Rishikimi i Kodit të Procedurës Penale, përafrim me standardet e BE - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/03/2014

Rishikimi i Kodit të Procedurës Penale, përafrim me standardet e BE

Në kuadër të reformave të thella që ka ndërrmarrë qeveria shqiptare për rritjen e efiçencës në gjykime dhe luftën kundër korrupsionit, me qëllim rritjen e efektivitetit në sistemit e drejtësisë, nga Ministria e Drejtësisë është ndërrmarrë nisma për rishikimin e ligjit nr.7905, datë 21.03.1995, “Kodi i Procedurës Penale”, i ndryshuar.

Ky draft është produkt i mbledhjes, shqyrtimit dhe analizimit të materialeve të përcjella nga ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë të cilët kanë evidentuar çështje të caktuara për një përmirësim të mëtejshëm të dispozitave të procedurës penale.

Rishikimi i Kodit të Procedurës Penale është bërë në përputhje me Kushtetutën si dhe me qëllimin për të ndryshuar, hequr apo shtuar dispozita dhe për ta sjellë atë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe ato ndërkombëtare, me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një tjetër qëllim i projektligjit është përmirësimi i sistemit ekzistues, përcaktimi më i qartë i roleve të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë penale, siç përcaktohen në Kod, formulimi dhe strukturimi i qartë i tij, me terma ligjorë të përkufizuar saktë dhe të përdorur njëlloj gjatë të gjithë Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshimet synojnë gjithashtu:

  • Garantimin e instrumenteve proceduralë dhe kohës së përshtatshme  e të mjaftueshme që prokurorët dhe punonjësit e policisë të kryejnë hetimet e duhura, përcaktimin e afateve të hetimit paraprak duke u bazuar në parimin e zgjidhjes së çështjes brenda një kohe të arsyeshme;
  • Garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithë të dyshuarve dhe të pandehurve;
  • Standarde të qarta të të provuarit për të gjitha llojet e vendimeve gjatë fazës së hetimit paraprak dhe asaj të gjykimit;
  • Pranimin e parimit të lirisë së provave në procedurën penale;
  • Miratimin e rregullave të qarta për kërkimin dhe marrjen e provave;
  • Garantimin e mjeteve të përshtatshme për të lejuar gjyqtarët të drejtojnë gjykime efikase, të disiplinuara dhe formale;
  • Dhënien e kompetencave gjyqtarëve për të ndëshkuar avokatët, për sjellje që çojnë në zvarritjen e procesit gjyqësor;
  •  Sigurimin e rregullave dhe standardeve të qarta për të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë;
  • Përfshirja e alternativave të gjykimit të plotë që reduktojnë praktikisht ngarkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që mbrohen të drejtat e të pandehurve;
  • Rishikimi i dispozitave aktuale për gjykimin e shkurtuar;
  • Parashikimi i procedurave të reja për mbajtjen e procesverbaleve gjyqësore dhe transkriptimeve të cilat tashmë realizohen me teknika të reja audio dhe video.
  • Risi në Kodin e procedurës penale është dhe përfshirja në të e një kreu “Marrëveshjet mes Prokurorit dhe të Pandehurit” , i cili parashikon rregulla për marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve për pranimin e fajësisë dhe për dëshminë e të pandehurit. Kështu, përveç zgjidhjes gjyqësore të çështjes u jepet mundësia palëve të zgjidhin çështjen me marrëveshje në çdo fazë të procedimit penal. Kjo është një risi pasi është një zgjidhje alternative e cila ndihmon në zvogëlimin e çështjeve penale që çohen për gjykim, shpenzimet e hetimit dhe shkurtim afatesh për shqyrtimin e çështjeve.

Gjithashtu, drafti përmban dhe ndryshime të natyrës teknike, në drejtim të qartësimit të Kodit dhe përmirësimit të zbatueshmërisë së tij.

Ministria e Drejtësisë fton këdo të përcjellë komente mbi projektin me shkrim, ose në rrugë elektronike në adresën Edlira.Jorgaqi@drejtesia.gov.al (Drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit) me qëllim dhënien e kontributit për përmirësimin e projektit.

Faleminderit!