Shpallje të vendeve vakante për pozicionin ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës, të paragrafit 2, të nenit 7 të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar dhe të pikës 3 të nenit 6/4 të ligjit nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, të Urdhrit nr. 1510,  datë 25.02.2015, të Ministrit të Drejtësisë “Për kriteret dhe procedurat e organizimit të testimit për pozicionin e ndihmësit ligjor në gjykatat administrative”, Ministria e Drejtësisë, për shkak të vendeve vakante të krijuara pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, shpall konkursin e hapur për pozicionin: NDIHMËS LIGJOR – 2 (DY) VENDE.

I. Për pozicionin Ndihmës ligjor, kandidati duhet të përmbushë kushtet, si më poshtë vijon:

  • të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  • të jetë diplomuar si “Jurist”, sipas legjislacionit për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë në një nga fakultetet e drejtësisë, publike apo jopublike, të akredituara, brenda ose jashtë vendit;
  • të ketë përvojë profesionale si jurist në organet e sistemit të drejtësisë, në funksione publike në administratën e Kuvendit, administratën e institucionit të Presidentit, aparatin e Këshillit të Ministrave, ministri dhe institucione qendrore të pavarura, në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, në Prokurori, si avokat apo si personel akademik i Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, si më poshtë:

(i) mbi 5 vjet përvojë pune për pozicionin e ndihmësit ligjor në gjykatën e shkallës së parë;

(ii) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

(iii) të mos jetë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

(iv) të zotërojë të paktën një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian.

II. Përjashtohen nga procedura e konkurrimit kandidati për ndihmës ligjorë, i cili:

  • të ketë përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës;
  • të ketë punuar si gjyqtar dhe nuk është larguar nga sistemi për shkak të ndonjë mase disiplinore;
  • të ketë punuar si këshilltar të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me përvojë pune në këto pozicione jo më pak se 5 vjet.

III. Dokumentet që duhet të paraqet kandidati:

  • Kërkesë;
  • Kopje të kartës së identitetit;
  • Raport Mjekësor;
  • Diploma dhe lista e notave (të noterizuara);
  • Libreza e punës (e noterizuar);
  • Curiculum Vitae (CV);
  • Formulari i vetëdeklarimit, vërtetim nga prokuroria dhe gjykata që nuk është në ndjekje penale apo proces gjyqësor;
  • Kopje të kualifikimeve dhe specializimeve;
  • Referencë/Vlerësim pune;
  •  Çertifikatë e gjuhës së huaj.

Të gjithë të interesuarit, të cilët do të aplikojnë për pozicionet vakante, duhet të depozitojnë dokumentet përkatëse, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, brenda datës 23.04.2016.