46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët ZRPP dhe ALUIZNI, janë rezultati i ri i bashkëqeverisjes me qytetarët në Platformën e Bashkëqeverisjes - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/04/2018

46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët ZRPP dhe ALUIZNI, janë rezultati i ri i bashkëqeverisjes me qytetarët në Platformën e Bashkëqeverisjes

46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët ZRPP dhe ALUIZNI, janë rezultati i ri i bashkëqeverisjes me qytetarët në Platformën e Bashkëqeverisjes

Ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj ka dhënë sot një konferencë për mediat në të cilën ka prezantuar masat e marra ndaj nëpunësve që kanë abuzuar me detyrën apo nuk e kanë kryer atë si duhet, duke sorrollatur qytetarët në marrjen e shërbimeve publike. Këta qytetarë i janë drejtuar më pas Platformës së Bashkëqeverisjes ku kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre brenda afatit prej 10 ditësh.

Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë në këtë konferencë për media:

“Që prej muajit nëntor 2017  e deri në fund të muajit mars 2018, përgjatë një periudhe 5-mujore, 272 ankesa të ardhura në Platformën e Bashkëqeverisjes, në adrese të Hipotekës ose Aluiznit, janë zgjidhur me rezultate konkrete për qytetarët, duke i pajisur ata me dokumentin e kërkuar të pronësisë.

Ankesat e qytetarëve janë zgjidhur brenda afatit 10 ditor, të përcaktuar në platformë, ndërkohë që rezultonte se qytetarët ishin sorollatur me vite të tëra. Janë zgjidhur pikërisht sepse qytetarët nuk kanë ndenjur duarkryq, duke pritur apo duke u ankuar lart e poshtë, në kërkim të mikut apo sekserit të radhës.

Ata qytetarë që kanë vepruar pa ngurrim përmes platformës kanë vënë në provë, jo vetëm mekanizmin e bashkëqeverisjes sonë me njerëzit, por, edhe mënyrën e funksionimit të zyrave shtetërore, të cilat, kanë nisur të ndryshojnë. Por, jemi të vetëdijshëm që ka ende brenda tyre punonjës që duhet t’i identifikojmë e largojmë së bashku.

Sot, dua të bëj me dije, jo thjesht rezultatet e zgjidhjes së ankesave, po edhe faktin se çdo ankesë që ka buruar nga papërgjegjshmëria e punonjësve të administratës, ka ndihmuar në pastrimin e zyrave nga këta punonjës.

Për çdo ankesë dhe çdo praktikë të qytetarëve që është zgjidhur, është kryer një analizë e detajuar e cila, ka identifikuar personat përgjegjës për moszgjidhjen e tyre në kohë.

Si rezultat i kësaj analize, 35 shkarkimeve të lajmëruara më parë, ju shtohen sot edhe 46 shkarkime të tjera të punonjësve të Hipotekës më së shumti dhe ALUIZNIT.

Po ashtu është urdhëruar paralajmërimi për shkarkim nga detyra për 15 punonjës të tjerë, të cilët në rast përsëritje do të shkarkohen dhe ndiqen edhe penalisht sipas rastit.

Për 29 punonjës të tjerë të administratës është marrë masa administrative “Vërejtje me shkrim”.

Në këtë periudhë po analizohen edhe kushtet e veprës penale për të gjithë të shkarkuarit nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t.

Kushdo që pengon ose bllokon për qëllime korruptive, apo edhe thjesht vonon për neglizhencë qytetarët, në marrjen në afat të shërbimit që u takon sipas ligjit, është problemi ynë i përbashkët!

Prandaj unë përsëris thirrjen për çdo qytetar që ndeshet me pengesa, bllokime apo vonesa të paligjshme në marrjen e dokumentave nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo ALUIZNI, por edhe në tërësi në çdo zyrë shtetërore, të na drejtohet pa ngurrim përmes platformës së bashkëqeverisjes Shqiperiaqeduam.al.

Kujtoj edhe njëherë se çdo ankesë në platformë, i shkon drejtpërdrejt ministrit të linjës dhe është përgjegjësia e çdo ministri që qytetarët të marrin përgjigje brenda 10 ditësh, e që në asnjë rast, kur ata kanë të drejtë, të mos mbetet pa zgjidhje brenda afatit.

Ne jemi shumë të vendosur për të mos toleruar asnjë rast abuzimi me detyrën dhe duam ndihmën e çdokujt që e has abuzimin me detyrën shtetërore në rrugën e vet.

Qytetarët janë aleati ynë i madh dhe i vetëm në këtë mandat të ri për Shqipërinë që duam!

Sa më shumë të na kërkojnë llogari, për shfaqjet e abuzimit në zyrat e shërbimeve ndaj tyre, aq më shumë mund të bëjmë së bashku, për t’i pastruar pa humbur kohë zyrat nga aktorët negative të këtyre shfaqjeve.

Përfitoj nga rasti t’u shpreh të gjithë qytetarëve: Kini besim se s’ka asgjë që ju pengon të merrni brenda 10 ditësh atë që ju takon në këto zyra, nëse bëhemi bashkë për t’i kapërcyer pengesat që ju dalin. Dhe për këtë mjafton që të mos ngurroni të na adresoheni drejtpërdrejtë, përmes platformës së bashkëqeverisjes.

Çdo ankesë e qytetarëve adresuar në platformë është në dukje një ndihmë për qytetarin,  por është gjithashtu, edhe një kontribut që të gjithë së bashku t’i bëjmë shërbimet publike model, siç meriton çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi dhe Shqipëria si një vend drejt integrimit europian.

Pyetje: A janë shoqëruar këto raste edhe me kallëzime për ndjekje penale në Prokurori?

Në të gjitha rastet, bazuar në analizën shumë të detajuar që iu është bërë ankesave, që kanë ardhur në Platformën e Bashkëqeverisjes janë identifikuar jo vetëm problemet dhe shkeljet administrative që punonjësit e administratës kanë kryer, por njëkohësisht edhe elementet që mund të përbëjnë vepër penale. Jemi akoma në fazën e shqyrtimit të faktit, nëse përbën një vepër penale dhe menjehërë ato do të depozitohen si kallëzime në organin e akuzës.