“Sistemi i drejtësisë sot ka fytyrën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përsa kohë që mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura, unë do të jem i detyruar që të dal përpara jush dhe t’ju tregoj mbi atë që ndodh atje. Në plan të parë, mund të duket serioze ajo cfarë ndodh brenda mureve të KLD-së, por unë po ju them se të gjitha emisionet humoristike do të kishin material te mjaftueshëm me atë që ka ndodhur dje, sepse gjithçka ka qenë qesharake”.
Me këtë deklaratë, Ministri i Drejtësisë i është përgjigjur interesit të medias, e cila ka qenë sot prezente gjatë një konference për shtyp, lidhur me atë që ka ndodhur seancën e gjatë të ditës së djeshme brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili prej muajsh i ka mbyllur dyert për median.
Përkundrejt shkeljeve të vazhdueshme të KLD-së dhe perceptimit se Ministri i Drejtësisë do të zgjedhë që në shenjë proteste ta braktisi atë, z. Naço u deklarua i vendosur se bashkëpunimi me Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të vijojë dhe se pavarësisht faktit se maxhoranca aktuale është e konsoliduar, nuk është qëllim përdorimi i forcës së kartonit në parlament, pasi synohet një reformë gjithëpërfshirëse, pjesë e së cilës duhet të jetë edhe opozita.
“Bashkëpunimi im si Ministër me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që prej muajit Shtator ka qenë në frymën e ligjit. Ne kërkojmë një sistem të pavarur dhe të përgjegjshëm. Deputetët dhe anëtarët e këshillit të zgjedhur nga parlamenti duhet të distancohen nga veprimet dhe qëllimet antiligjore të KLD-së”, u shpreh z. Naço
I pyetur në lidhje me vendimin e marrë nga shumica e anëtarëve të KLD-së në lidhje me disa nga gjyqtarët e propozuar për shkarkim nga detyra, por për të cilët kjo kërkesë nuk u pranua, Ministri Naço deklaroi se shumica e anëtarëve të Këshilit të Lartë të Drejtësisë nuk kishin asnjë material mbi tavolinë, madje as dosjen e bërë gati për secilin gjyqtar.
“Anëtarët e KLD-së nuk bënë pyetje, pra e kishin vendosur si repart ushtarak se çfarë do të bënin. Unë ndërkohë jam i vendosur që ta vazhdojë luftën pa kompromis. Njëri nga gjyqtarët, pranoi se kishte marrë disa dhurata, njëherë 50 mijë euro, njëherë tjetër i kishin falur një makinë, njëherë tjetër 20 mijë euro, etj. Ndërkohë, vendimi për Gjin Gjonin erdhi krahas vendimeve të tjera skandaloze të dhëna nga KLD-ja. Unë mund t’ju them që nëse do të shikonit deklarimin e tij të pasurisë, për ta lexuar dhe për ta kuptuar do t’ju duhen disa orë…”,deklaroi z. Naço
Refruar një tjetër kallëzimi të bërë pak kohë më parë nga Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive, Ministri Naço u shpreh se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet fillimisht të “vetëpastrohet” dhe më pas të vazhdojë të kotrollojë të tjerët.
“Para disa kohësh ndaj një inspektori të KLD-së nga Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive u bë një kallëzim për fshehje të pasurisë, ku edhe në këtë rast për “dhurata” bëhej fjalë. Personi nuk dihej se ku i kishte llogaritë bankare. KLD-ja, e cila është e ngarkuar nga ligji që përmes këtij inspektoriati të hetojë mbi gjyqtarët, si mund të hetojë kur ai inspektor ka 200 mijë apo 250 mijë dollar ose euro të falura?! Ky është sistemi?! Këta janë inspektorët?! Këta do të inspektojnë gjyqtarët e tjerë?!”, deklaroi Ministri Naço
Ndërkohë, në lidhje me deklaratën e Presidentit të Republikës gjatë Konferencës Gjyqësore, se një pjesë e gjyqtarëve nuk e fillojnë ditën pa marrë zarfin nga prokurori, avokati apo qytetari, Ministri Naço shprehu dakortësinë e tij duke vënë në dukje se mesazhi i kësaj deklarate nuk duhet të mbetet vetëm me fjalë por duhet të krijohet një bashkëpunim i ngushtë që fjalët të bëhen vepra.
Takimi me median u mbyll me një tjetër rast të sjellë nga Ministri Naço, përmendja e të cilit shkaktoi jo pak çudi… Njëri prej gjyqtarëve të propozuar për shkarkim, gjatë deklarimit të djeshëm kishte pranuar se njërin nga apartamentet që dispononte por që nuk e kishte deklaruar, nuk ia kishte treguar as gruas…
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.