Këshilli i Ministrave miraton disa vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me masa konkrete në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat u bënë të ditura përmes një deklarate për shtyp nga Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/11/2013

Këshilli i Ministrave miraton disa vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me masa konkrete në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat u bënë të ditura përmes një deklarate për shtyp nga Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço.

Gjatë mbledhjes së tij të fundit, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me masa konkrete në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat u bënë të ditura përmes një deklarate për shtyp nga Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço.
Z. Naço bëri me dije se ndryshimet që do të bëhen në kuadrin ligjor do t’i hapin rrugë Prokurorisë që nga java që vjen, të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.

Më poshtë deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Z. Nasip Naço:

“Qeveria shqiptare ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme lidhur me strategjinë dhe luftën antikorrupsion që pjesë-pjesë, ne do ta zbatojmë deri në fund.
Një nga ndryshimet thelbësore që ne kemi paraqitur dhe shumë shpejt do kalojnë në parlament, janë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që kanë të bëjnë me imunitetet e deputetëve,  të gjyqtarëve,  të cilat u bënë ndryshime në Kushtetutë, por nuk u shoqëruan me Kodin e Procedurës Penale. Përmirësimet që bëhen janë të ndjeshme për t’i hapur rrugë Prokurorisë, e cila që nga java që vjen të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.
Ndryshimet e tjera konsistojnë dhe tek kompetenca lëndore që i shtohen Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda për rastet e korrupsionit. Pra, ne e konsiderojmë korrupsionin një fenomen të rëndë që do të hetohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda për t’u thënë të gjithëve që e barazojmë njëlloj me organizatat kriminale, me bandat, sepse ky është një nga fenomenet më të përhapura në Shqipëri dhe ne duhet të jemi të denjë për t’u integruar.
Ndryshimet do të shkojnë akoma më tej.
Ne sigurisht duam që të dekurajojmë korrupsionin dhe për këtë kemi propozuar edhe në ligjin tjetër për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, veprat penale të korrupsionit të futen në fushën e zbatimit; që do të thotë që duam ta luftojmë në zemër korrupsionin, duke vendosur sekuestro dhe konfiskim të pasurisë të të gjithë atyre që kanë një akuzë për korrupsion, apo u provohet korrupsioni.
Ne jemi të bindur që me masat e marra do ta luftojmë realisht korrupsionin. Kjo, sepse ne kemi premtuar. Shqiptarët presin. Të gjithë kanë shpresë tek kjo maxhorancë që ka marrë mbështetjen dhe është votuar nga 1 milion shqiptarë.

Faleminderit!