“Qeveria Shqiptare është në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë me qëllim realizimin e reformave me efektivitet në kohë dhe në cilësi, duke i kushtuar rëndësi rritjes së profesionalizimit si të hartuesve dhe zbatuesve të ligjit në të njëjtën kohë, si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet tyre”.
Me këtë deklaratë e ka nisur fjalën e tij përshëndetëse Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë seminarit me temë “Roli i Prokurorëve të Përgjithshëm të Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Rrugën drejt BE-së.”
Ministri Naço theksoi se Ministria e Drejtësisë është angazhuar në drejtim të plotësimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor që normon sistemin e bashkëpunimit, duke përcaktuar rregulla dhe procedura të qarta dhe efektive, së bashku me partnerët ndërkombëtarë.
“Zyra e Shkëmbimit të Informacionit për Ndihmën Teknike (TAIEX) ka qenë një nga partneret tona kryesore, duke siguruar tekstet ligjore të, duke organizuar seminare trajnimi dhe vizita nga ekspertë në vende të ndryshme. Kjo zyrë ka luajtur dhe luan një rol kyç në procesin e vlerësimit të faktit nëse legjislacioni ynë i brendshëm përputhet me legjislacionin e Komunitetit, si dhe duke ndihmuar gjithashtu në transpozimin dhe zbatimin e tyre. Iniciativat ligjore të ndërmarra në këtë drejtim kanë reflektuar ndërmjet të tjerave edhe angazhimet e Republikës së Shqipërisë, si shtet anëtar me të drejta dhe detyrime të plota në një sërë aktesh dhe instrumentesh ndërkombëtare, si dhe në një sërë marrëveshjesh dy palëshe të lidhura me shtetet e rajonit dhe më gjerë”, u shpreh z. Naço
Ministri naço sqaroi se është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Bosnje Hercegovinën, me qëllim shkëmbimin e eksperiencës të të dy Ministrive për sa i takon bashkëpunimit gjyqësor, hartimit të ligjeve, trajnimeve të përbashkëta të ekspertëve apo gjyqtarëve; ndërsa aktualisht janë në proces negociimi 3 marrëveshje dypalëshe përkatësisht mbi ekstradimin, ndihmën e ndërsjelltë juridike si dhe dhe njohjen e vendimeve penale.
Gjithashtu z. Naço informoi se më datë 6 Nëntor 2012 janë nënshkruar 3 marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me Republikën e Kosovës, të cilat kanë sjellë rritjen dukshëm të numrit të kërkesave për ndihmë juridike, për ekstradim apo për transferimin e personave të dënuar si dhe ekzekutimin e shpejtë të tyre edhe për shkak të vendosjes së komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet dy Ministrive.
“Ne nuk do të tolerojmë askënd që t’i fshihet drejtësisë shqiptare, por do të intensifikojmë ndjeshëm marrëdhëniet tona dypalëshe, që të mos lejojmë që shkëlësit e ligjit brenda dhe jashtë vendit të mos ndëshkohen. Mjaftojmë të përmendim se gjatë vitit të kaluar janë dorëzuar, apo janë ende në proces dorëzimi mbi 80 subjekte ekstradimi, pjesa më e madhe me Italinë. Kjo e mundësuar dhe nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe që superojnë pengesën e ekstradimit të shtetasve. Personat e dënuar në Itali, për një vepër penale të mos të fshihen në Shqipëri dhe sot në sajë të zbatimit rigoros të ligjit, të drejtës ndërkombëtare dhe vullnetit politik të mos të mbeten të pandëshkuar”, tha Ministri Naço
Ministri Naço përcolli edhe një mesazh të qartë për sistemin gjyqësor në Shqipëri kur u shpreh se ka ardhur koha, që pushteti gjyqësor, të gëzojë pavarësinë e tij kushtetuese dhe ligjore në ushtrimin e funksioneve, dhe jo të “gëzojë” pavarësinë nga ligji e kërkesat rigoroze të tij.
“Ministria e Drejtësisë në çdo rast që është vënë në dijeni se nga gjyqtarët është shkelur ligji dhe nuk janë respektuar Konventat dhe marrëveshjet dypalëshe, ka kryer inspektimet nga strukturat e saj dhe në rast të konstatimit të shkeljeve procedurale i është drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore”, theksoi z. Naço
Kreu i drejtësisë shqiptare theksoj se krimit të organizuar që kapërcen kufijtë i duhet përgjigjur në mënyrë të koordinuar dhe ky qëllim arrihet nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, Ministri Naço cilësoi se bashkëpunimi me TAIEX është një materializim i angazhimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për forcimin dhe rritjen e cilësisë së bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.
“Bashkëpunim i hapur, i gjerë dhe në mirëbesim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, të vendeve të rajonit dhe BE-së për të rritur efikasitetin në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar, është një nga angazhimet e Qeverisë Shqiptare”, përfundoi Ministri Naço.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.