Ministri Naço: Nevoje për ndryshime në kuadrin rregullator për falimentin - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/09/2014

Ministri Naço: Nevoje për ndryshime në kuadrin rregullator për falimentin

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka marrë pjesë sot në prezantimin e projektit “Për Zgjidhjen e Borxhit dhe Daljes së Biznesit nga Falimenti”.

Ky projekt, nis zbatimin në kuadër të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Koorporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), pak kohë më parë.

Në fjalën e tij, Ministri Naço vlerësoi se zbatimi i këtij projekti, do të jetë një mbështetje për reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare në kuadër të zgjidhjes së problematikave të parashtruara nga biznesi, ku një ndër keto problematika lidhet edhe me mosfunksionimin e kuadrit ligjor ekzistues.

“Nga zbatimi i ligjit në praktikë dhe verifikimet e kryera në çështjet e falimentit të trajtuara më parë, por dhe të atyre që janë në proces, nga Agjencia e Mbikqyrjes së Falimentit është konstatuar se,  kuadri ligjor aktual paraqet mangësi në detajimin apo qartësimin e procedurave të lidhura me falimentin, duke sjellë si pasojë negative zvarritje të proçedurave, dhe rritje fiktive të kostove të procedurës, çka ndikon drejtpërsëdrejti në dëm të palëve të interesuara, debitor, kreditor dhe publik”, tha ndër të tjera z.Naço

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

Në fillim të fjalës sime do të doja të shprehja mirënjohjen e sinqertë për të gjithë ata aktorë, të cilët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për finalizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, përfshirë këtu përfaqësues të Bankës Botërore, si dhe donatorin kryesor SECO.

Si Ministër i Drejtësisë kam kënaqësinë të jem i pranishëm në nisjen e zbatimit të projektit “Për Zgjidhjen e Borxhit dhe Daljes së Biznesit nga Falimenti”, projekt i cili zhvillohet mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë dhe Koorporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pak kohë më parë.

Vënia në jetë e këtij projekti, vjen në vijim të reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare në mbështetje të zgjidhjes së problematikave të parashtruara nga biznesi, ku një ndër to është dhe përmirësimi i procedurave të falimentit në tërësi, e cila vjen si nevojë e mosfunksionimit të kuadrit ligjor ekzistues .

Procedurat e falimentit në Republikën e Shqipërisë rregullohen nga një kuadër ligjor që daton që në vitin 2002 dhe ndryshimet e fundit ligjore në këtë ligj, i përkasin vitit 2010, kur u krijua institucioni i Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit, si institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Nga zbatimi i ligjit në praktikë dhe verifikimet e kryera në çështjet e falimentit të trajtuara më parë, por dhe të atyre që janë në proces, nga Agjencia e Mbikqyrjes së Falimentit është konstatuar se,  kuadri ligjor aktual paraqet mangësi në detajimin apo qartësimin e procedurave të lidhura me falimentin, duke sjellë si pasojë negative zvarritje të proçedurave, dhe rritje fiktive të kostove të procedurës, çka ndikon drejtpërsëdrejti në dëm të palëve të interesuara, debitor, kreditor dhe publik.

Qëllimi kryesor i zbatimi të procedurave të falimenti është:

  1. Shlyerja, në mënyrë kolektive e detyrimeve të debitorit, nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave,

ose,

  1. Në rastin e një plani riorganizimi, nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje tjetër, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë ekzistuese.

Kuadri ligjor aktual parashikon si aktorë kryesorë të këtij procesi:

  • subjektin që i nënshtrohet falimentit,
  • administratorit të procedurës falimentuese që caktohet nga gjykata,
  • ekspertin vlerësues të aseteve të biznesit,
  • aktorë te tjerë të interesuar,
  • si dhe Agjencinë e Mbikqyrjes së Falimentit.

Ligji ekzistues paraqet disa mangësi dhe shkurtimisht po i citoj si më poshtë:

  1. Nga një vlerësim i legjislacionit aktual mbi falimentin, krahasuar me ligjet të tjera të brendshme dhe me legjislacionet e huaja, që trajtojnë këtë fushë, ekspertët konsiderojnë se pozitat e debitorit në një procedurë falimenti, ndodhen në një gjendje diskriminuese, kjo për shkak se fryma, që ligji ekzistues përcjell, është e orientuar drejt zbatimit të procedurave të likujdimit, duke mos lënë hapësirën e duhur biznesit për të shfrytëzuar mundësinë tjetër të njohur nga ligji, atë të riorganizimit, që si qëllim kryesor ka ruajtjen e aktivitetit.

