Ministri Naço: Rritje në nivel maksimal sigurisë në të gjitha burgjet. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/11/2013

Ministri Naço: Rritje në nivel maksimal sigurisë në të gjitha burgjet.

Rreth orës 18.55 minuta, te datës 23.11.2013, ne Institucionin e Ekzekutimit te Vendimeve Penale- ne Drenove te qytetit te Korces janë arratisur te dënuarit:

Admir Bahri Tafili- burgim i perjetshem

Fran Pal Marashi- burgim i perjetshem

Gëzim Gjergj Guri- burgim i perjetshem

Gëzim Ndue Toma- 12 vjet heqje lirie

Reiz Namik Haxhiraj-13 vjet e 8 muaj heqje lirie

Eduard Kujtim Lula- 25 vjet heqje lirie

Artur Gora – burgim i përjetshëm

Nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se në orën 18.33 minuta personat e mësipërm, kanë qenë duke kryer veprime në klasën e të dënuarve, në seksionin e sigurisë së lartë.

Në momentin që kanë hyrë në klasë, këta persona, kanë qenë të armatosur me dy automatik dhe dy pistoleta.

Duke përfituar nga shkelja e skemës së sigurisë, së punonjësve të policisë, përgjegjës për garantimin e saj, pasi kanë marrë peng punonjësit e policisë kanë mundur të arratisen nga ky institucion.

Pasi kanë dalë nga zona e sigurisë (regjimi i brendshëm), nën kërcënimin e armëve, kanë prerë rrjetën e rrethimit të jashtëm dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, jashtë burgut, kanë mundur të largohen.

Nga hetimet e deritanishme të kësaj ngjarje ka rezultuar se, personat e mësipërm kanë planifikuar arratisjen nga ky burg, disa muaj më parë. Në funksion të realizimit të këtij plani, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë bërë të mundur, që në këto ambiente, të futen sende të kundraligjshme, të cilat janë përdorur për të kërcënuar punonjësit e shërbimit gjatë arratisjes së tyre.

Pas marrjes së njoftimit për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria e Rrethit Korçë ka filluar hetimet për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje.

Ndërkohë është krijuar një grup pune, me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë, të cilët po analizojnë me imtësi ngjarjen e ndodhur, për të evidentuar shkaqet dhe personat përgjegjës, si dhe marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Është vendosur arrestimi në flagrancë i të gjithë punonjësve të shërbimit të turnit kur ka ndodhur ngjarja, në burgun e Drenovës, te cilët me mosveprimet e tyre kanë lejuar arratisjen e këtyre personave, të dënuar për vepra të rënda penale.

Kjo ngjarje evidentoi se sistemi i sigurisë dhe informacionit, nuk ka funksionuar, çka sjell si domosdoshmëri reformimin tërësor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, si shërbimi përgjegjës që garanton marrjen dhe transmetimin e informacionit në kohën e duhur.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë, ka shkarkuar në mënyrë të menjëhershme Drejtorin e Burgut Drenovë, Genc Postoli, si dhe ka urdhëruar rritjen e nivelit të gadishmërisë, në të gjitha burgjet, me shërbime të përforcuara, për të garantuar sigurinë maksimale dhe rendin në këto institucione.

Gjithashtu, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të punonjësve të nivelit të lartë të shërbimit të kontrollit të brendshëm, për mungesë profesionalizmi dhe përkushtimi, të cilët me mosveprimet e tyre kanë krijuar terren e mundësi për ngjarje të rënda, si ajo e ditës së djeshme.

Ngjarja e ditës së djeshme tregoi që sistemi i sigurisë në burgje është një sistem i kalbur, joprofesional, i ndërtuar mbi bazën e emërimeve politike, klienteliste dhe korruptive.

Në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve në sistemin penitenciar, eliminimin e korrupsionit, është e nevojshme të reformohet ky sistem. Është përgatitur paketa ligjore me ndryshimet në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe ndryshime ligjore në ligjin “Për Policinë e Burgjeve” që shumë shpejt do të kalojnë në parlament.

Jemi të vendosur për të reformuar plotësisht këtë sistem duke garantuar në radhë të parë të gjitha të drejtat e liritë themelore, të të dënuarve, që vuajnë dënimet në burgjet tona, e gërshetuar kjo me marrjen e masave të gjithanshme për të rritur në nivel maksimal sigurinë në të gjitha burgjet, të çfarëdo niveli qofshin ato.

Jemi të vendosur që të vëmë para ligjit çdo punonjës të çfarëdo niveli qoftë ai, nga polici më i thjeshtë deri te drejtuesit më të lartë të këtij Institucioni, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre krijojnë terren e mundësi për ngjarje si ajo e ditës së djeshme.

Jemi të vendosur dhe nuk do të tolerojmë asnjë rast të shkeljes së rregullave të shërbimit të rojës, nga gjithë personeli i burgjeve, të cilët bëjnë të mundur futjen e sendeve të kundraligjshme në burgjet tona, duke rritur e forcuar në këtë mënyrë kontrollet, për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata punonjës, të cilët të nisur nga veprimet thellësisht korruptive, bashkëpunojnë me elementë kriminiale dhe sjellin këto pasoja që cënojnë dukshëm rendin dhe sigurinë publike.