Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, vizitë në Qarkun e Elbasanit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 21/12/2017

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, vizitë në Qarkun e Elbasanit

Ministrja e Drejtësisë, Znj. Etilda Gjonaj zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Elbasanit ku bëri një inspektim në të gjitha institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.  Përgjatë takimeve znj. Gjonaj theksoi se shërbimi cilësor dhe i shpejtë ndaj qytetarit është jo vetëm prioritet i Ministrisë së Drejtësisë por edhe i saji personalisht.

Ministrja Gjonaj tha se të gjitha organet ligjzbatuese në varësi të Ministrisë së Drejtësisë janë në monitorim të vazhdueshëm për të parë se si po ofrohen shërbimet ndaj qytetarëve. Këtu përfshihen, ZVRPP, ALUIZNI, Shërbimi i Provës apo zyrat e Shërbimit Përmbarimor.

Ministrja Gjonaj u ndal sot edhe në Institucionin e Paraburgimit në Elbasan. Gjatë vizitës, Ministrja e Drejtësisë u shoqërua nga deputetët e Qarkut Elbasan, përfshirë  kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  z. Taulant Balla, znj. Evis Kushi, z. Arben Kamami si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Arben Çuko. Biseda u ndal në reformën që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë në sistemin penitenciar, në procesin e rekrutimit të drejtuesve të IEVP-ve, rekrutimit të stafeve të policisë në burgje, dhe Vetting-ut, të cilit do t’i nënshtrohen punonjësit në të gjitha nivelet.

Përgjatë vizitës në Institucionin e Paraburgimit të Elbasanit, Ministrja Gjonaj takoi familjarë të të paraburgosurve, ku pasi dëgjoi shqetësimet e tyre lidhur me zvarritjen e çështjeve gjyqësore, garantoi ndjekjen hap pas hapi të problemeve të referuara.

Një aktivitet me rëndësi të veçantë u zhvillua me pedagogë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, të cilët ishin shumë të interesuar për çështjet e reformës në drejtësi. Ministrja tha se duke qenë një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë, ky bashkëbisedim përbënte një mënyrë shumë të mirë për të prekur të gjitha çështjet që lidhen me zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin aktual në të cilin ndodhet kjo reformë.

Vizita e Ministres Gjonaj u përmbyll me pjesëmarrjen në një aktivitet festiv me gratë e qytetit të Elbasanit.