Kjo ndodh pasi dispozitat e ligjit ekzistues fokusohen më tepër në sqarimin e dispozitave që parashikojnë likujdimin e një biznesi, duke lënë të paqartësuar procesin e riorganizimit të një biznesi.

Në këto kushte, është e nevojshme të hartohen dispoziatat e qarta ligjore, që të plotësojnë këtë mundësi që vet ligji jep, duke  ruajtur njëkohësisht balancën  midis të drejtave dhe detyrimeve, që kanë të gjithë aktorët në një çështje.

  1. Gjithashtu po të kryejmë një vlerësim edhe të teknikës legjislative, struktura e ligjit aktual nuk plotëson kërkesat evidente që diktohen nga kushtet e reja në të cilat gjendet biznesi sot.

Mënyra e hartimit dhe e renditjes së dispozitave ligjore, apo krerëve të tij, nuk ndjek vijën proceduriale, që ka secila nga rastet e falimentit likujdimi, riorganizimi apo ristrukturimi i borxhit.

Kjo ka sjellë që në zbatimin në praktikë të evidentohen vështirësi e theksuar për të kuptuar dhe interpretuar ligjin aktual dhe nga subjekte të specializuara në fushën financiare.

  1. Ligji aktual nuk përcakton saktë se për cfarë mund të aplikohet në fazën fillestare të nisjes së procedurave të falimentit.

Pra, nuk përcakton mundësi alternative nëse një procedurë aplikimi mund të jetë për ndjekjen -e procedurës së likujdimit,

-të riorganizimit

-apo për ristrukturim borxhi me të ardhura të rregullta.

Ndërkohë që legjislacioni ynë paraqet këtë mangësi, legjislacionet e vendeve më të zhvilluara i kushtojnë rëndësi detajimit, që prej fillimit të aplikimit për procedurë falimenti, duke e sqaruar atë që në momentin e aplikimit, çka e orienton më shpejt dhe saktë palët se cilat do të jenë hapat e mëtejshme në realizimin e procedurës.

  1. Legjislacioni aktual nuk i sanksionon saktë detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit të falimentit, apo detyrat e mbikëqyrjes në një procedurë falimenti.

Duke mos u specifikuar qartë detyrat e Administratorit, ekziston rrisku:

  • i shpërbërjes së masës së falimentit,
  • dështimit të gjithë procesit,
  • i shmangjes nga përgjegjësia ligjore.
  1. Ligji aktual sanksionon në mënyrë të përgjithshme se çfarë është masa e falimentit,

por nuk përcakton konkretisht sendet dhe pasuritë që përfshihen,

dhe deri ku shtrihet masa e falimentit.

Nga zbatimi në praktikë është konstatuar mosrealizimi i një procedure, për shkak të keqintepretimeve nga gjykata të ndryshme në forma të ndryshme, se cfarë do të quajmë masë apo pasuri e debitorit e cila i nënshtrohet një procedure falimenti.

  1. Ligji aktual paraqet gjithashtu mangësi në përcaktimin e qartë të të drejtave dhe detyrimeve, që kanë palët:
  • në një proces likujdimi,
  • riorganizimi,
  • apo ristrukturimi borxhi.

Nga evidentimi në zbatimit të procedurave në praktikë është konstatuar zbatim i gabuar i detyrave që ka sejcili në procedurë.

  1. Ligji aktual nuk parashikon asgjë, në lidhje me mashtrimet në procesin e falimentit, ndërkohë që legjislacionet e vendeve të zhvilluara, e kanë të përcaktuara:
  • llojet e mashtrimeve në faliment,
  •  si dhe masën dhe mënyrat e vendosjes së sanksioneve penale, apo administrative që vendosen në rast të konstatimit të tyre.
  1.  Ligji aktual kufizon mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e organit të Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit, duke sqaruar rolin dhe përgjegjësitë e këtij organi vetëm në 7 nene të këtij ligji.

Ky ligj kufizohet kryesisht në të drejtën e këtij organi, për liçensimin e subjekteve:

  • që mund të ushtrojnë detyrën e Administratorit të Falimentit,
  • kontrollin e veprimtarisë së tyre,
  • dhe analizat statistikore mbi ecurinë e këtyre procedurave.

Nisur nga studimi krahasimor me legjislacionin e vendeve më të zhvilluara, si dhe me zhvillimet ekonomike në vend, vlerësohet i nevojshëm fuqizimi i rolit të Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit  në procesin e falimentit, duke e përfshirë atë si palë aktive gjatë shqyrtimit të çështjeve.

Është konstatuar se përfshirja, si palë në procedurat e falimentit e Agjencisë, krijon mundësitë praktike:

  • të kontrollit,
  • respektimit të kuadrit ligjor
  • dhe ndërhyrjeve në kohë reale për rregullimin e problematikave që mund të kenë palët.

