Ambasadori Britanik përfundon mandatin, takim kortezie me Ministrin Manjani - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/06/2016

Ambasadori Britanik përfundon mandatin, takim kortezie me Ministrin Manjani

Në përfundimin e mandatit të tij si Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, z. Nicholas Cannon është pritur në një takim kortezie nga Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani.

Ministri Manjani shprehu mirënjohjen për të gjithë ndihmën dhe asistencën e Qeverisë Britanike, ndërsa vlerësoi edhe rolin mjaft aktiv të z. Cannon në procese me mjaft interes për vendin tonë, përfshirë edhe kontributin e tij në nismat reformuese për sistemin e drejtësisë.

Z. Manjani e ka falenderuar Ambasadorin Cannon veçanërisht për asistencën e dhënë në drejtim të zhvillimit të sistemit penitenciar, në përafrimin e tij me të tjera sisteme të standardizuara që synojnë avancim në respektimin e të drejtave të njeriut.

Ambasadori Cannon ka vlerësuar bashkëpunimin disavjeçar si dhe është shprehur mjaft pozitiv për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.