin profesional dhe punësim brenda institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Tashmë kemi nisur disa projekte konkrete për punësimin e të burgosurve dhe jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve edhe për një sërë projektesh të tjera.

Të gjitha këto masa që synojnë për përmirësimin e sistemit penitenciar janë të fokusuara  jo vetëm në vuajtjen e dënimit për personat e burgosur, por njëkohësisht duke u kujdesur më shumë në pjesën e rehabilitimit, e duke u krijuar një mundësi më shumë për t’u integruar në shoqëri.

Prania në ditën e sotme në këtë tryezë të shumë aktorëve, duke nisur nga institucionet shtetërore, avokatët, por njëkohësisht shumë e rëndësishme nga prezenca e aktorëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe aktorët e shoqërisë civile tregon vlerësimin që i është bërë kësaj problematike, të cilën besoj se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë një zgjidhje.

Po e mbyll fjalën time duke ju garantuar se tryeza e sotme nuk do të jetë e fundit, por do të pasohet me hapa të tjerë, në të cilët ju do të ftoheni në mënyrë të vazhdueshme për të na dhënë kontributin tuaj, me qëllim që të përfitojmë jo vetëm nga eksperienca juaj prej shumë vitesh për këtë kategori personash me masa mjekësore, por njëkohësisht për të gjetur zgjidhje përfundimtare për kategorinë e personave me masa mjekësore, me qëllim që të jemi në përputhje me të gjitha rekomandimet e Komitetit për Parandalimin e Torturës, ashtu edhe me standardet ndërkombëtare.

Kjo tryezë synon të mbledhë mendimet e kontributet tuaja veçanërisht për ndryshimet në legjislacioin penitenciar për këtë kategorinë për të cilën do të donim të zhvillonimin një diskutim të hapur me ju.

Për Ministrinë e Drejtësisë, por gjithashtu edhe për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale bashkëpunimi me ju është shumë i rëndësishëm, duke mbajtur në konsideratë vështirësitë reale që janë për akomodimin dhe trajtimin e duhur të kësaj kategorie.

Dhe e fundit, për ta përmbyllur, do të doja të falendëroja jashtëzakonisht shumë Këshillin e Europës, zotin Klaus, i cili në mënyrë të vazhdueshme, së bashku me ekspertët e kontraktuar nga Këshilli i Europës, na kanë dhënë ekspertizë, mendime e sugjerime se si mundet dhe si duhet të trajtojmë këtë kategori, duke e ndarë procesin në të dy drejtimet në akomodimin afatmesëm të kësaj kategorie, ashtu siç unë prezantova në institucionin e Shën Kollit në Lezhë përkohësisht, dhe më pas në drejtimin tjetër që ka të bëjë me ngritjen e institucionit të posaçëm lidhur me trajtimin definitiv të kësaj kategorie personash me masën mjekësore.