Diskutohen në Parlament ndryshimet për Ligjin e KLD dhe Gjykatat Administrative - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/07/2014

Diskutohen në Parlament ndryshimet për Ligjin e KLD dhe Gjykatat Administrative

Dy drafte ligjore të propozuara nga Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, janë diskutuar gjatë seancës së sotme parlamentare, me synimin për të sjellë një frymë të re në zbatueshmërinë e ligjit dhe që do të reflektojë në punën e institucioneve përkatëse. Gjatë fjalës së tij, referuar përkatësisht ndryshimeve ligjore të propozuara në ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative”, ministri Naço ka theksuar se emërimet e bëra nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë apo mosveprimet e tij janë në kundërshtim të plotë me ligjin.

“Me anë të këtyre ndryshimeve propozohet që procedura e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave të bëhet brenda afatit 3- mujor, sikurse është e përcaktuar në rregulloren e KLD. Praktikat tregojnë se ka shkelje dhe shpërfillje të ligjit nga ana e KLD. Kemi kërkuar të shmanget konflikti i interesit në emërimet e anëtarëve të Këshillit, të rritet transparenca dhe të normohet puna e këtij institucioni, pasi nuk janë vënë në dispozicion proces- verbalet e mbledhjeve. Kam renditur disa fakte mbi pasuritë e pajustifikuara, të deklaruara dhe të padeklaruara, për të cilat bazuar në ligj i kam propozuar KLD-së shkarkimin e këtyre gjyqtarëve. Por as këto nuk shërbejnë si fakte për KLD. Nuk e di se çfarë faktesh i duhen KLD, kur Kushtetuta e thotë shumë qartë se gjyqtari nuk mund të ushtrojë veprimtari private. Nuk e di se si KLD mund të ketë guximin t’u thotë shqiptarëve se është e vendosur të luftojë korrupsionin, ndërkohë që për raste kaq flagrante nuk arrin të distancohet. A mund të më thoni se çfarë presioni politik është ushtruar mbi KLD, kur kontrolli mbi pasuritë e gjyqtarëve ka nisur 2 vjet më parë? Qytetarët kërkojnë një drejtësi që nuk blihet, por jepet. Sot më shumë se kurrë duhet t’i themi ndal shkeljes së ligjit nga kushdo.”

Fjala e Ministrit u pasua me fjalën e deputetes Vasilika Hysa nga Partia Socialiste, e cila duke vijuar në të njëjtën linjë me z. Naço theksoi se shkeljet e KLD janë evidente dhe askush nuk ka reaguar për këtë deri më sot.

“Në raportin e Komisionit Europian thuhejt se thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë reforma e thellë në gjyqësor. Ndërsa sipas raportit të kryeinspektorit të KLD, në më shumë se 800 raste ka patur shkelje në procedurat gjyqësore. Kemi kërkuar që në ushtrimin e funksionit të jenë edhe kërkesat e legjislacionit për shmangien e konfliktit të interesit në emërimet në KLD. Dua të sqaroj opinionin publik dhe qytetarët, se me propozimet që kemi bërë kemi respektuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”– nënvizoi Hysa.

Gjatë seancës së sotme parlamentare Ministri mori fjalën edhe për ndryshimet në ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”. Ndryshimet e propozuara do të shërbejnë pozitivisht për punën sa më efektive të Kolegjit Administrativ, për një gjykim më të shpejtë të çështjeve, një shfrytëzim më racional dhe efektiv të trupës gjyqësore dhe burimeve njerëzore të Gjykatës së Lartë, mirëadministrim të kohës në gjykimin e çështjeve dhe një drejtësi më të shpejtë për qytetarët.

“Në tërësi ky projektligj sjell një impakt pozitiv, pasi përmbajtja e secilës dispozitë paraqet një risi për sistemin e drejtësisë, zbatimi në praktikë i të cilave do të ndikojë ndjeshëm në mirëfunksionimin e gjykatave administrative dhe rrjedhimisht, në rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Një risi e këtij projektligji është parashikimi i numrit të ndihmësave ligjorë, në varësi të ngarkesës së punës të çdo gjykate administrative, për një  menaxhim sa më efikas bazuar mbi volumin e punës. Gjithashtu, rekrutimi i ndihmësave ligjorë, lista e të cilëve përzgjidhet sipas një procedure konkuruese transparente, të hapur nga një komision ad-hoc, përbërja e të cilit ruan balancat midis gjykatës, ku shpallet vendi i lirë i punës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe aktorëve të tjerë, pjesë përbërëse e komisionit, që vijnë nga fusha akademike.”- u shpreh ndër të tjera Ministri i Drejtësisë.