Jam krenar për besimin që një shumicë e pazakonshme zgjedhësish investuan tek ne, Aleanca për Shqipërinë Evropiane.
Njësoj siç luftuam të bashkuar për ta fituar këtë besim të madh, do të luftojmë më tutje, me ende më shumë përkushtim ndaj vendit dhe njerëzve, për të jetësuar ndryshimin që Shqipëria e kërkoi më 23 qershor, me forcën e një vote plebishitare të ngjashme vetëm me atë të vitit 1992.
Vullneti popullor i shprehur me atë forcë e rilindi demokratikisht këtë vend përmes zgjedhjesh më në fund të lira e të përshëndetura botërisht dhe na e dha ne socialistëve e progresistëve, privilegjin e lartë të drejtimit të punëve të Shqipërisë.
Ne e marrim këtë detyrë me mirënjohjen e thellë që buron prej një privilegji kaq të posaçëm, dhe me të gjithë përuljen që dikton besimi I ardhur nga gjykimi i popullit Sovran.
Jemi krenarë për fushatën plot dritë, ngjyra, energji pozitive që zhvilluam si një koalicion për të ardhmen, duke ringjallur shpresën dhe zgjeruar pjesëmarrjen aktive të njerëzve shumë përtej kufijve të partive politike.
Me diskutimin dhe miratimin e këtij programi në Kuvend, nis përballja e përditshme me realitetin e vështirë të një Shqipërie të lënduar thellë në trup, zemër e mendje, nga një rrënim i gjithanshëm.
Liri e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës;
Përgjegjësi e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit;
Solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale.
Këto janë vlerat që do të ndriçojnë rrugën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, në çdo vendim dhe veprim për përmbushjen e këtij programi.
Vizioni ynë është Një Rilindje Shqiptare.
Misioni ynë është të ecim më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.
Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajo e vendosmëri politika të reja dhe duke I dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit.
Bindja jonë është e thjeshtë: Shqipëria meriton më shumë.
Ky vend, vendi ynë i përbashkët, nuk meriton analfabetizmin funksional të mbi 50% të të rinjve, papunësinë e mbi 1 milion njerëzve që jetojnë me ç’u sjell dita dhe me ankthin e pandashëm të së nesërmes, shkatërrimin e gjithanshëm të natyrës së vet, ku kush mundet përfiton duke bërë dëm.
Shqiptarët nuk i meritojnë shkeljet e vazhdueshme të lirive dhe të drejtave të tyre, gënjeshtrat e përditshme zyrtare, vetminë përballë rreziqeve e problemeve që nuk përballohen dot asesi pa shtetin në krah.
Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur e po ia marrin frymën, as renditjen në fund të çdo tabele ndërkombëtare për standartet e jetës e të shërbimeve publike, mes vendeve të këtij kontinenti apo më gjerë; as imazhin e rënduar në tërë këto vite, kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model, nuk e meriton Shqipëria.
Shqipëria meriton më shumë, sepse ka gjithçka i duhet që ky popull të jetojë në një ekonomi normale, një shoqëri të sigurtë, një vend të denjë mes të barabartësh në tryezën e Familjes së Bashkuar Evropiane.
Shqiptarët meritojnë më shumë, sepse mund të bëjnë shumë më shumë, nëse kush flet, vendos dhe vepron në emër të tyre, nuk sheh thjesht interesat e punët e veta; nëse kush qeveris nuk i ndan dhe përçan për t’i sunduar, po i drejton me forcën bashkuese të shembullit; nëse kush bën e miraton ligje e rregulla nuk është shkelësi i parë i tyre, po i pari që ligjeve e rregullave u nënshtrohet pa kushte.
Qëllimi ynë është i qartë:
Të qeverisim siç e meriton Shqipëria. T’u japim shqiptarëve një pamje të prekshme të Shqipërisë Evropiane që ëndërrojnë dhe meritojnë. Ta bëjmë Shqipërinë model frymëzues jo vetëm të paqes, po edhe të zhvillimit në rajon.
Ne i sjellim Kuvendit të Shqipërisë këtë program qeverisës, të plotvetëdijshëm se ku duam të shkojmë; me vullnetin për të ndarë me njerëzit e këtij vendi çdo të vërtetë, sado të hidhur; me gatishmërinë për të marrë për këtë vend gjithë vendimet e nevojshme, sado të vështira; me vendosmërinë për t’u rënë ndesh pushteteve apo pozicioneve të privilegjuara që janë krijuar përmes padrejtësive qeveritare, duke deformuar ekonominë tonë, sado të konsoliduara; me frymën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Evropa është e ardhmja jonë.
Unë besoj fort se me këtë vetëdije, shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!
Edi RAMA
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.