Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, dhe një grup pune nga Ministria e Drejtësisë zhvilluan sot një takim në IEVP Drenovë.
Vizita kishte si qëllim njohjen me ndryshimet e realizuara në këtë burg të sigurisë së lartë që nga koha e ngjarjes së nëntorit 2013, ku u arratisën 7 të dënuar të sigurisë së lartë, e deri më sot.
Ministri Naço dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u pritën nga drejtori i IEVP Korçë, z. Laert Çeliku dhe përgjegjësit e sektorëve përkatës të IEVP Korçë. Si pjesë e takimit u mbajt edhe një mbledhje në praninë e stafit të punonjësve civil dhe policor, ku në fjalën e tij Ministri kërkoi dhe këshilloi që të gjithë të njohin sa më mirë të drejtat dhe detyrimet e tyre në kryerjen e detyrës, për të qenë sa më efiçentë dhe produktivë.
“Ky institucion është nga më të rëndësishmit sa i përket burgjeve në Shqipëri, duke qenë se është edhe institucion i sigurisë së lartë dhe me një kapacitet të konsiderueshëm të burgosurish. Për këtë arsye, kërkoj nga ju punë dhe angazhim maksimal në arritjen e një sigurie dhe stabiliteti të nevojshëm, sikurse në gjithë sistemin penitenciar. Ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë komunikim të vazhdueshëm me institucionin qendror, pra midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, jemi të disponueshëm për të garantuar mirëfunksionimin e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e të gjitha nevojave tuaja.”- theksoi Ministri Naço.
Pjesë e temave të trajtuara ishin edhe performanca dhe përkushtimi i stafit të policisë dhe administratës në zbatimin e detyrave të ngarkuara. Për këtë qëllim, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, e informoi Ministrin e Drejtësisë në lidhje me zhvillimet në sistemin penitenciar dhe në veçanti, në institucionin e Drenovës.
“Jemi të angazhuar për të mos toleruar dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të mundshme të rregullave të etikës, të procedurave të punës, si dhe veprimet abuzuese që mund të kryhen nga stafi. Këtë vizitë të Ministrit dhe stafit të tij, në cilësinë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë në vend, e shoh si një ogur të mirë për punën e institucionit tani e në vijim.”– u shpreh z. Zoto në fjalën e tij gjatë mbledhjes.
Gjatë mbledhjes gjithashtu, u diskutua mbi problematikat dhe punën që është bërë përgjatë një viti në këtë institucion të sigurisë së lartë. Si pjesë e rëndësishme e jetës në institucion, u prek edhe tema e problemeve shëndetësore të të burgosurve dhe menaxhimi sa më i mirë i situatave deri në zgjidhjen e tyre.
Më pas, Ministri Naço dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve hynë në regjimin e brendshëm të burgut dhe takuan të dënuarit, për të zhvilluar biseda nga afër me ta. Ministri i siguroi të dënuarit se respektimi dhe njohja e të drejtave të tyre është prioritare. Ai u njoh me shqetësimet dhe kërkesat e të burgosurve, për të siguruar plotësimin e tyre konform ligjit dhe rregullores së burgjeve.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.