Ministri Naço merr pjese ne analizen vjetore te Gjykates se Rrethit Tirane - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/03/2014

Ministri Naço merr pjese ne analizen vjetore te Gjykates se Rrethit Tirane

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ishte i pranishëm sot në analizën vjetore të punës së Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Z. Naço ka sjellë edhe njëhërë në vemëndje evidentimiet që ka bërër Progres Raporti i Komisionit Evropian të vitit 2013, mbi sistemin gjyqësor, ku citohet ndër të tjera, se: “Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar dhe se Shqipëria duhet të përditësojë strategjinë e reformës së saj gjyqësore, të promovojë më tej pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të saj gjyqësore”.

Gjatë fjalës së tij Ministri Naço theksoi se në kuadër të reformave për rritjen e efiçencës në gjykime, luftën kundër korrupsionit me qëllim rritjen e efektivitetit në sistemit e drejtësisë, është dërguar për mendim “Kodi i Procedurës Penale”, i ndryshuar, ku janë prezantuar risitë dhe është bërë ftesë e hapur për të gjithë aktorët e sistemit për të dhënë kontributin e tyre.

Ndërsa e konsideroi këtë gjykatë si Gjykatën e Shkallës së Parë më të rëndësishme, jo vetëm për nga volumin e çështjeve, por edhe problematikat që trajton, Ministri Naço vlerësoi se kjo gjykatë, ndër vite ka dhënë me mijëra vendime gjyqësore, duke qenë kështu një kontribuese e madhe e drejtësisë në shkallë vendi.

“Është fakt i pamohueshëm, që kjo gjykatë gjykon mbi 50% të çështjeve në rang vendi. Po kështu nga radhët e trupës gjyqësore, të kësaj gjykate, janë përzgjedhur në sistemin e karrierës gjyqtarë për gjykatën e apelit, gjykatën e lartë, si dhe gjykatën kushtetuese. Është po kaq i vërtetë edhe fakti që përpos ngarkesës së madhe të çështjeve që përballon kjo gjykatë, ndër vite, ka patur vazhdimisht shtim të numrit të gjyqtarëve. Volumi i madh i çështjeve në gjykim në këtë gjykatë, problematika dhe dinamika në vijimësi, ka treguar qartë se ka patur një vëmendje të shtuar ndaj Gjykatës së Tiranës, qoftë në planin mediatik, politik, apo dhe të përceptimit të publikut te drejtësia në përgjithësi dhe te gjyqësori në veçanti”, u shpreh z. Naço

Kreu i drejtësisë shqiptare thekoi se duhet një punë e madhe dhe e vazhdueshme, jo vetëm nga drejtuesi i gjykatës, dhe trupa gjyqësore, por dhe nga administrata gjyqësore, për trajtimin me kujdesin e duhur etik dhe ligjor, të çdo çështje, apo kërkese që vjen nga çdo subjekt.

“Në kuadër të efiçencës në gjykim, kërkohet nga ana juaj, të bëni kujdesin e duhur që procesi gjyqësor të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, seancat gjyqësore të jenë publike e transparente, vendimet gjyqësore të shpallen brenda afateve të arsyeshme të përcaktuara në dispozitat procedurale penale dhe civile, duke rritur kështu cilësinë në arsyetimin dhe argumentin e vendimeve gjyqësore. Është gjithashtu me mjaft rëndësi respektimi i dispozitave ligjore për mbajtjen, ruajtjen dhe arkivimin e procesverbalit të seancës gjyqësore me mjete audio, në respektimin e rregullave të etikës gjyqësore, të transparencës së gjykimit tek publiku, të cilat për fat të keq mendoj se kanë mbërthyer sot një pjesë të pushtetit gjyqësor dhe kanë dobësuar besimin e qytetarëve tek drejtësia e gjykatës”, tha Ministri Naço

Gjithashtu Ministri Naço theksoi se është e rëndësishme për të gjithë sistemin inkurajimi i gjyqtarëve të ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, forcimi i pavarësinë e tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi.

“Kemi përgatitur projektligjin për sistemin e vetë-vlerësimit, në mënyrë që ecuria e karrierës tuaj të mos mbetet peng e disa individëve por të marrë shpërblimin e mundit dhe integritetit profesional. Gjithkush duhet të dijë, se e drejta do të sundojë atëherë kur populli të ndjejë se gjykata nuk e ndryshon rezultatin pavarësisht se kush është humbësi apo fituesi”. bëri me dije z. Naço.