Gjatë fjalës së tij në konferencën “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik”, që u mbajt në Kukës në kuadër të përkujtimit të 15 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço shprehu vullnetin e tij dhe të institucionit që ai drejton për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, drejt forcimit të shtetit ligjor.
“Reformat në sistemin e drejtësisë ndihmojnë në konsolidimin e sundimit të ligjit, në stabilitetin afatgjatë të një vendi, në zhvillimin e tij ekonomik si dhe në përparimin e gjithanshëm, me qëllim që vendet tona të bëhen sa më shpejt pjesë e shteteve të tjera të BE-së”, theksoi Ministri Naço
Ministri Naço sqaroi se bashkëpunimi juridik ndërkombëtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është realizuar deri në muajin Prill të vitit 2013 kryesisht në bazë të Parimit të Reciprocitetit, në përputhje me legjislacionet respektive, dhe proceduriale civile e penale të të dy vendeve tona.
Sipas kreut të drejtësisë shqiptare, mungesa e marrëveshjeve dypalëshe nuk ka qenë problem në plotësimin dhe ekzekutimin e kërkesave reciproke për ndihmë juridike ndërmjet autoriteteve kompetente gjyqësore.
“Bashkëpunimi ka qenë intensiv dhe i frytshëm edhe në fushën e ekzekutimit të vendimeve penale, të dhëna nga autoritetet gjyqësore shqiptare për dënimet alternative, në kuptimin e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimit nga autoritetet kosovare të drejtësisë. Gjithashtu ndërmjet vendeve tona janë paraqitur reciprokisht kërkesa për ekstradimin e shtetasve të huaj të shpallur persona në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore kosovare apo shqiptare të cilat kanë rezultuar të suksesshme”, u shpreh Ministri Naço
Z. Naço u shpreh se janë të mirëpritura sugjerimet e palës kosovare për çdo lloj bashkëpunimi në fushën e drejtësisë si dhe çdo lloj asistence reciproke në kuadër të bashkëpunimit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.