Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço po zhvillon një vizitë pune në Athinë, në kuadër të takimit të parë ku Shqipëria do të prezantohet si anëtarja më e re e Organizatës Europaine të Legjislacionit Publik.
Në 25 Qershor të këtij viti, vendi ynë aderoi si anëtar i kësaj organizate e cila është në vitin e 10-të të themelimit të saj, dhe që e ushtron aktivitetin përmes një axhende programesh që synon ndërtimin e institucioneve demokratike, që do të promovonin vlerat dhe parimet europiane të sundimit të ligjit dhe të së drejtës.
Gjatë fjalës së hapjes, si përfaqësues i shtetit më të ri të anëtarësuar, Ministri Naço u shpreh se ndihet shumë i privilegjuar që si Ministër i Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave i dha plotfuqishmërinë e nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin dhe statutin e Organizatës Europiane të së Drejtës Publike (EPLO), përkrah mjaft vendeve mike.
“Unë shpreh bindjen time se pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke qenë se EPLO ka në fokusin e saj mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike në Evropë dhe në të gjithë botën, nëpërmjet kësaj organizate edhe për Shqipërinë, do të krijohen premisa te shkëlqyera për të bashkëpunuar me institucione, organizata dhe organizma të tjerë kudo në botë, në veçanti me organizata në sistemin e Kombeve të Bashkuara, për shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në ato fusha mbi të cilën kjo organizatë operon”, u shpreh z, Naço
Ndër të tjera, Ministri Naço theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është boshti kryesor i politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj dhe qeveria shqiptare po përpiqet me energji për të dhënë mesazhe të qarta dhe vizionare, së me reformat e ndërmarra Shqipëria është në rrugën e duhur, përkrah vendeve të BE-së.
Gjatë pjesës teknike të takimit, Ministri Naço është ndalur në disa kërkesa specifike drejtuar EPLOS-s, të cilat mund të përfshihen në programin që kjo organizatë do të parashikojë si asistencë ndaj sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Ministri Naço ka theksuar nevojën e krijimit të një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, duke mundësuar më pas ngritjen e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë.
Gjithashtu z. Naço propozoi edhe që ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EPLO-s, të nisi një bashkëpunim që do të mundësonte dhënien e asistencës në trajnimin e stafit të Ministrisë së Drejtësisë, trajnimin e gjyqtarëve të Gjykatave Administrative dhe stafit të tyre mbështetës, krijimin e mundësive për zhvillimin e studimeve dhe trajnimeve në fushën e të drejtës publike europiane, për studentët e rinj të Fakultetit të Drejtësisë sikurse edhe për ata të Shkollës së Magjistraturës, etj.
Në kuadër të implementimit në një të ardhme të afërt të Kodit të ri të Procedurave Administrative, Ministri Naço vlerësoi me interes nevojën e trajnimeve mbi çështjet e “Kontratës/Kontratave Publike”, duke qenë se lidhur me këtë temë ofrohen leksione edhe në Akademinë e EPLO-s.
“Promovimi dhe zhvillimi i një shoqërie civile të fortë dhe dinamike, pjesë e grupeve konsultuese në ndërmarrjen e nismave ligjore dhe administrative, si dhe forcimi i pozicionit të saj si partnere në debate publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut me fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe kategorive në nevojë, mbetet nje problematikë vulnerabël, që kërkon asistencë për t’u adresuar drejt. Promovimi i bashkëpunimit të suksesshëm në luftën kundër fenomeneve transnacionale si dhe nxitja e bashkëpunimit ndërkufitar, lidhur me trafikimin e qënieve njerëzore për qëllime ekonomike, drejtësia restorative, sigurimi i masave mbrojtëse për viktimat sipas parashikimeve të direktivave të BE-së, forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të ligjit, pastrimi i parave, etj përbëjnë një problematikë mjaft dinamike e cila mbetet prioritet mes çështjeve të Brendshme dhe të Drejtësisë në bashkëpunimin me Bashkimin Europian”, tha Ministri Naço
Legjislacioni mbi të drejtat e njeriut si dhe të drejtën mjedisore, mbeten një sfidë madhore, për të cilën Ministri Naço është shprehur se mbetet i angazhuar maksimalisht.
Aderimi si një pjesë integrale në këtë organizatë, do të mundësojë disa nisma me rëndësi sikurse implementimin e programeve dhe projekteve kërkimore apo studimore, në bashkëpunim me institucione të tjera, organizata ndërkombëtare, si dhe Bashkimin Europian.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.