Ministri Naço vizitë zyrtare në Gjermani, nisin takimet e nivelit të lartë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/06/2014

Ministri Naço vizitë zyrtare në Gjermani, nisin takimet e nivelit të lartë

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ku po zhvillon disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë gjermane.

 

Ecuria e reformave të nisura në sistemin e drejtësisë dhe impakti i tyre përkundrejt proceseve integruese të vendit, kanë qenë disa nga çështjet kryesore të shtruara për diskutim gjatë takimeve të zhvilluara.

 

Në takimin me Prokurorin e Përgjithshëm të Berlinit, z. Ralph Rother Ministri Naço u ndal në nevojën për ekspertizën gjermane ndërsa theksoi se sistemi gjyqësor në Gjermani është një model që duhet ndjekur.

Gjithashtu z. Naço ka vlerësuar edhe rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe.

“Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë për reformat tuaja”, është shprehur z. Rother, ndërsa ka garantuar krijimin e mundësive për nisjen e një bashkëpunimi në rrafshin e shkëmbimit të eksperiencës dhe trajnimeve në fushat me interes të përbashkët.

Axhenda e ndjekur nga Qeveria Shqiptare mbi reformat në sistemin e drejtësisë është përshëndetur dhe ka marrë mbështetje edhe nga znj.Monika Nöhre, Kryetare e Gjykatës së Lartë të Berlinit.

Znj. Nöhre është shprehur e hapur për mundësimin e asistencës në drejtimin të zbatimit me sukses të modelit për vlerësimin, transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve.

Nga ana e tij, Ministri Naço ka mirëpritur idenë e ardhjes së gjyqtarëve dhe ekspertëve gjermanë për trajnimin e gjyqtarëve shqiptarë, duke vënë në dukje dëshirën për të përfituar sa më shumë nga modeli më i mirë i cili përfaqësohet nga sistemi gjerman i drejtësisë.