Ministri Naço: E drejta për informim, proces me rëndësi në çdo shoqëri të civilizuar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/09/2014

Ministri Naço: E drejta për informim, proces me rëndësi në çdo shoqëri të civilizuar

Në seancën e sotme parlamentare, janë miratuar dy projektligje të rëndësishme që lidhen me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Të përcjella si një paketë e përbashkët ligjore, kuvendi ka miratuar projektligjin Për të Drejtën e Informimit” si dhe projektligjin “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

Gjatë fjalës së tij në parlament, Ministri Naço theksoi se bazuar edhe në modelet e vendeve më të përparuara të Evropës Perëndimore, e drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale janë dy fusha që duhen trajtuar së bashku, pasi vetëm në këtë mënyrë të mbrohet privatësia e individit edhe kur jepet informacion mbi dokumente zyrtare.

Ministri Naço vlerësoi se e drejta për informim është një proces me rëndësi themelore në çdo shoqëri të civilizuar.

“Kjo e drejtë i fuqizon qytetarët dhe rrit pozitivisht kontrollin e tyre mbi proceset politike, duke vepruar si parandaluese kundër ushtrimit arbitrar të pushtetit zyrtar”, u shpreh z. Naço

Ligji për të drejtën e informimit në Shqipëri daton në vitin 1999, dhe bazuar në nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor të së drejtës për informim, e drejtë e cila sanksionohet në nenin 23, të Kushtetutës; nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Fondacionin SOROS u hartua projektligji “Për të drejtën e informimit”, i cili shfuqizon ligjin aktual.

Bashkarisht me projektligjin “Për të drejtën e informimit”, sot u miratua edhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin, “Për Mbrojtjen e  të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

Qëllimi i propozimit të kësaj nisme të dytë është shtimi i kompetencave të reja të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që lidhet me mbrojtjen e së drejtës për informim.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 

Sot prezantohen përpara jush dy nisma të rëndësishme ligjore të cilat lidhen ngushtësisht me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht projektligji Për të Drejtën e Informimit” si dhe ai “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

E drejta për informim njihet jo vetëm si një kusht vendimtar për pjesëmarrjen në demokraci, llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë, por edhe si një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur sipas të drejtës ndërkombëtare dhe kushtetuese.

E drejta për informim është njohur fillimisht në ligjin suedez rreth 250 vjet më parë, pikërisht në 1766, por vetëm në fundin e çerek shekullit të kaluar fitoi njohje të gjerë.

Gjatë kësaj periudhe, shumë qeveri në të gjithë botën, organizatat ndërqeveritare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, e zbatuan këtë të drejtë nëpërmjet miratimit të ligjeve dhe politikave transparente.

E drejta e lirisë së informacionit i referohet kryesisht të drejtës për qasje ndaj informacionit të organeve publike.

Ajo pasqyron parimin se organet publike nuk e mbajnë informacionin “në emër të tyre”, duke e trajtuar atë si një aset personal, por për të mirën e të gjithë publikut.

Në këtë mënyrë, individët duhet të jetë në gjendje për ta aksesuar këtë informacion, nëse nuk ka ndonjë arsye me rëndësi për t’ia mohuar atyre këtë akses.

Megjithatë, e drejta për informim shkon përtej marrjes së dokumenteve sipas kërkesës së publikut, dhe përfshin një element të rëndësishëm i cili e lidh të drejtën për informim me “të drejtën për vërtetësi”.

Burimi kryesor nga i cili rrjedh e drejta për informim lidhet me të drejtën themelore për lirinë e shprehjes, e cila përfshin të drejtën për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion.

Demokracia, dhe në tërësi i gjithë sistemi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk mund të funksionojë si duhet pa lirinë e informacionit.

Në këtë kuptim, ajo është një e drejtë themelore e njeriut, mbi të cilën varen të drejtat e tjera.

Për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, liria e informimit është njohur si një e drejtë themelore.

Në vitin 1946, gjatë sesionit të saj të parë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 59 (1) ku deklarohet se:

E drejta e informimit është një e drejtë themelore e njeriut, dhe guri i provës i të gjitha lirive që Kombet e Bashkuara i çmojnë të shenjta.“.

Përsa më sipër, liria e informacionit tani është e njohur gjerësisht si një e drejtë themelore e njeriut, që derivon nga drejta për lirinë e shprehjes.

