Ministri Naço: Shkolla e Magjistraturës, rol në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/10/2014

Ministri Naço: Shkolla e Magjistraturës, rol në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë

“Konferenca Gjyqësore Kombëtare, do të jetë pjesë e reformës që tashmë është inicuar”.

Kjo është deklaruar nga Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë zhvillimit të kësaj konference, ku ndër të tjera u evidentua edhe roli i veçantë i Konferencës Gjyqësore Kombëtare në përsosjen e funksionimit të sistemit gjyqësor, me qëllim konsolidimin e pavarësisë, paanësisë, përgjegjshmërisë, profesionalizmit dhe transparencës së këtij sistemi, si një ndër shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.

Referuar konferencës gjithëprfshirëse të pak ditëve më parë, z. Naço rikujtoi se gjatë saj u theksua që një nga shtyllat ku do të përqëndrohet reforma në sistemin e drejtësisë, do të jetë dhe edukimi juridik në përgjithësi dhe Shkolla e Magjistraturës në veçanti.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që mbart shkolla e magjistraturës, si në drejtim të trajnimit fillestar në kuadër të përgatitjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, ashtu dhe trajnimit vazhdues, dhe këtu kam parasysh përmirësimin e performancës së gjyqtarëve përmes trajnimeve periodike”, tha z. Naço

Gjithashtu Ministri Naço theksoi se ndryshimet në ligjin për Shkollën e Magjistraturës të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi, synojnë ndër të tjera edhe konsolidimin dhe garantimin e pavarësisë akademike të kësaj shkolle.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Naço:

 

Në këtë takim të konferencës gjyqësore kombëtare vijmë mbas përfundimit të një konference gjithpërfshirëse mbi “Reformimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri”, të organizuar nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë.

Shumë nga ju patën mundësinë që të ndjekin punimet e kësaj konference, ku do të veçoja si me mjaft vlerë sugjerimet e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, njëherazi Kryetar i Konferencës Kombëtare Gjyqësore, i cili shprehu angazhimin e komunitetit të gjyqtarëve në realizimin me sukses të reformës në sistemin gjyqësor.

Në vijim të kësaj konference të rëndësishme, për reformimin e sistemit gjyqësor, më lejoni të ritheksoj dhe njëherë se një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Drejtësisë është konsolidimi i pavarësisë, paanësisë, përgjegjshmërisë, profesionalizmit dhe transparencës së sistemit gjyqësor, si një ndër shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.

Padyshim që në këtë proces, një rol të veçantë luan Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila në kuadër të përsosjes së funksionimit dhe efektivitetit të saj, natyrisht do të jetë pjesë e reformës që ne tashmë kemi inicuar.

Kjo reformë do të konsistojë më së shumti në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD.

Gjithashtu, kjo reformë do të fokusohet në garantimin e një procesi më të kujdesshëm në zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshëm, midis të zgjedhurve dhe vetë Konferencës Gjyqësore Kombëtare.

Sikurse u theksua dhe në konferencën që sapo përmbyllëm, një nga shtyllat ku do të përqëndrohet reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë dhe edukimi juridik në përgjithësi dhe shkolla e magjistraturës në veçanti.

Duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që mbart shkolla e magjistraturës, si në drejtim të trajnimit fillestar në kuadër të përgatitjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, ashtu dhe trajnimit vazhdues, dhe këtu kam parasysh përmirësimin e performancës së gjyqtarëve përmes trajnimeve periodike.

Sot të gjithë ndihemi krenar, ku më shumë se gjysma e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përbëhen nga magjistratë, të cilët kanë përfunduar shkollën e magjistraturës prej vitesh.

Është fakt se që prej vitit 2000 shkolla e magjistraturës ka nxjerrë më shumë se 300 të diplomuar, nga të cilët rreth 150 gjyqtarë dhe rreth 150 prokurorë.

