Ministri i Drejtësisë ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/11/2013

Ministri i Drejtësisë ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Aleksandër Arvizu.

 

Ambasadori Arvizu e ka uruar Ministrin Naço për detyrën e re dhe e ka vlerësuar këtë takim si mjaft të rëndësishëm ndërsa ka konfirmuar vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Gjatë takimit Z. Naço dhe Ambasadori Arvizu kanë biseduar rreth çështjeve prioritare të sistemit të drejtësisë, për sfidat kryesore, problematikat aktuale dhe vizionin e të ardhmes për të rikthyer besimin e plotë të qytetarëve në të gjitha hallkat e këtij sistemi.

Ministri Naço e ka falenderuar Ambasadorin Arvizu për vizitën dhe vëmendjen e veçantë që ai i kushton të gjitha zhvillimeve të rëndësishme në vendin tonë ndërsa ka veçuar mbështetjen e çmuar përmes ndihmës së dhënë në fushën e drejtësisë përmes asistencës së misionit “OPDAT” duke e konsideruar të nevojshme vijim e kësaj asistence.

Ministri Naço gjatë takimit nënvizoi disa çështje me rëndësi të veçantë që do të jenë në krye të axhendës së tij si Ministër i Drejtësisë sikurse është lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Z. Naço e ka njohur Ambasadorin Arvizu me disa nga pikat kryesore ku do të fokusohet puna e tij në nisje duke vlerësuar veçanërisht ato nisma që bëjnë të mundur përfshirjen e qytetarëve në një rol aktiv, duke i konsideruar ata si partner të rëndësishëm dhe duke synuar rikthimin e besimit të tyre te drejtësia.

Ndër të tjera, Ambasadori Arvizu u shpreh i kënaqur me Progres Raportin e Komisionit Evropian ku evidentohet se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm dhe theksoi se duhet të vijojë puna për arritjen e objektivit të vendit kandidat.

Ambasadori Arvizu vlerësoi rëndësinë e një konsensusi politik i cili do të çonte përpara reformat duke garantuar integrimin e sigurtë të Shqipërisë.