Programi i Qeverisë për Drejtësinë 2017-2021 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/09/2017

Programi i Qeverisë për Drejtësinë 2017-2021

Fjala e Ministres së Drejtësisë në seancë plenare gjatë prezantimit të Programit të Qeverisë për Drejtësinë 2017-2021

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Për një çerek shekulli, gjykatat u shndërruan në simbolin unik të padrejtësisë, të zhvatjes së pronës, të tjetërsimit të së drejtës, të vrasjes së përditshme të shpresës se ky vend mund të bëhej një vend i zakonshëm.

Për këtë arsye, në vitin 2013, premtimi për të reformuar cilësisht sistemin e drejtësisë ishte premtimi themelor i programit qeverisës.

Përmbyllja e reformës kushtetuese të miratur në korrik 2016 me konsensus unanim, si edhe asaj ligjore në lidhje me sistemin e drejtësisë brenda mandatit të parë përbën një nga arritjet historike të qeverisjes së shkuar.

Tashmë, zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi është hendeku i fundit që mbetet për të kaluar, në rrugën tonë për të ndërtuar një Shqipëri Europiane, një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të mirëqënë.

Ndaj, nëse mandati i kaluar ishte mandati i hartimit dhe i miratimit të reformës në sistemin e drejtësisë, ky mandat do të jetë mandati për jetësimin përfundimtar të reformës më të rëndësishme të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

Ne, jemi të vendosur të vazhdojmë të gjithë angazhimin tonë politik dhe qeverisës për të bërë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi në interes të qytetarit, në interes të pasjes së një sistemi drejtësie ku realisht të gjithë të ndjehen të barabartë përpara ligjit.

Kjo, jo vetëm në realizimin e të gjitha përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, por edhe angazhimin në mandatin e ri qeverisës në përgjegjësitë financiare dhe ato infrastrukturore nëpërmjet miratimit të buxhetit të nevojshëm për të mundësuar zbatimin e ndryshimeve të reja që sjell kjo reformë.

Ndaj, që nga dita e nesërme, fokusi ynë do të jetë ofrimi i të gjithë mbështetjes së nevojshme financiare dhe infrastrukturore të organeve të vettingut për realizimin me sukses të procesit historik të vetingut, e cila më pas do ti hapi rrugën ngritjes së institucioneve të reja.

Të njëjtin angazhim dhe mbështetje shprehim dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të gjyqësorit dhe të prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi.

Pa dyshim, për të gjithë ne, do të jetë një sfidë e veçantë, krijimi i një kulture të re bashkëpunimi me institucionet e reja të drejtësisë.

Por, kjo është një sfidë që të gjithë së bashku duhet të fitojmë, në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve dhe me frymën e një bashkëpunimi gjithpërfshirës midis politikës.

Në mënyrë unikale, plot 99% e qytetarëve deklarojnë se vetingu është përparësi numër një për vendin, ndaj detyra jonë në aulën e këtij Parlamenti është që të përkrahim këtë reformë njëzëri, pa asnjë dallim midis bindjeve tona politike apo bindjeve të çfarëdo natyre tjetër.

Të nderuar Zonja dhe zotërinj deputetë,

Zbatimi i reformës në drejtësi është vetëm një prej prioriteteve të qeverisë sonë.

Në këtë mandat të ri qeverisës, do të nisim një proces gjithëpërfshirës për konsolidimin e reformimit të kodeve të të drejtës materiale dhe procedurale, me qëllim përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit integrues të Shqipërisë.

Ky proces, në ndjekje edhe të modelit të suksesshëm të Reformës në Drejtësi, do të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës, transparent, profesional dhe në pajtueshmëri të plotë me standartet ndërkombëtare, e në konsultim me të gjithë aktorët dhe me profesionistë të fushës.

Duke mbajtur në konsideratë rëndësinë që ka ky proces reformues, ftojmë opozitën të jetë pjesë e saj për ta ndërtuar dhe realizuar së bashku atë.

Në këtë mandat, synojmë të reformojmë sistemin e hartimit të legjislacionit dhe kodifikimit me qëllim rritjen e cilësisë së ligjeve dhe akteve nënligjore duke përmirësuar kapacitetet njerëzore dhe profesionale.

Reformimi i shërbimeve publike, rritja e efikasitetit të tyre, është një prej zotimeve kryesore të programit tonë qeverisës.

Ndaj, Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë një reformë të detajuar dhe gjithpërfshirëse, për reformimin e të gjithë shërbimeve publike që lidhen me dreejtësinë, duke përfshirë institucionet ligjzbatuese por edhe profesionet e lira.