Në këtë kuptim, roli që duhet të marrë shkolla e magjistraturës meriton një vëmendje të veçantë, në funksion të ripërtëritjes të sistemit të drejtësisë, dhe për këtë ne angazhohemi se do të kontribuojmë maksimalisht për rritjen e performancës së saj.

Në Qershor të këtij viti, vendi ynë aderoi si anëtar i Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike, e cila synon ndërtimin e institucioneve demokratike, që do të promovonin vlerat dhe parimet europiane të sundimit të ligjit dhe të së drejtës.

Në Shtator 2014 Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi Marrëveshjen për themelimin dhe statutin e Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike.

Pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë.

Në fokusin e saj kjo Organizatë ka mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike.

Për shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve, për të gjeneruar një elitë profesionale juristësh, gjyqtarësh dhe prokurorë.

Disa ndryshime në ligjin për shkollën e magjistraturës u miratuan së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë dhe tashmë kanë hyrë në fuqi.

Këto ndryshime më së shumti synojnë konsolidimin dhe garantimin e pavarësisë akademike të shkollës së magjistraturës.

Tashmë kemi rezultatet e para pozitive të asaj që ne jemi përpjekur prej kohësh të bëjmë, pra të lëmë mënjanë dhe të heqim dorë nga situata që na vendosin në konflikte interesash, në raport me atë çfarë duhet të ofrojmë realisht një punë serioze dhe efektive të intistucioneve të drejtësisë.

Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të këshillit drejtues, sipas ndryshimeve të ligjit, u konkretizua fillimisht nga organi i prokurorisë, të cilët e zgjodhën përfaqësusin e tyre dhe tashmë është radha juaj që të zgjidhni përfaqësuesin tuaj në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Qeveria shqiptare është e vendosur të mbështesë shkollën e magjistraturës dhe t’i garantojë asaj pavarësinë financiare dhe funksionale.

Në kuadër të kësaj fryme, që në fillim të mandatit tim si Ministër i Drejtësisë, i kam kërkuar KLD-së që të përmbyllte procesin e emërimit të magjistratëve, që kishin përfunduar shkollën e magjistraturës në vitin 2011-2012 dhe 2012-2013, të cilët prej më shumë se një viti nuk mundën të merrnin një emërim në gjykata.

Më pas, i kam kërkuar KLD-së, të fuste në rendin e ditës dhe të trajtonte me përparësi çështjen e emërimit të këtyre magjistratëve.

I bindur në faktin se janë dhe do të jenë këta magjistratë pjesa më e shëndoshë e sistemit gjyqësor, e harmonizuar me pjesën tjetër të gjyqtarëve dhe prokurorëve të emëruar në vite, kërkova që emërimi i tyre të bëhej në gjykatat  e Tiranës, Durrësit etj.

Kjo kërkesë e imja ndeshi në qëndrim refraktar të KLD-së, e cila jo vetëm nuk e pranoi këtë kërkesë, por prishi dhe traditën e vendosur tashmë, e formalizuar kjo me vendim të KLD-së që dy studentët e parë me rezultatet më të larta emëroheshin në gjykatat e karrierës, në Tiranë dhe Durrës, etj.

Rrjedhimisht, vendet bosh në Gjykatën e Tiranës u zunë me gjyqtarë ku jo të gjithë kishin kualifikimet e duhura, apo shumë larg kualifikimeve të këtyre magjistratëve.

Rishikimi i ligjit për Shkollën e Magjistraturës, synoi mbi të gjitha reformimin e përbërjes së Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, duke i dhënë edhe kësaj hallke të organizimit, një rol të rëndësishëm lidhur me përzgjedhjen e përfaqësuesve të trupës gjyqësore në Këshill, tashmë jo nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore.

Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shfaqin dukshëm problematikë në funksionimin e tyre dhe për këtë arsye u bënë disa ndryshime edhe në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë në tërësi.

Në këtë drejtim, nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, të shoqërisë civile, apo ato të opinionit publik, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga të gjithë aktorët e drejtësisë.

Ndërkohë jemi po kaq të vetëdijshëm që ndryshimet e miratuara nuk e ezaurojnë thelbin e reformës në sistemin e drejtësisë, por erdhën më së shumti si një nevojë për të frenuar papërgjegjshmërinë në funksionimin e këtij Këshilli të Lartë të Drejtësisë.

Këto ndryshime, në thelb, nuk janë asgjë tjetër, veçse transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë KLD-ja ka miratuar me vendimet e saj, por faktikisht të pazbatuara.

Ligji i ri parashikoi qartë që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të mos transferohen ose ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, si dhe një vit pas mbarimit të këtij mandati.

Kjo me qëllimin e vetëm për parandalimin e konfliktit të interesit, pasi në praktikën e deritanishme ka raste të promovimit të vetë anëtarëve të KLD-së, përgjatë ushtrimit të mandatit të tyre, siç është rasti i:

Emërimit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës apo i Emërimit të anëtarit të KLD-së në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, si dhe të tjera raste abuzimi që unë i kam ngritur me zë të lartë në çdo mbledhje të KLD-së dhe në çdo forum, ku janë diskutuar problematikat e sistemit gjyqësor.

Në konsideratë të faktit që Këshilli Drejtues i kësaj shkolle ka detyra të rëndësishme në drejtim të: ndjekjes  dhe zbatimit të kritereve për pranimin e kandidatëve, që do të ndjekin programin e formimit fillestar, marrjen e masave për zbatimin e rregullave të përzgjedhjes së trupës mësimdhënëse, etj

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Drejtues merr një vlerë të veçantë, pasi nga njëra anë rrit rolin e konferencës gjyqësore, si një instrument i rëndësishëm kushtetues në dorën e gjyqtarëve, dhe nga ana tjetër garanton një proces më  gjithëpërfshirës dhe një përfaqësim të drejtpërdrejtë të gjyqtarëve në shkollën e magjistraturës.

Po kështu dhe rregullat që lidhen me kriteret që do të duhet të përmbushi drejtori i shkollës së magjistraturës, më së shumti, synojnë dhe garantojnë angazhimin e akademikëve apo pedagogeve me tituj shkencor në drejtimin e shkollës.

Ligji i miratuar përcakton ndër të tjera që, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës të ketë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor”, ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagog i brendshëm apo pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës;

Një zgjedhje e tillë është një garanci për rritjen e performancës të trupës akademike , por dhe të procesit të mësimdhënies, me qëllimin final përqasjen e kësaj shkolle me simotrat e saja europiane.

Të gjitha këto reforma sigurisht, kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore, KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe të gjithë aktorët e tjerë, vullnetin e gadishmërinë tuaj, jo vetëm për t’i përdorur ato, por dhe për t’i orientuar në drejtim të rritjes së eficencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Unë nuk kam ndonjë “axhendë personale” për të sulmuar gjyqtarë të veçantë, përkundrazi në çdo rast kam kërkuar që të evidentohet pjesa më e mirë e sistemit, gjyqtarët apo prokurorët që nuk i mungojnë trupës sonë gjyqësore.

Unë nuk mundem dot sot që me këtë sistem vlerësimi, të bëj një përzgjedhje të gjyqtarëve apo prokuroreve më të mirë, prandaj kemi propozuar një nga variantet më të mira që përdoret sot në vendet e Bashkimit Europian, që gjyqtari apo prokurori më i mirë i vitit të dali nga një sistem vlerash, dhe jo nga humori i Ministrit të Drejtësisë.

Në përfundim ju inkurajoj, që të bëheni pjesë e proceseve reformuese, që Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarrë, së bashku me aktorët e sistemit të drejtësisë, opozitën, shoqërinë civile, apo dhe partnerët tanë ndërkombëtarë si: Komisioni Evropian, OSBE, Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, USAID, PAMEKA, dhe gjithë projektet e tjera, që mbështetin reformën në sistemin e drejtësisë, me qëllim realizimin e synimit të përbashkët për një shtet të së drejtës, që vepron në interes dhe për interes të qytetarëve të tij.