Projektligji “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/12/2017

Projektligji “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”

Fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj, në Kuvend

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Projektligji për ndihmën juridike të garantuar nga shteti është një nga ligjet kryesore që jetëson angazhimin e kësaj qeverie për të bërë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi gjithmonë në interes të qytetarit, ku çdo qytetar, pavarësisht gjendjes ekonomike, pavarësisht se nuk mundet të përballojë kontraktimin e një avokati, me këtë projektligj mund të marrë ndihmë ligjore dhe mund t’i drejtohet gjykatës për të  mbrojtur të drejtat e tij.

Ndihma juridike e garantuar nga shteti është thelbësore në garantimin e aksesit në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe forcimin e shtetit ligjor.

Ndihma juridike, veçanërisht në çështjet penale, është një element tepër i rëndësishëm i një sistemi drejtësie të drejtë, human dhe efiçent.

Garantimi i ndihmës juridike edhe në çështjet civile dhe administrative është një instrument i rëndësishëm për mbrotjen dhe fuqizimin e shtresave në nevojë dhe e grupeve të tjera të margjinalizuara.

Me këtë projektligj mundësohet ofrimi i ndihmës juridike falas të qytetarëve në pamundësi për të mbrojtur të drejtat e tyre si dhe në rritjen e besimit të njerëzve në sistemin e drejtësisë.

Sistemi i ri që ngre Projektligji për ndihmën juridike falas, garanton një sistem të ndihmës juridike të mirëorganizuar, të mirëadministruar dhe që ofron shërbime juridike për shtetasit në mënyrë profesionale dhe cilësore.

Ky projektligj i jep zgjidhje problemeve që qytetarët shqiptar kanë hasur deri tani me ofrimin e ndihmës juridike dhe me menaxhimin e skemës së ndihmës juridike nga Komisioni shtetëror i ndihmës juridike.

Ky projekligj i jep zgjidhje dhe pagesës së tarifave gjyqësore për grupet në nevojë ose në pamundësi financiare për të paguar, duke e konsideruar si një nga llojet e ndihmës juridike dhe përjashtimin nga tarifat gjyqësorë dhe shpenzimeve gjyqësore gjithashtu.

Nëpërmjet këtij projektligji, jo vetëm që garantohen rregulla dhe procedura të qarta për përjashtimin nga taksat gjyqësore, por është njëkohësisht edhe përjashtimin nga shpenzimet e tjera gjyqësore, si shpenzimet për aktet e ekspertimit, të cilat, në shumë raste, pamundësonin kategori të caktuara subjektesh në ushtrimin e të drejtave të tyre nëpërmjet gjykatës.

Skema e re e ofrimit të ndihmës juridike, synon të përmirësojë dhe përcaktimin e kritereve dhe mënyrës së përzgjedhjes së avokatëve nga lista për çështje të caktuara nga ana e gjyqtarëve apo prokurorëve.

Ky projektligj përmirëson ndjeshëm cilësinë e ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike të ofruar nga avokatët e listës së ndihmës juridike.

Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të ndihmës juridike në Shqipëri ka qenë disa herë edhe në vemendje të organizatave ndërkombëtare duke marrë në mëyrë të vazhdueshme rekomandime për përmirësimin e tij.

Sot, mund të themi plotësisht se rekomandimet dhe standardet ndërkombëtare gjenden të mishëruara në këtë projekligj.

Numri i ulët i përfituesve të ndihmës juridike, procedura  burokratike dhe e gjatë e aplikimit për ndihmë juridike nga ata që nuk janë përfitues të ndihmës sociale, pamundësia që qytetarët jashtë Tiranës të marrin ndihmë juridike për shkak të mungesës së klinikave ligjore vendore me këtë projektligj më në fund marrin zgjidhje.

Projektligji zgjidh një pjesë të mirë të problemeve të mësipërme si dhe krijon kushtet e përshtatshme që kategoritë në nevojë dhe që janë më të diskriminuara të përfitojnë shërbime falas.

Në këtë kategori përfshihen viktimat e veprave penale,

Fëmijët të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesit shoqëror,

Viktimat e dhunës në familje dhe  viktimat e dhunës me bazë gjinore,

Personat që përfitojnë, nga statusi i të verbërit dhe kategori të tjera të ngjashme të përcaktuara në projektligj.

Për më tej, projektligji ka lehtësuar edhe procedurën e shqyrtimit të kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore, duke vendosur gjykatat si organet kompetente që do të shqyrtojë kërkesat dhe do të japë  ofrimin e ndihmës juridike.

