Dhuna në familje, fjala e Ministres Gjonaj në Kuvend - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/12/2017

Dhuna në familje, fjala e Ministres Gjonaj në Kuvend

I nderuar zoti Kryetar!

Te nderuar deputetë!

Meriton përshëndetje të veçantë kjo seancë plenare e dedikuar për adresimin e dhunës në familje nëpërmjet miratimit të kësaj projektrezolute.

Dhuna në familje, si një fenomen i kahershëm për shoqërinë shqiptare në të gjitha nivelet e saj, vazhdon të mbetet ende shqetësues në vendin tonë.

Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në miratimin e ligjeve përkatëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, akteve nënligjore dhe mekanizmave referues, me qëllim, izolimin dhe minimizimin e rasteve të dhunës në familje.

Mbështetja e gruas është një ndër prioritet e qeverisë. Politikat e ndërmarra në vite nën drejtimin e qeverisë socialiste flasin qartë për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, aktivizim të fuqishëm të rolit të saj, duke e përfshirë në vendimmarrje dhe duke e bërë faktorë kyç për zhvillimin e vendit.

Për herë të parë në Shqipëri kemi përfaqësim të barabartë gra-burra në kabinetin qeveritar.

Për herë të parë jemi një vend që udhëheqim përmes shembullit në Europë, duke pasur 50% gra dhe 50% burra në çdo këshill bashkiak.

Për herë të parë në Shqipëri, gratë përbëjnë 35% të numrave në Kuvend dhe 45% të administratës publike.

Arritjet në kuadër të fuqizimit të gruas në politikë dhe vendimarrje janë të prekshme tashmë.

Edhe pse progresi është i dukshëm, sërish ka akoma për të bërë. Lufta kundër dhunës në familje si dhe çdo formë e saj, është një sfidë e cila ka nevojë për përgjigje dhe mbështetje ndërinstitucionale dhe të mirëkoordinuar ndërmjet të tre pushteteve.

Kërkohet një ndërgjegjësim shoqëror dhe kulturor, bashkëveprim i forcave policore, personelit mjekësor dhe personelit të shërbimeve sociale për trajtimin e viktimave të dhunës.

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me ministritë që trajtojnë, në aspekte të ndryshme plagën e dhunës në familje, si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale dhe Ministria e Brendshme, kanë tashmë të konkretizuar marrëveshjen e tyre të bashkëpunimit për t’u ardhur në ndihmë viktimave të dhunës në familje.

Që prej datës 25 nëntor të 2017, pranë Ministrisë së Drejtësisë ka hapur dyert, Zyra e Koordinimit kundër Dhunës në Familje.

Një premtim i dhënë në 100 ditët e para të qeverisjes që ne e bëmë realitet.

Zyra e Koordinimit kundër dhunës në familje vjen si iniciativë e përbashkët midis Ministrisë së Brendshme, të Drejtësisë dhe të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me qëllim bërjen publike të prioritetit të Qeverisë në luftën kundër dhunës në familje.

Kjo zyrë do të jetë referuesi kryesor i rasteve dhe problemeve të dhunës në familje me qëllim dhënien e zgjidhjes në nivel legjislativ të çështjes.

Është një nismë që përmes këshillimit ligjor falas dhe adresimit të mirë të çështjeve të dhunës në familje, synon të parandalojë dhunën në familje, të mbrojë viktimat e dhunës si dhe të adresojë në mënyrë të shteruar rastet e dhunës në familje.

Mbështetja e partnerëve ndërkombëtar dhe e organizatave vendase të cilat janë të angazhuara në këtë fushë do të konkretizohet çdo 3-mujor në organizimin e tryezave të përbashkëta dhe hartimin e politikave për sheshimin e këtij fenomeni.

Tё gjithë kёta elementë, kuptueshëm nuk mund të eleminojnё nё mёnyrё tё menjёhershme dhunën nё familje, por do tё shёrbejnё si mekanizma referues shumё tё mirё, pёr tё parandaluar dhe për të ofruar ndihmën në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe trajtimin e rasteve sipas fushave të përgjegjësisë së Ministrive.

Të gjithë anëtarët e komunitetit, përfshirë këtu individët, organizatat dhe institucionet e ndryshme, politikëbërësit dhe sistemi ligjor duhet të jenë të bashkuar në përpjekjet e tyre për të siguruar një fund të përhershëm të çdo dhune me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën dhe abuzimin ndaj grave dhe fëmijëve.

Ky mision na vendos të gjithë së bashku përballë sfidave të reja në zgjidhjen e këtij fenomeni, për të ndërmarrë hapa konkretë në koordinimin e nismave që lidhen me përmirësimin e legjislacionit dhe sidomos të atij si pjesë e reformës në drejtësi, për ta sjellë legjislacionin në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe rajonale si Konventa e Eleminimit të të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave dhe Konventa e Stambollit.

Qeveria duke vlerësuar maksimalisht fenomenin e dhunës në familje, e ka referuar si objektiv në programin qeverisës të saj 2017–2021, nëpërmjet programeve, iniciativave dhe strategjive për adresimin më të mirë të rasteve të dhunës në familje.

