Ministri Manjani në Komisionin e Sigurisë, shqyrtohen ndryshimet për armëmbajtjen pa leje - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/07/2016

Ministri Manjani në Komisionin e Sigurisë, shqyrtohen ndryshimet për armëmbajtjen pa leje

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, gjatë të cilës u shqyrtuan ndryshimet e propozuara në Kodit Penal për dispozitën e Armëmbajtjes pa Leje.

Gjatë fjalës së tij, z. Manjani bëri prezent shqetësimin lidhur me problematikën e krijuar si pasojë e ndryshimeve të shumta në këtë kod, duke ndikuar deri në humbjen e logjikës së proporcionalitetit të tij.

“Aq shumë është ndryshuar kodi penal sa po ta marrësh në logjikën e së tërës do të fillojmë të kuptojmë se ai ka shumë gropa, ka shumë mungesë konsistence dhe në momente të veçanta ka humbur edhe logjikën e proporcionalitetit. Me këtë dua të them që politika e dënimit në një shtet normal duhet të shkojë proporcionalisht me interesin publik, për të vendosur rendin publik dhe për të ndëshkuar krimin. Dhe në qoftë se logjika e proporcionalitetit humbet, sigurisht që edhe suksesi në betejën kundër krimit vihet shumë në diskutim. Këtë gjë e ka thënë pikë për pikë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj më të fundit kur është shprehur për Kodin Penal, në mënyrë të veçantë për armëmbajtjen pa leje. Pra, nuk duhet të hiqet dorë nga logjika proporcionale, sepse nëse heqim dorë prej saj kalojmë në një ekstremitet që ose do të stimulojë praktika korrupsioni ose kulturën e pandëshkueshmërisë. Kështu që Gjykata Kushtetuese na dha një mundësi që t’i kthehemi logjikës proporcionale”, u shpreh z. Manjani

Sipas Ministrit Manjani armëmbajtja pa leje në Shqipëri ka qenë një çështje tipike, ku u arrit në një absurditet në kodin që kishim para shfuqizimit nga gjykata Kushtetuese.

“Për armëmbajtjen pa leje dënohesh njësoj si për terrorizëm dhe sigurisht që kjo humbet logjikën drejt politkës së suksesshme penale. Nga e gjithë situata, duke marrë në shqyrtim me shumë kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, erdhëm në konkluzionin që ta kthejmë në logjikën normale dhe sipas parimit të proporcionalitetit të gjithë politikën penale në raport me armëmbajtjen pa leje. Në çastin që flasim është ende e parregulluar në Kodin Penal, pra ka një vakum për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka shfyqizuar nenin, paragrafin që të ndëshkon për armëmbajtje pa leje, pra sot mund të dënohesh për municionin që ka arma, por jo për armën. Pra ka një absurditet ky vakum dhe ne duhet ta kalojmë me emergjencë këtë ndryshim në Kodin Penal, pikërisht në nenin 282 të cilin ne e kemi formuluar nga paragrafi i parë deri në të fundit. Kemi vendosur apo propozuar dënime të arsyeshme për këtë natyrë vepre penale, duke patur parasysh edhe rrethanat cilësuese që vijnë nga praktika gjyqësore”, u shpreh Ministri Manjani

Z. Manjani i informoi anëtarët e këtij komisioni se për ndryshimin e propozuar ka pasur një konsulencë si asnjëhërë më parë, me përfshirjen e vetë gjykatësve të trupës penale të Shqipërisë, të cilët kanë sugjeruar edhe ata formulimet e tyre.

“Ne besojmë se këtë nen e kemi formuluar siç duhet dhe është tërësisht nën frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në nevojën për të zgjidhur edhe vakumin që ka sot për këtë vepër penale”, tha Ministri Manjani