Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme e Burgjeve organizuan ditën e sotme një ndeshje futbolli në ambjentet e kampusit sportiv, në IEPV-në Fushë-Krujë.
Me rastin e rivënies në funksionim të fushës së futbollit pranë këtij institucioni, investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, u zhvillua një ndeshje mes disa prej emrave më të njohur ndër vite të kombëtares shqiptare dhe disa të burgosurve.
Të pranishëm gjatë këtij aktiviteti ishin Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armando Duka, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse para nisjes së ndeshjes, Ministri Naço vuri në dukje rëndësinë e këtij investimi dhe e falenderoi Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë donacion.
“Ky investim i çmuar është një tregues i qartë që lidhet me rëndësinë e përmirësimit të kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit, gjë e cila mbetet një prioritet i vazhdueshëm drejt arritjes së standardeve dhe kushteve evropiane në këto institucione”, theksoi Ministri Naço
Gjithashtu z. Naço solli në vëmendjen e të pranishmëve se Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një sërë reformash, që synojnë t’i japin një tjetër dimension edhe dënimeve alternative.
Aktiviteti i ditës së sotme erdhi si rezultat i bashkëpunimit që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka arritur të krijojë me Federatën Shqiptare të Futbollit, në funksion të organizimit të eventeve të rëndësishme që synojnë të promovojnë sportin, si një faktor i rëndësishëm në reduktimin e stresit që shkakton privimi nga liria, zhvillimin e vetëvlerësimit dhe vetëkontrollit, si dhe nxitjen e dëshirës për përfshirjen sociale të shtetasve të paraburgosur/dënuar.
Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, parashikohet t’ju shërbejë rreth 370 të paraburgosurve dhe të dënuarve të cilët ndodhen në këtë institucion.
Ndeshja e ditës së sotme mblodhi së bashku disa nga emrat me të njohur të futbollit shqiptar si Sulejman Demollari, Vasillaq Zëri, Erjon Bogdani, Altin Lala, Altin Rraklli dhe Redi Jupi.
Gjatë këtij aktiviteti, Federata Shqiptare e Futbollit dhuroi edhe mjete logjistike për realizimin e aktiviteteve sportive.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.