Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar një tryeze të rrumbullakët, me qëllim prezantimin e projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë” dhe konsultimin rreth tij. Në këtë takim, ka pasur diskutime nga ekspertët e misionit SIGMA (Mbështjetje për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim) dhe ekspertët më në zë të së drejtës administrative në vendin tonë.
Kjo nismë ligjore, thelbësore për reformimin e Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, ka si synim konsolidimin e parimeve bazë të shtetit të së drejtës dhe rritjen e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe efikasitetit të Administratës Publike.
Qëllimi kryesor i projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, është t`i sigurojë administratës publike, kapacitetin ligjor për të zgjidhur paqartësitë dhe konfliktet lidhur me situatat faktike dhe ligjore në mënyrë sa më efikase, duke respektuar sundimin e së drejtës. Nga ana tjetër, ky projektligj synon t`i sigurojë qytetarit, mjetet e duhura e të nevojshme, për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e tij.
Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent, të unifikuar të procedurave administrative. Një unifikim i tillë, gjithashtu do të ulte kostot administrative, do të përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha, do të rriste efektivitetin e administratës publike. Përmbajtja e të gjitha rregullave procedurale në të njëjtin ligj, është më e përshtatshme si për nëpunësit e organeve publike ashtu dhe për qytetarët.
Projektligji është një pikënisje për një proces dinamik të unifikimit të procedurave administrative. Sa më e madhe të jetë fusha e mbulimit të këtyre procedurave nga e drejta e përgjithshme e procedurave administrative, aq më shumë të ngjarë ka që këto të drejta të njihen dhe zbatohen.
Të gjitha organet publike duhet të sigurojnë realizimin efektiv të detyrave publike në shërbim të qytetarit dhe në mbrojtje të të drejtave civile. Administrata duhet të përqendrohet tek qytetari, sepse ky është misioni i saj.
Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.