Jemi të vetëdijshëm se vetëm pushteti ekzekutiv, pa u ndërthurur dhe koordinuar me nismat dhe përgjegjësitë që duhet të ndërmerren nga pushtetet e tjera nuk mund ta luftojë dhunën në familje. Duhet një bashkëkoordinim mes tre pushteteve ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor për rritjen e efekshmërisë së mekanizmave ligjorë për parandalimin e këtij fenomeni dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Prandaj kjo projektrezolutë adreson në mënyrë tërësore angazhimin e një shteti në luftën kundër dhunës në familje.

Ministria e Drejtësisë, ka vendosur si objektiva të veprimtarisë së saj gjatë këtij 4 vjeçari, ndërmarrjen e iniciativa për të;

1. përmirësuar kuadrin ligjor, atë penal dhe procedurial penal, por jo vetëm, për rastet e dhunës në familje;

2. menaxhuar dhe mbikëqyrur shërbimet e ndihmës ligjore falas për viktimat e dhunës në familje duke u garantuar të drejtën për ndihmë juridike të plotë nga shteti;

3.         nxitur institucionet arsimore për fuqizimin e kapaciteteve te gjyqtarëve dhe prokurorëve për zbatimin e legjislacionit në fushën penale dhe atë administrative në përputhje me Konventën e Stambollit dhe rekomandimet e Konventës së Eleminimit të të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave;

4. mbledhur dhe konsoliduar të dhënat e rasteve të urdhrave mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes dhe të bëjë përcjelljen e ndërsjelltë të informacionit me strukturat e policisë së shtetit;

5. mbikqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me rastet e zgjidhjes së martesës nga zyrat e përmbarimit.

6. adresuar çështjet e dhunës në familje nëpërmjet shërbimit mjeko-ligjor, përmbarimit dhe ndihmës juridike.

Ministria e Drejtësisë në mënyrë të vazhdueshme ka bërë evidente rekomandimet drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me hetime të shpejta, efektive dhe ashpërsime të politikës penale për veprat penale me natyrë gjinore dhe diskriminuese, duke patur në vëmëndje të veçantë rastet e dhunës në familje, si dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve të ngarkuar me hetimin e veprave penale me subjekt të procedimit penal të miturit, viktimat e dhunës në familje dhe atyre të trafikimit;

Dhuna në familje duhet të marrë përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga ligji dhe organet ligjzbatuese.

Ndër vite ka rezultuar se sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të zbatojë në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore të Kodit Penal për dënimin e dhunuesve, lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje.

Do duhet që në këtë iniciativë të përbashkët nëpërmjet miratimit të kësaj projektrezolute, organet e pushtetit gjyqësor dhe ato të prokurorisë të trajtojnë me seriozitet, efikasistet dhe me shpejtësi maksimale proceset hetimore dhe gjyqësore që lidhen me çështjet e dhunës në familje, për ti dhënë zgjidhje reale mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje si dhe zbatim rigoroz të dispozitave të kodit penal për dënimin e dhunuesve.

Do duhet gjithashtu që në vëmëndje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me ngritjen e tij, të vlerësohen me seriozitet shkeljet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Do të duhet të kemi qëndrim unanim lidhur me përjashtimin nga amnistia të autorëve të veprave penale të dhunës në familje.

Ministria e Drejtësisë do të realizojë me qëllim parandalimin e dhunës kundër gruas dhe dhunës në familje, mbledhjen e të dhënave për urdhrat e mbrojtjes, të lëshuara nga dhoma civile e gjykatave, dhe publikimin e tyre në Vjetarin Statistikor të Ministrisë së Drejtësisë. Publikimi i numrit të mbledhur, me gjininë, moshën dhe marrëdhënien e të gjitha palëve të përfshira në dhunën në familje, do të na sigurojë  një klasifikim sa më të saktë për personat e prekur nga dhuna në familje, përfshirë edhe numrin statistikor të tyre.

Me miratimin e ri të ligjit të ndihmës juridike, dhe me ngritjen e strukturave përkatëse pranë Ministrisë së Drejtësisë, do të arrijmë të krijojmë dhe financojmë në mënyrën e duhur një sistem efektiv të ndihmës juridike për viktimat e dhunës në familje.

Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë ka qënë një vlerë e shtuar në të gjithë veprimet e kryera deri tani, të cilat do të vazhdojnë të forcohen për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen në shoqërinë tonë.

Në shprehje të një falenderimi të veçantë për të gjithë deputetët të cilët ndërmorrën këtë nismë të përbashkët e cila përkon dhe me një nga prioritet e qeverisë, shpreh bindjen time, se miratimi i kësaj projektrezolute na bashkon për adresimin në kohë, me zgjidhje dhe iniciativa të qarta ligjore, në luftën  kundër dhunës në familje.

Më lejoni t’ju garantoj se angazhimi im personal si nënë, si grua, dhe si Ministre do të jetë maksimale në këtë luftë e cila na përket të gjithëve.

Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë përpara me nismat tona të përbashkëta për të adresuar më së miri rastet e dhunës në familje.

Une besoj fort që familja është bërthama e formimit  të njeriut dhe familje të shendosha sot përkthehen në qytetar të denjë për ti shërbyer vendit nesër në mënyrë që të ndërtojmë të gjithë bashkë Shqipërinë që duam.