Në këtë mandat 4 vjeçar, synojmë të ndërmarrim masa konkrete për një reformim legjislativ, institucional dhe strukturor për të gjithë ato institucione ligj zbatuese që mundësojnë që shqiptarët të marrin shërbime ligjore në kohë, sa më cilësore, profesionale dhe në mënyrë dinjitoze.

Do të punojmë për ndërtimin e një shërbimi përmbarimor efikas, të shpejtë dhe që të mbajë parasysh të drejtën e të gjitha palëve të përfshira.

Duke bërë këtë, do t’i japim fund një herë e përgjithmonë “gangrenës” së mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Do të ndërtojmë një shërbim noterie sa më të besueshëm, profesional dhe të standartizuar.

Shërbimi i noterisë duhet të kthehet në një shërbim dinjitoz, i ushtruar nga njerëz me aftësi profesionale dhe integritet. Në këtë kuadër do të forcohen kushtet dhe kriteret profesionale për personat që do të ushtrojnë këtë shërbim të rëndësishëm publik.

Do të përmirësojmë statusin e avokatëve. Procesi i vendosjes në vend të dinjitetit të avokatit, do të shkojë paralelisht me ndëshkimin e ashpër të atyre që përdorin licensën e avokatit për të ushtruar detyrën e sekserit apo për të nxjerrë përfitime korruptive nga detyra e tyre.

Do të perfeksionojmë një sistem të ri eficent dhe cilësor të ofrimit të ndihmës juridike falas që çdo qytetar në pamundësi financiare dhe grupet në nevojë, të përfitojnë nga ky shërbim në mënyrë cilësore.

Nëpërmjet reformimit të shërbimeve ligjore, do të inkurajojmë përdorimin e zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve, me qëllim uljen e kostove financiare dhe kohës së gjykimit me anë të një shërbimi ndërmjetësimi cilësor dhe profesional.

Sistemi penitenciar paraqet nje shqetësim serioz në kushtet aktuale. Institucionet e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit kanë probleme të theksuara mbipopullimi dhe mungesë standardesh në respektim të të drejtave themelore të të burgosurve. Shqetësim përbën dhe profesionalizmi dhe integriteti i stafit të burgjeve, si ai policor dhe civil.

Për këtë arsye, reformimi i sistemit penitenciar në tërësi dhe menaxhimi efektiv i intitucioneve të vuajtjes së dënimit është një sfidë prioritare e kësaj qeverie për të ngritur mekanizma profesionale për rekrutimin e stafit në bazë të meritës dhe me njerëz me integritet, si dhe institucionalizmi për formimin fillestar dhe vazhdues të tyre.

Funksionimi i shërbimit të provës për monitorimin e zbatimit të dënimeve alternative me një staf profesional dhe me integritet, do të jetë gjithashtu një prioritet i ynë në këto 4 vjet.

Një reformim rrënjësor do të pësojnë edhe institucionet ligjzbatuese të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të trajtimit të pronave me qëllim që qytetarit t’i ofrohet një shërbim cilësor, profesional, me integritet dhe i shpejtë.

Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, pasi ky do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë por edhe i imi njëkohësisht, është bashkëqeverisja me qytetarët dhe për qytetarët. Kjo, me qëllim që qytetari te ketë derën e hapur për t’u ankuar ndaj shërbimeve jo cilësore, për të përfituar këshillim ligjor dhe adresim në kohë të shpejtë dhe sa më profesionale të problemeve të tyre.

Gjatë katër viteve të ardhshme, Ministria e Drejtësisë do të punojë aktivisht, për të ndikuar në përmirësimin e atyre ligjeve që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve.

Do të jemi në ballë të luftës për barazinë gjinore, për ndalimin e shfrytëzimit të fëmijëve, në luftën kundër dhunës në familje, në luftën për më shumë të drejta dhe barazi për shtresat e margjinalizuara, etj me radhë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Jam e ndërgjegjshme, që i gjithë ky proces është një sfidë e madhe për mua si Ministre e Drejtësisë, por, me besim që me gjithë mbështetjen e deputetëve, jo vetëm të maxhorancës por edhe të opozitës, me bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë, aktorët e sistemit e mbi të gjitha me qytetarët, do të mund të bëjmë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi dhe të gjitha reformave të tjera që na presin.

Drejtësia nuk është një çështje individi apo një kauzë personale për mua si Ministre e Drejtësisë, por një borxh që jua kemi fëmijeve tanë, një detyrim që kemi të gjithë për ndërtimin e Shqipërisë Europiane.

Ju faleminderit!