Përsa më lart, forcimi i Agjencisë nëpërmjet kompetencave dhe përgjegjësive që asaj do të sjelli integritet dhe efikasitet për sistemin e falimentit.

Ky projekt i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë dhe mbështetur nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet ekonomike në Zvicër fokusohet në zgjerimin dhe zhvillimin e një kuadri rregullator, në drejtim të raporteve, procedurave, standardeve, dhe Kodeve për Sistemin e Zgjidhjes së Borxhit, ose siç njihet ndryshe në gjuhën ligjore “Sistemi i Falimentimit”.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen si një përgjigje ndaj rekomandimeve të dhëna nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare, lidhur me reformën në regjimin e falimentit.

Për realizimin e kësaj marrëveshje, ekspertët e huaj do të japin asistencën e vazhdueshme në drejtim të:

– përmirësimit dhe zbatueshmërisë së ligjeve,

– dhe përgjegjësive në fushën e Sistemit të Falimentit.

Marrëveshja e nënshkruar parashtron, ndër të tjera,

  1. Rritjen e besimit mes huadhënësve dhe përmirësimin e mundësive për kredi për biznese.
  1. Lehtësimin në lidhje me ristrukturimin e bizneseve me asete të qëndrueshme, por me paaftësi paguese.

3. Reduktimin ose kufizimin e riskut për marrjen e kredive.

4. Rritjen e shpërndarjes së detyrimeve tek kreditorët.

  1. Rritjen e rolit dhe cilësisë së Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentimit dhe Administratorëve të saj.

Falimenti është një e drejtë ligjore, që në vetvete përbën një fushë të rëndësishme të së drejtës, dhe është një pjesë shumë thelbësore e ekonomisë dhe sistemit financiar në tërësi.

Një sistem i konsoliduar i Falimentit do të sjellë më shumë forcë, liri, dhe stabilitet në biznes.

Vlerat e një shteti tregohen atëherë kur ai, asnjëherë, nuk i kthen krahët problemeve të biznesit, por bashkohet në zgjidhjen e tyre.

Dhe në këtë kuadër ka ardhur koha që të ndërmarrim masa për t’a shndërruar Shqipërinë në një strehë të sigurtë për biznesin.

Rregullimi ligjor i marrëdhënieve kreditor-debitor nuk ka vetëm karakter ekonomik, por edhe social, pasi krijon mundësi reale për zgjidhjen e borxheve ndaj kategorive të tilla si familjet me probleme sociale,studentët, buxhetorë, biznes i vogël, etj.

Në fokusin e saj Ministria e Drejtësisë ka konsideruar prioritare domosdoshmërinë e krijimit të një kuadri ligjor sa më efiçent “Për falimentin”.

Në këtë kontekst, nëpërmjet Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit, shumë shpejt Ministria e Drejtësisë do të adresojë te grupet e interesit pakëtën ligjore për fushën e falimentit.

Kuadri i ri ligjor do të ketë në fokusin e tij çështjet që lidhen me paaftësinë paguese të subjekteve debitore si dhe praktikat e ristrukturimit të borxhit, të cilat do të shmangin eleminimin e biznesit dhe do të rimodelojnë strukturën financiare dhe organizative të subjekteve debitore.

Një riorganizimi i mirë mund të sjellë:

– më shumë të ardhura për biznesin,

– strukturë më të konsoliduar,

– biznesin më të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ndryshimet ligjore do të rrisin integritetin dhe do të nxisin efikasitetin e sistemit të falimentit në Shqipëri.

Një kuadër i mirë ligjor është vetëm hapi i parë drejt një procesi efektiv,

i cili do të mundësojë  modernizimin e vazhdueshëm të institucioneve, për zgjidhjen e problematikave në praktikë,

Përsa më sipër, do të vlerësoja si prioritare nevojën e një bashkëpunimi reciprok, mes institucioneve të rëndësishme vendimarrëse në këtë proces.

Jam i bindur se aktiviteti i sotëm është një tregues i qartë i vëmendjes, që donatorët ndërkombëtarë kanë treguar në përmirësimin e institucioneve në vendin tonë dhe për këtë gjej rastin t’i falenderoj publikisht.

Në mënyrë të veçantë do të doja të falenderoja të gjithë kontribuesit në arritjen e kësaj marrëveshje dhe shpreh besimin se bashkëpunimi mes Bankës Botërore, Sekretariatit Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike, Koorporatës Financiare Ndërkombëtare dhe Ministrisë së Drejtësisë, do të jetë një ndër hapat e rëndësishëm të bashkëpunimit në projekte dhe sfida të tjera.