Ministri Naço prezanton krijimin e Grupit Këshillimor të Reformës Ligjore - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/02/2014

Ministri Naço prezanton krijimin e Grupit Këshillimor të Reformës Ligjore

Fjala e Ministrit te Drejtësisë, Z. Nasip Naço

Të nderuar kolegë!

 

Konsolidimi i shtetit të së drejtës duhet të jetë i projektuar thellë në të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar drejt procesit të Integrimit Evropian.

 

Ky qëllim madhor mbetet prioritet kyç i reformave të rëndësishme në fushën e drejtësisë, të cilat nuk mund të jenë të plota dhe gjithpërshirëse pa angazhimin dhe kontributin e punës së harmonizuar ndërinstitucionale, si dhe të ekspertëve më të njohur vendas dhe ndërkombëtar të fushës.

 

Në këtë kuadër, për shkak të rëndësisë së procesit, por edhe të faktit se një pjesë e kësaj reforme kërkon ndryshime të karakterit kushtetues, ne emër te qeverise kam ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias, si dhe misionin e EURALIUS IV, për të asistuar nga afër në reformimin e sistemit të drejtësisë.

 

1.Në reformimin e gjykatës se larte.

2.Ne reformimin e gjykatës kushtetuese.

3.Te këshillit te larte te drejtësisë

4.Të prokurorisë se përgjithshme

5.Te konferencës gjyqësore

6.Te Kodit te Procedures Penale

7.Te Kodit te Procedures Civile

8.Te Kodit te Procedures Administrative etj

 

Shpreh bindjen se përmirësimi i legjislacionit në sistemin e drejtësisë, nuk mund të bëhet pa zbatimin e reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës, bazuar kjo edhe në sugjerimet dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, si edhe në bashkëpunimin me institucione të tjera shtetërore.

 

Sigurisht që tradita më e mirë e mendimit juridik vendas, kontributi dhe oponenca konstruktive është e mirëpritur në këtë proces nga te gjithe aktoret.

 

Per kete qëllim me propozimin e Ministrit te Drejtesise dhe me urdhër nr 17 datë 22.01.2014 të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, është krijuar grupi këshillimor pranë Ministrisë së Drejtësisë.

 

Në këtë kuadër, sot kam nderin të prezantoj krijimin e një grupi këshillimor elitar, i cili do të japi kontributin e tij në përgatitjen e strategjive dhe të projekt-akteve në fushën e drejtësisë dhe në reformën ligjore në përgjithësi pranë Ministrisë së Drejtësisë.

 

Për të realizuar angazhimet për një sistem drejtësie të pavarur dhe të besueshëm, të bazuar në Kushtetutë, në ligje, në liritë e të drejtat themelore të qytetarit, unë shpreh besimin në vlerat, kontributin dhe integritetin profesional dhe moral të anëtarëve të këtij grupi këshillimor, për të bashkëvepruar ngushtë edhe me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit.

 

Unë besoj që ky grup keshillimor elitar, përmes përvojës së tij të çmuar, do të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë, si gur themeli në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

 

Një rol të posaçëm ky grup keshillimor do të ketë për përafrimin e legjislacionit tonë me strukturat e standardet ndërkombëtare, në veçanti me ato të Bashkimit Evropian, si dhe prezantimin në publik të reformave legjislative në fushën e drejtësisë.

 

Veçanërisht për çështjet e drejtësisë, mbrojtjes, sigurisë etj., në realitetin ndërkombëtar ekzistojnë dhe zbatohen gjerësisht dhe praktika gjyqësore e Gjykatës së Strasburgut, normat, aktet dhe vendimet e strukturave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara etj.

 

Nisur nga vlera e veçantë profesionale dhe intelektuale e përmbushjes së këtyre detyrimeve dhe angazhimeve, me synimin për të përballuar me sukses problematikat e hasura dhe për të krijuar terrenin e nevojshëm të zhvillimit të reformës legjislative dhe gjyqësore sipas parametrave bashkëkohorë, domosdoshmëri mbetet evidentimi dhe bashkërendimi i kapaciteteve dhe kontributeve profesionale dhe juridike duke synuar ndërtimin e rregullave, mekanizmave dhe strukturave moderne të pjesëmarrjes dhe zhvillimit të procesit te brendshëm legjislativ.

 

Duke i uruar punë të mbarë kësaj elite të vyer të mendimit juridik shqiptar i falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen dhe angazhimin tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm të reformave gjithëpërfshirëse në sistemin tonë të drejtësisë.