Ekzekutivi dhe Gjyqësori, në shërbim të mirëqenies së fëmijës së braktisur. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/04/2014

Ekzekutivi dhe Gjyqësori, në shërbim të mirëqenies së fëmijës së braktisur.

“Çdo gjë, çdo mundësi ligjore, administrative e shoqërore, në shërbim të interesit dhe mirëqenies për fëmijët e braktisur në Shqipëri”

Ky është mesazhi që ka përcjellë gjatë fjalës së tij, Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, i cili ka qenë sot i pranishëm në një takim të përbashkët mes Ambasadës Amerikane, Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit të Birësimeve, dhe gjyqtarëve të seksioneve familjare, me fokus adresimin e çështjes së birësimeve në vendin tonë.

Në botën ku jetojmë shfaqen juridiksione të ndryshme që rregullojnë fushën e birësimit. Në Shqipëri, përpara se birësimi të bëhet zyrtar, gjykata duhet të vendos, pas një hetimi gjyqësor të materialeve, paraqitur nga agjencia shtetërore (Komiteti Shqiptar i Birësimit), nëse çifti birësues kualifikohet si “i pranueshëm apo “i përshtatshëm”, sqaroi z. Isaraj

Më tej, Zv/Ministri Isaraj theksoi se në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ligjor dhe institucional midis drejtësisë shpërndarëse, që jep ekzekutivi dhe drejtësisë korrigjuese që jep gjyqësori, për të garantuar interesin më të lartë të fëmijëve të braktisur, në gjetjen e familjeve të përshtatshme për birësim, janë të nevojshme disa masa administrative dhe ligjore në funksion të eleminimit të nocioneve të papërcaktuara e të paqarta juridike; eleminimit të zgjatjes së panevojshme të proceseve gjyqësore; rritjes së efektivitetit administrativ dhe gjyqësor; minimizimit në kostot e shpenzimeve për familjet birësuese; trajnimin periodik të gjyqtarëve; ngritjen e kapaciteteve profesionale të ekspertëve të fushës, etj.

Referuar mbështetjes dhe nismave të ndërmarra nga Ambasada Amerikane, z. Isaraj u shpreh besimplotë se edhe përshirja institucionale e Ministrisë së Drejtësisë do të jetë një kontribut i vyer, që nevoja dhe mirëqenia e fëmijëve të braktisur të vihet përpara interesit të prindërve biologjikë apo dhe birësues.

Z. Isaraj i ka shprehur mirënjohjen Ambasadorit Arvizu për të gjithë kontributin e tij institucional dhe personal duke dëshmuar respekt dhe humanizëm njerëzor ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme.