Takimet e Ministrit Naço gjatë hapjes së vitit ligjor në Britaninë e Madhe - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/10/2014

Takimet e Ministrit Naço gjatë hapjes së vitit ligjor në Britaninë e Madhe

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, z. Nasip Naço, po zhvillon disa takime të nivelit të lartë, në kuadër të një vizite pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Z. Naço ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së Vitit Ligjor në Angli dhe Uells, i ftuar nga Sekretari i Shtetit për Drejtësinë, z. Chris Grayling, autoriteti më i lartë përgjegjës për funksionimin efikas dhe pavarësinë e gjykatave, më të cilin është takuar gjatë pritjes tradicionale me Lordët.

Pas kësaj ceremonie tradicionale në Westminster Abbey, e cila mbledh çdo vit gjyqtarë, Ministra të Drejtësisë nga e gjithë bota, si dhe personalitete të shquara të fushës së drejtësisë nga Anglia, Uellsi dhe vende të tjera të BE-së, z. Naço ka zhvilluar një takim me homologun e tij, Ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Z. Simon Hughes.

Gjatë takimit Ministri Naço ka bërë një ekspoze të hapave të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Drejtësisë, dhe është ndaluar veçanërisht në përpjekjet e bëra nga ana e Qeverisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Z. Naço e informoi homologun e tij mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, rëndësinë e reformimit të Gjykatës së Lartë, risitë në Ligjin “Antimafia”, etj.

Gjithashtu, Ministri Naço e njohu z. Hughes me zhvillimin e konferencës për reformën në drejtesi, e cila do të mbledhë sëbashku të gjithë aktorët e sistemit, për të diskutuar të ardhmen e kësaj reforme.

Ministri u shpreh se konferenca do të jetë një shembull për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes në këtë reformë.

Partneritetin dhe asistencën e Mbretërisë së Bashkuar, Ministri Naço i ka konsideruar të një rëndësie të madhe, ndërsa vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë ka qenë i shkëlqyer dhe se ndihma e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka munguar kurrë.

“Unë vlerësoj se përmbushja e reformave dhe sfidave për integrim, përbëjnë një qëllim madhor i cili kërkon shumë përkushtim nga të gjithë aktorët, por edhe asistencë të vazhdueshme nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Ministri Naço

Ministri i Drejtësisë dhe të Drejtave Civile të Britanisë së Madhe, Z. Simon Hughes e vlerësoi punën e Qeverisë Shqiptare në fushën e drejtësisë, dhe i konsideroi hapat e ndërmarra deri tani si shumë inkurajuese, ndërsa shprehu interes lidhur me masat dhe prioritetet në vazhdim. Njëkohësisht Z. Hughes shtoi se duhen përshëndetur masat e marra përsa i përket transferimit të të burgosurve.

Gjithashtu Z. Hughes shprehu interesin dhe angazhimin e tij lidhur me një projekt të përbashkët me Shërbimin e Provës në Shqipëri, dhe siguroi për bashkëpunim të mëtejshëm për projekte të tjera me interest të ndërsjelltë.

 

Në përfundim të takimit Ministri Naço e ka ftuar homologun e tij, Z. Simon Hughes për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë e cila është pritur me shumë kënaqësi.