Gjonaj: Reforma e thellë nuk do të ndalet deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit në burgje
“Kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore në burgje dhe nuk do të ndalemi deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit që janë shtrirë ndër vite e vite të tëra bashkëjetese të institucioneve”.
Kështu është shprehur Ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj gjatë një inspektimi që ka zhvilluar në burgun e Peqinit. Sipas ministres, pastërtia dhe integriteti moral i punonjësve në burgje është objektivi kryesor i reformës, jo si qëllim në vetvete, por si rruga e vetme për forcimin e sigurisë në burgje dhe një shërbim sa më profesional në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Gjatë verifikimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë ka rezultuar se rreth 100 punonjës janë me rekorde kriminale, çka do të thotë se ata automatikisht nuk duhet të ishin bërë pjesë e sistemit.
Nga ana tjetër rreth 70 punonjës nuk iu përputhet arsimi me pozicionin e punës.
Ministrja e Drejtësisë u shpreh se nuk do të ketë asnjë tolerim në procesin e verifikimit të pastërtisë morale të punonjësve. Të gjithë ata që nuk plotësojnë kriteret do të largohen.
Ministrja Gjonaj është ndalur edhe në sistemin e ri të rekrutimit, me qëllim pasjen e një trupe jo të emëruar politikisht dhe sa më profesionale.
Për këtë qëllim në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë do të organizohen testime profesionale për rekrutimin dhe më pas kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një kursi trajnimi, lidhur me detyrat funksionale të punës në burgje.
Gjatë inspektimit në burgun e Peqinit ministrja Gjonaj kontrolloi nga afër ambientet e burgut dhe dha porosi të veçanta për rregullimin e disa elementëve të tyre. Ajo gjithashtu u takua me të burgosur e familjarë të tyre, të cilët i kanë shprehur ministres problematika të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin më sistemin gjyqësor.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.