Asnjë qeveri demokratike tani s’mund t’i mohojë publikut të drejtën e lirisë së informacionit, dhe dimensioni i shtrirjes së kësaj të drejte në mjaft rajone dhe vende të botës, është një prirje globale pozitive, dhe një nga zhvillimet më të rëndësishme demokratike të kohëve të fundit.

Ligji për të drejtën e informimit në Shqipëri daton në vitin 1999, dhe bazuar në nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor të së drejtës për informim, e drejtë e cila sanksionohet në nenin 23, të Kushtetutës; nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Fondacionin SOROS është hartuar projektligji “Për të drejtën e informimit”, i cili shfuqizon ligjin aktual.

Vendimi për hartimin e një ligji të ri për të drejtën e informimit, në vend të amendimit të atij ekzistues, është marrë nisur nga nevoja për një reformim rrënjësor të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit në Shqipëri, e cila nuk mund të adresohej vetëm me një ligj amendues.

Gjej rastin të sqaroj se, në thelb, bazuar edhe në modelet e vendeve më të përparuara të Evropës Perëndimore, e drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale janë dy fusha që duhen trajtuar së bashku, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vendoset një balancë midis tyre, dhe privatësia e individit mund të mbrohet edhe kur jepet informacion mbi dokumente zyrtare.

Për këtë arsye projektligjet janë përcjellë si një paketë e përbashkët ligjore.

Vlen të përmendet se projektligji “Për të drejtën e informimit”, është përgatitur duke patur parasysh modelet më të mira evropiane, por njëkohësisht dhe modelet e vendeve të rajonit me një situatë të përafërt me Shqipërinë, të cilët së fundmi kanë hartuar ligje mjaft bashkëkohore për të drejtën e informimit.

Ky projektligj është një sistem i ri mbikqyrjeje i së drejtës së informimit dhe bazuar në modelet ndërkombëtare, e vlerëson rolin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si mjetin më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte.

Për herë të parë ligji parashikon një mekanizëm të ri i cili mundëson aplikimin e sanksioneve administrative ndaj shkelësve të ligjit.

Konkretisht, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos mbi personat përgjegjës gjobë, dhe ia komunikon vendimin titullarit të autoritetit publik dhe zyrës së financës.

Vlen të përmendet se refuzimi i dhënies së informacionit, i parashikuar në nenin 18 të këtij ligji, konsiderohet kundërvatje administrative dhe dënohet me një gjobë prej 150 000 deri në 300 000 mijë lekë të reja.

Projektligji ka si qëllim të përmirësojë rregullat për mbrojtjen e së drejtës për informim, që çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë i garantohet me Kushtetutë.

Duke u bazuar në nenet 17 dhe 23, të Kushtetutës, synohet që çdo qytetar të ndihet i vetëdijshëm për të drejtën e informimit, por edhe i mbrojtur, sepse e drejta e tij për infomim nuk do të varet më nga dëshira e punonjësit të administratës për të bashkëpunuar ose jo për dhënie informacioni, por është një e drejtë që tashmë publikut i garantohet me ligj.

Risitë që sjell projektligji “Për të drejtën e informimit” fokusohen kryesisht në:

Krijimin e një figure të re, atë të “Koodinatorit për të drejtën e informimit”, i cili do të jetë:

një nëpunës i caktuar nga autoriteti publik, me detyrë bashkërendimin e punës për garantimin e të drejtës për informim.

 

Ky koordinator do t’i mundësojë çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacion publik, ashtu sikurse edhe për t’u konsultuar me dokumenta origjinale dhe kopjet e tyre.

 

Koodinatori për të drejtën e informimit do të shërbejë si një urë lidhëse mes publikut dhe administratës, në lehtësimin e procedurave për ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve reciproke.

 

Gjithashtu, ligji i ri mundëson mbrojtjen e së drejtës për informim që ka çdo qytetar, duke sanksionuar se ai mund t’i drejtohet administratës me kërkesën për t’u njohur me informacionin publik, pa qenë i detyruar t’i shpjegojë motivet e kësaj kërkese.

 

Ligji i ri ngarkon autoritet publike të vënë në zbatim një “program institucional të transparencës”, ku do të përcaktohen kategoritë e informacionit që mund të bëhët publike pa kërkesë, si dhe mënyra e bërjes publike të tyre.

