Zyra Qëndore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve ka nënshkruar sot në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë, një marrëveshje nëpërmjet së cilës synohet të vendoset një bashkëpunim i ndërsjelltë dhe i frytshmëm.
Shkëmbimi profesional nëpërmjet formimit teknik–juridik, për të realizuar një regjistrim sa më efikas të pasurive të paluajteshme, sidomos me aksesin online të noterëve në regjistrat e pasurive të paluajteshme; verifikimi i pronave si dhe redaktimi i akteve për tjetërsimin e pronave janë disa nga detyrimet që pritet të përmbushen pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Gjatë fjalës së tij në nisjen e kësaj ceremonie, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço theksoi se nisur nga tërësia e problematikës së konstatuar, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore të Regjistrimit dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë, dhe me asistencën e vazhdueshmë të partnerëve ndërkombëtarë, vlerëson se, midis këtyre dy institucioneve është e nevojshme rritja e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që problematikat e deritanishme të mbeten në memorien e largët të secilit prej nesh, duke shpresuar që të mos ekzistojnë më.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço
Sot ju shpreh mirënjohjen time dhe njëkohësisht kam kënaqësinë të mbaj këtë fjalë përshëndetëse, me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, ndërmjet Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Të dy këto institucione shumë të rëndësishme të zbatimit dhe ekzekutimit të së drejtës, janë në autoritetin e fushës së veprimtarisë dhe kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë.
Sot këto institucione nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi nëpërmjet të cilit marrëdhëniet ndërmjet tyre do të hyjnë në një fazë të re, dhe produkti pozitiv i këtij bashkëpunimi, do të jetë real, i prekshëm për të gjithë qytetarët.
E vërteta është se këto dy institucione, kryesisht, nuk japin tituj pronësie, por pranë këtyre institucioneve, qytetarët dhe secili prej nesh shkon për të formalizuar, sipas kërkesës së ligjit, vullnetin e tij, për veprime të ndryshme kryesisht të karakterit juridiko-civil.
Në këto institucione, qytetarët, bizneset, shoqatat, organizmat e ndryshme publike dhe private, vendas apo të huaj, për cdo veprim juridik ku kërkohet prezenca e tyre, janë të detyruar të paraqiten dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë.
Ky vullnet fillimisht materializohet në akte të ndryshme noteriale dhe më pas ato depozitohen në zyrat e regjistrimit, të cilat kanë për detyrë mirë administrimin dhe regjistrimin e çdo akti të bërë, sipas frymës së ligjit dhe procedurave të përcaktuara prej tij, duke e pajisur qytetarin me çertifikatën e pronësisë apo dokumentin që vërteton të drejtat e fituara apo të tjetërsuara.
Në tërësinë e veprimeve juridiko-civile, që kryhen në zyrat noteriale, kanë qenë jo të pakta rastet kur akte të ndryshme noteriale të fitimit, tjetërsimit të drejtave të pronësisë, apo të të drejtave reale të lidhura me to, kanë patur mangësi, apo në raste të tjera, nuk janë hartuar në formën e kërkuar nga kërkesat e ligjit, duke u lënë jashtë procedurave të regjistrimit.
Padyshim, që këto veprime apo mosveprime janë shoqëruar jo rrallëherë me zvarritje të procesit, akte të abuzivizmit, duke u pasuar me ndjesi aspak pozitive tek subjektet kërkuese.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se, mungesa e një bashkëpunimi të vazhdueshëm institucional midis ZQRPP dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, ka sjellë rëndom që noterë apo punonjës të veçantë të zyrave të regjistrimit, të mbajnë qëndrime të ndryshme mbi interpretimin e kërkesave të ligjit, apo të akteve të prodhurara dhe të paraqitura për regjistrim.
Si pasojë, proceset e transferimit dhe cerfitikimit të të drejtave të fituara janë zvarritur, shpesh herë duke keqorientuar palët kërkuese për zgjidhjen e cështjes në rrugë gjyqësore, apo duke investuar, shpesh herë në mënyrë të pamotivuar, strukturat e Ministrisë së Drejtësisë me inspektime dhe kontrolle rast pas rasti.
Pra, energji burimesh njerëzore dhe financiare të shpenzuara pa efektivitetin e duhur nga të gjitha palët.
Nisur nga tërësia e problematikës së konstatuar, Ministria e Drejtësisë, përveç reformave të tjera përmirësuese në këtë fushë, si ajo e dixhitalizimit të sistemit notarial, por dhe në vijimësi dhe të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore të Regjistrimit dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë, me asistencën e vazhdueshmë të partnerëve ndërkombëtarë, vlerëson se, midis këtyre dy institucioneve është e nevojshme rritja e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që fenomenet, si ato që sipërcituara më lart, të mbeten në memorien e largët të secilit prej nesh, duke shpresuar që të mos ekzistojnë më.
Nëpërmjet këtij memorandumi bashkëpunimi synohet të arrihet:
(i) Vendosja e një bashkëpunim të ndërsjelltë dhe të frytshmëm ndërmjet Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë në të gjithë territorin e vëndit, çka do të sjellë si rezultat pozitiv:
Gjithashtu ky bashkëpunim i finalizuar sot do të ketë rezultate pozitive dhe për :
-të jetë një e drejtë e plotë me të gjitha tagrat e saj,
-të përdorimit,
-shfrytëzimit,
-dhe disponimit, në përputhje dhe brenda kufijve të ligjit.
Së fundmi, më lejoni të shpreh bindjen se, me reformat e ndërmarra deri tani, përfshirë dhe inicitivën e ditës së sotme, rezultatet pozitivie do të jenë më të prekshme për çdo qytetar.
Për arritjen e tyre, kërkohet:
– besim,
– përkushtim
-dhe profesionalizëm,
gjë e cila duhet të realizohet nga këto institucione nëpërmjet zbatimit në praktikë të detyrimeve të marra përsipër në këtë memorandum bashkëpunimi.
Duke ju uruar suksese në këtë bashkëpunim të nisur rishtazi, ripërsëris qëndrimin tim për të mirëpritur çdo kontribut apo sugjerim që vjen në të mirë dhe në përmirësim të të gjithë sistemit të drejtësisë, pjesë e zbatimit të të cilit, jeni dhe ju .
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.