Takime të frytshme bilaterale në Konferencën e Kopenhagenit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/04/2018

Takime të frytshme bilaterale në Konferencën e Kopenhagenit

  • Takime të frytshme bilaterale në Konferencën e Kopenhagenit

 

Gjatë punimeve të Konferencës së Nivelit të lartë të Ministrave të vendeve të KE-së që u zhvillua në Kopenhagen të Danimarkës, ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme bilaterale.

Takim me presidentin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Në takimin me presidentin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), z. Guido Raimondi, ministrja Gjonaj shprehu angazhimin e plotë të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së. Sipas saj Qeveria Shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë respektimit të të drejtave të njeriut, përmes zbatimit të një sërë reformash të thella që janë ndërmarrë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor gjatë viteve të fundit.

Ministrja e Drejtësisë prezantoi rezultatet pozitive të arritura deri tani në reformën në drejtësi, që Shqipëria po zbaton, si një ndër reformat më të thella në vendet që aspirojnë integrimin në BE.

Ministrja vuri në dukje rëndësinë që i kushton qeveria shqiptare trajtimit të aplikimeve shqiptare në shqyrtim nga GJEDNJ-ja, duke vënë theksin te nevoja e sigurimit të efektivitetit në zbatimin e vendimeve të gjykatës.

Znj. Gjonaj shprehu të gjithë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për bashkëpunim me strukturat e Gjykatës për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për çështjen e pronave. Në këtë kuadër ajo ka bërë edhe një prezantim të reformës së pronës dhe mekanizmit efektiv të trajtimit të saj. “Ne tashmë kemi nisur të zbatojmë me efektshmëri mekanizmin konkret ligjor për zgjidhjen e çështjes së pronave”, ka theksuar ministrja Gjonaj.

Presidenti i GJEDNJ-së shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të strukturave të gjykatës me palën shqiptare për gjetjen e zgjidhjes për çështjet e pronave në trajtim.

Takim me Komisioneren e Të drejtave të Njeriut në Këshillin e Evropës

Ministrja Gjonaj ka zhvilluar një takim edhe me Komisioneren e Të drejtave të Njeriut në Këshillin e Evropës, znj. Dunja Mijatovic, me të cilën diskutoi lidhur me risitë e reformës në drejtësi veçanërisht për efektivitetin dhe aksesin në drejtësi, drejtësinë penale për të miturit dhe të drejtat e personave të dënuar me masa mjekësore.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj u shpreh e hapur për të forcuar bashkëpunimin me Komisioneren për të drejtat e njeriu në fushat me interes reciprok. Nga ana e saj Komisionerja Mijatoviç vlerësoi këtë angazhim dhe theksoi se do të ketë një diskutim më të detajuar me autoritetet shqiptare gjatë vizitës së saj në Shqipëri, që do të zhvillohet së shpejti.

Takime me ministrat e Drejtësisë së Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës

Në qendër të diskutimeve dypalëshe me ministrin holandez për Drejtësinë dhe Çështjet e Sigurisë, z. Ferdinand Grapperhaus ishte çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërinë në BE, progresi i dukshëm që Shqipëria ka bërë vitet e fundit në forcimin e shtetit ligjor, nëpërmjet reformës në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ministrja Gjonaj shprehu vlerësimin për kontributin e Holandës në hartimin dhe tashmë në zbatimin e reformës në drejtësi, përmes angazhimit të ekspertëve dhe gjyqtarëve holandezë në strukturën e ONM-së.

Ministri Grapperhaus shprehu mbështetjen e tij në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme shqiptare.

Takime të rëndësishme znj. Gjonaj ka zhvilluar edhe me ministren e Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, Katarina Barley dhe Ministrin e Drejtësisë së Danimarkës  Soren Pape Poulsen.