Në këtë mënyrë, zgjidhet një nga problemet kryesore që lidhet me vendimmarrjen dhe funksionimin e deritanishëm të ofrimit të ndihmës juridike nga Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike, si dhe duke përshpejtuar afatet e shqyrtimit të kërkesave, duke centralizuar vendimmarrjen, e cila sjell uljen e kostove dhe burokracive për qytetarët.

Projektligji ndryshon skemën e administrimit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti  duke vendosur përgjegjësi në administrimin e ndihmës, në vendimarrje dhe ofrimin e shërbimeve mbi Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Ndihmës Juridike por në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe më në fund me vendimarrjen e Gjykatave.

Kjo skemë e re administrimi garanton hartimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave të përgjithshme shtetërore në fushën e ndihmës juridike duke lejuar kështu administrimin në mënyrë të unifikuar të sistemit dhe përgjigjen në kohë të problemeve sistemike që lidhen me funksionimin në tërësi të ndihmës juridike të garantuar nga shteti.

Projekligji, për herë të parë rrit mundësinë për ofrimin e ndihmës juridike parësore në çdo qytet të Shqipërisë duke lejuar kështu ofrimin e kombinuar të këtij shërbimi nëpërmjet nëpunësve me trajnim të posaçëm, organizatave jofitimprurëse dhe klinikave ligjore pranë Universiteteve.

Në këtë mënyrë garantohet ofrimi i ndihmës juridike parësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë duke e përzgjedhur mënyrën e ofrimit të këtij shërbimi në bazë të nevojave që mund të kenë komunitetet e ndryshme, garantimin e cilësisë së shërbimit si dhe raportin e përshtatshëm nëpërmjet kostos dhe cilësisë për shërbimin e ofruar.

Të nderuar qytetarë,

Ky nuk është hapi i vetëm i ndërmarrë për ofrimin e shërbimeve profesionale ndaj qytetarëve, për rritjen e aksesit në drejtësi, por është një ndër kornizat ligjore kryesore në fushën e aksesit në organet e drejtësisë e cila do të mundësojë që të gjithë qytetarët të rifitojnë të drejtën e tyre duke u përfaqësuar denjësisht dhe profesionalisht në gjykatë.

Në vazhdën e objektivit të qeverisë shqiptare për të rritur llojet e shërbimeve që përfitojnë qytetarët, për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e tyre, së fundmi Ministria e Drejtësisë me mbështetjen edhe të partnerëve tanë, ka hapur zyrën e ndihmës juridike falas duke ofruar ndihmën parësore ndaj qytetarëve.

Në këtë zyrë të ndihmës juridike pranë Ministrisë së Drejtësisë, të gjithë qytetarët mund të marrin këshillim falas pa asnjë burokraci por ajo që është shumë e rëndësishme pa asnjë lloj kosto.

Shërbim i cili më pas do të përforcohet edhe me ngritjen e Drejtorisë pranë Ministrisë së Drejtësisë të përcaktuar nga ky projektligj si dhe dhe zyrat e tjera në rrethe për të ofruar ndihmën juridike.

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Deri tani, Kuvendi ka miratuar ligje të paketës së reformës në drejtësi të cilat rregullojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë, ashtu sic është edhe ky projektligj. Së bashku me ligjin për tarifat gjyqësore jo vetëm që janë në përmbushje të standarteve ndërkombëtare por edhe në respekt të të drejtave të njeriut për akses në drejtësi.

Projektligji për ndihmën juridike të garantuar nga shteti sjell ndryshime të prekshme për qytetarët menjëherë me miratimin e tij.

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë këshillim ligjor falas si dhe të mbrojnë të drejtat e tyre në gjykatë me avokatë të paguar nga shteti në mënyrën më profesionale të mundshme.

Përtej retorikës së shëmtuar politike të bërë në këtë parlament, në diskutimet e mëparshme nga kolegët e opozitës lidhur me mosreagimin e qeverisë për akuzat e shëmtuara të ngritura, dua t’ju deklaroj qytetarëve se qeveria, kryeministri dhe ministrat flasin me vepra dhe me punë dhe jo me retorika të kota dhe pa bazë në këtë parlament.

Më vjen keq që ish ministri i drejtësisë, do të duhej të fliste për ndihmën juridike, por në fakt përveçse titullin e fjalimit ndihmë juridike, në brendi nuk kishte asnjë gjë që lidhej me këtë shërbim.

Për këtë arsye, në interes të qytetarëve, të atyre që nuk kanë mundësi financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre në gjykatë, për ata që ju përkasin grupeve vulnerabël, por dhe për t’ju dhënë një mundësi të gjithë qytetarëve për të qenë të përfaqësuar denjësisht pranë organeve të drejtësisë, ju ftoj që të votoni këtë projektligj.