 

Kjo do të mundësojë së pari garantimin e njohjes maksimale me informacion publik, dhe së dyti vënin në dispozicion pa kërkesë të sa më shumë informacioneve, në mënyrë që të pakësohet nevoja për kërkesa individuale për informacion dhe duke lehtësuar njëkohësisht edhe punën e administratës.

 

Projektligji rendit njëkohësisht edhe kategoritë e informacionit që bëhën publik pa kërkesë.

Ndërkohë, në nenin 15 të këtij ligji sanksionohen edhe afatet për marrjen e informacionit, që përbëjnë një tjetër risi.

Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj.

Nëse nuk respektohet afati ligjor 10 ditor për dhënien e informacionit, sikurse sansionohet në këtë nen, kjo gjë konsiderohet refuzim dhe aplikohen masat e parashikuara administrative.

Njëkohësisht ligji për të drejtën e informimit parashikon specifikisht rastet e kufizimit së të së drejtës për informim, duke mos lënë hapësira për interpretime subjektive dhe shmangie nga zbatimi i ligjit të personave që kanë detyrim ta zbatojnë.

Në ligj parashkohet edhe rregullimi i kompetencave dhe procedurave për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve, ndaj shkeljes së të drejtës së tyre legjitime për informim.

Bashkarisht me projektligjin “Për të drejtën e informimit”, sot paraqitet për shqyrtim dhe miratimi i projektligjit  për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin, “Për Mbrojtjen e  të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

Qëllimi i propozimit të kësaj nisme të dytë është shtimi i kompetencave të reja të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që lidhet me mbrojtjen e së drejtës për informim.

Ky projektligj ndryshon emërtimin e ligjit aktual ndërsa ndryshimet e tjera janë fokusuar në Kompetencat që i shtohen Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

E drejta për informim është një proces me rëndësi themelore në çdo shoqëri të civilizuar.

Ajo i fuqizon qytetarët dhe rrit pozitivisht kontrollin e tyre mbi proceset politike, duke vepruar si parandaluese kundër ushtrimit arbitrar të pushtetit zyrtar.

Ky fuqizim i shoqërisë ushtron një presion ndaj autoriteteve publike duke ndikuar ne rritjen e përgjegjshmërisë së veprimeve të tyre.

Në asnjë rast nuk duhen përkrahur vendimet për të krijuar “varfërinë e informacionit”, nisur nga premisat keqdashëse se sekreti i ndihmon pushtetarët që ta ushtrojnë pushtetin e tyre me arbitraritet.

Në asnjë rrethanë nuk do të ishte e udhës të mbështetej ruajtja e konfidencialitetit si një “simbol supremacie”, që do të krijonte distanca të cilat synojnë sundimin dhe shpërndarjen e pabarabartë të pushtetit.

Njëkohësisht, ndaj mendimin se me po të njëjtën forcë duhet dënuar çdo përpjekje e tjetërsimit të informacionit nga shoqëria dhe mjetet e komunikimit për qëllime klienteliste.

Liria e informacionit ka shumë përfitime.

Ajo lehtëson pjesëmarrjen e njerëzve në çështjet publike, duke siguruar që cdokush të bëjë zgjedhje të qarta dhe të ushtrojë të drejtën e tij demokratike.

E drejta për informim rrit përgjegjshmërinë e qeverisë, rrit besueshmërinë e saj, përmirëson vendimmarrjen, dhe ofron një mjet efikas në luftën kundër korrupsionit.

Ish/sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anann do ta vlerësonte maksimalisht të drejtën e informimit teksa cilësonte se : “Dituria është fuqi. Informimi është çlirim”. 

Në përfundim të fjalës sime, gjej rastin të falënderoj fondacionin SOROS si dhe të përgëzoj për punën profesionale anëtarët e komisionit të ligjeve, të cilët me kontributin e tyre bënë të mundur përmirësimin e draftit të sjellë nga Këshilli i Ministrave, duke e përafruar atë me eksperiencën dhe modelet më të mira që promovojnë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ju ftoj të gjithëve për t’i votuar këto projektligje me bindjen se informimi i çdo qytetari është një kusht i nevojshëm për të arritur një qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe për të gjithë qytetarët.